Delvina KËRLUKU
Ibër Deari u lind në Kumanovë në vitin 1990. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në fshatin Sllupçan – “Faik Konica”, ndërsa shkollën e mesme në gjimnazin “Sami Frashëri”, Kumanovë. Shkollën e filmit e vazhdoi në Universitetin për arte audiovisuele “ESRA” në Shkup, ku edhe diplomoi në vitin 2013 me filmin “Rrëfimi i fundit”. Studimet pos-diplomike i kreu po në Universitetin “Esra”, ku edhe është emëruar magjistër i arteve, dega regji – filmi, me filmin “TOKA” dhe mbrojtje të temës së shkruar “TO FILM OR NOT TO FILM”. Ka realizuar një numër të madh të filmave të metrazhit të shkurtër. Filmat e tij më të suksesshëm që kanë fituar çmime janë: “Mes parajsës dhe ferrit (fitues në SWIKOS Basel – film fest); “Rrëfimi i fundit” (Best short film në Albanian film week – NEW YORK) “My City Screams (Filmi më i mirë, regjia më e mirë, montazhi më i mirë, në festivalin Nine Eleveven, Prishtinë); Filmi më i ri “TOKA”, ka përfunduar këtë vit dhe premierën e ka pasur në DokuFest – Prizren dhe pritet të merr pjesë edhe në festivale të tjera. Në vitin 2015 fiton çmimin “Milingona e Artë” për të arriturat e artit skenik. Filmat e tjerë që pritet të kenë premierë në fillim të vitit tjetër janë filmi “MAJA” dhe filmi “NOTES”.
KOHA: Regjisor i ri në moshë, por me suksese të shumta. Çdo të thotë për ju kryerja e një pune me përfundime të mira?
DEARI: Si regjisor i ri akoma nuk e di kur është një punë e përfunduar mirë, pasi që çdo herë del ndokush tjetër dhe mundet ta bëjë edhe më mirë ose si një regjisor pasi e ke bërë një film. Fill pas 1 viti thua: “eh sikur të kam mundësi edhe njëherë ta xhiroja të njëjtin film do ta kisha bërë edhe më mirë”. Por, sidoqoftë për mua një punë mesatarisht e mirë vjen zakonisht pas disa angazhimeve të shumta rreth asaj pune, një kohë shumë e gjatë duke u përkushtuar te puna, shumë lexim, shumë angazhim, hulumtime, analiza, net të shumta pa gjumë, ankthe, kritika,debate etj.
KOHA: Ku i keni marrë mësimet e para për të qenë i edukuar në rrethin ku jeton e vepron dhe për të mos qenë i verbër në jetë?
DEARI: Mësimet e para i kam marrë nga mjeshtrit më të mëdhenj të filmit, sigurisht duke lexuar librat biografik të tyre, ose duke shikuar filmat dokumentar rreth filmave. Këshillat që i dëgjoja nga Stanley Kubrick, Tarantino, Tarkovsky, Bergman ishin mësim i parë për filmin dhe dashurinë për kinemanë. Pastaj, në Shkup u regjistrova në Universitetin për arte audiovisuele “ESRA”, dega regji filmi. Isha shumë i lumtur që gjeta një shkollë filmi…Edhe pse sot e kam përfunduar shkollimin, akoma vazhdoj me të njëjtin ritëm të lexoj, të shikoj filma… Artistët studiojnë gjatë tërë jetës, ata në të vërtet diplomojnë ditën kur pushojnë së jetuari në këtë jetë.
KOHA: Arti është pasqyrë e jetës, e shoqëruar nga imagjinata, të menduarit dhe ndjenjat e artistit. Si ju lindi ideja për të qenë regjisor?
DEARI: E mbaj në mend që kur isha fëmijë. Vazhdimisht kam shikuar shumë filma dhe ëndrra ime ka qenë të kem një kamerë dhe të xhiroj filma ose video. Unë kisha ëndërr të bëhem aktorë. Më interesonte shumë filmi, aktori ose njerëzit që e realizojnë filmin. E kuptova që dashuria për kinemanë triumfon mbi të gjitha dashuritë dhe vendosa të bëhem regjisor. Në fillim ka qenë shumë e vështirë, por sot jam shumë krenar që arrita t’i bëjë këto ndryshime, përveç që u bëra regjisor, kam motivuar edhe shumë të rinj në Kumanovë, që të studiojnë profile të tjera për kinematografi, duke filluar nga montazhi, kamera, regjia, produksion etj.
KOHA: Pas një pune me përkushtim ju jeni vlerësuar me mirënjohje dhe çmime. Cilën arritje do ta ndani me lexuesit tanë, si më të rëndësishme në jetën tuaj?
DEARI: Sot nuk dua t’i shkruaj çmimet që i kam fituar. Të gjitha për mua janë të njëjtë dhe të gjitha i vlerësoj shumë. I kam përmendur në shumë intervista të tjera dhe sot dua të them diçka tjetër. Asnjëherë nuk kam menduar që për punën e suksesshme duhet të qëndrojnë disa njerëz që japin vlerësime dhe nga ato vlerësime të fitohen çmime. Unë si i ri nuk kam pasur këto qëllime, që të bëj një film dhe të pres një çmim. Por, me kalimin e kohës, duke u futur më shumë në këtë punë e pash që ishte e detyruar se për të bërë diçka që dikush të fitoj besimin apo respektin për ty, duhesh të kesh edhe shpërblime. Kjo më dëshpëroi shumë. Festivalet janë shumë të rëndësishme, por munden edhe shumë herë të gabojnë. Kjo më bëri që me një farë forme filmat që i bëja të mendoja për festivalet, të mendoj se çfarë tema ata kërkojnë, të respektoja minutazhën e filmit, të shkoja në shumë TV debate që ta promovoja filmin tim etj. Kjo më harxhonte shume energji, ne vend që të fokusohem të shkruaj një skenar shumë të mirë, unë apo të gjithë kolegët e tjerë, fokusohemi edhe në ketë pjesën se a do ma pëlqejë juria filmin. Mendoj se më e rëndësishme te një film i mirë është t’i mbijetojë gjitha kohërave. Besoj që një film jeton vetëm nga shikuesit. Por, sidoqoftë unë nuk do ta mohoj se gjithë çmimet që i kam fituar deri më sot, jam shumë falënderues dhe kanë ndikuar shumë te unë si regjisorë.
KOHA: Kemi dëgjuar për regjisorin i cili ka urdhëruar që të prehet një lis i madh i vjetër në mes të livadhit, sepse aty duhej të vendosej kamera. Tjetri të njëjtin xhirim e ka përsëritur me dhjetëra herë që është absurd dhe shërben vetëm që të tregohet fuqia e tij. Fuqia e vetme e vërtetë e regjisorit është që ai të jetë i vetëdijshëm për atë që është duke bërë? Kjo është edhe porosia e regjisorit Wajda!
DEARI: Kjo është një nga thëniet apo këshillat më të mira të regjisorit polak, Anderzej Wajda. Regjisori duhet të ketë dashuri për të gjithë. Ai në vendin e xhirimit është energjia e tërë ekipit. Nëse ai akomodohet në karrigen e tij dhe jep urdhra si një diktator, atëherë energjia e tij do të humbasë, ekipi do të ndiejë një mërzi dhe jo siguri. Unë në fillim nuk mundesha të kuptoj pse një regjisor duhet të jetë aq diktator, aq i mërzitur. Ose aktorët kur flisnin për një regjisor dhe e lavdëronin se tek ai nuk kanë guxim aspak të flasin ose të bisedojnë. Kinse ai qenka një njeri që nuk e kupton askush. Por, kjo është gabim, regjisori është i vetmi njeri që duhet ta kuptojnë të gjithë, nëse nuk e kuptojnë regjisorin se çfarë ai dëshiron të thotë, atëherë si do të kuptohet filmi që e ka krijuar ai regjisor? Regjisori duhet të jetë i qartë në vizionin e tij. Regjisorët e ri, fillestarë ose të patalentuar ndihen shumë të frikësuar dhe e kanë të vështirë që ndonjëherë thjeshtë të pranojnë se nuk dinë se si të nxjerrin një skenë. Frika e bën atë një diktator dhe me këtë i shmanget pyetjeve dhe pasigurisë së tij në shesh xhirim.
KOHA: Me aktivitetin tuaj si regjisor, ju zhvilloni artin. Si po zhvillohen dega e artit të regjisë, përkatësisht regjia në Maqedoni?
DEARI: Në Maqedoni aktori bën regji, regjisori nuk bën asgjë. Ai i teatrit bën film, kurse ai i filmit bën teatër. Nuk e di a do kemi se për çfarë te flasim më shume këtu. Nuk kemi numër të madh regjisorësh. Për të zhvilluar kjo degë, duhet të kemi më shumë regjisorë profesionistë të filmit, më shumë debate, më shume filma. Mendoj se na duhet edhe pak kohë…
KOHA: Çështja e krizës së filmit në Maqedoni ka dy anë. E para është financiare. Jepen shumë pak para për të lëvruar gjininë e filmit artistik. Ana tjetër, që është po kaq e rëndësishme, është dhe çështja e nivelit artistik, që ofrojnë projektet e ndryshme. Kjo do të thotë se ndonjëherë ne jemi pak të kujdesshëm lidhur me vlerat artistike që ka një film?
DEARI: Nuk ka kriza në filma apo kinema, ka periudha të këqija, ka kohë kur ca regjisorë/artistë janë dajallarë e “akraba” me politikanët dhe të tjerët jo! Kush të thotë që ka mungesë të buxheteve ata gënjejnë, çdo vit ndahen buxhete të mira për filma. Duhet të kuptuar që buxhetet që ndahen për film, aty parashikohen vetëm harxhimet për filmin dhe honorarët për ekipin e filmit, nuk mundesh të blesh shtëpi, veturë, banesë dhe njëkohësisht të bësh filma. Të hollat për luks dhe shtëpi, artisti duhet t’i kërkojë tjetër kund. Filmi te ne nuk është biznes i mirë. Formula për të bërë një film shumë të mirë nuk është vetëm ana financiare. Ka shumë filma të mirë në botë që janë realizuar me shumë pak pare ose me zero buxhet! Te ne është mëkat për shkak se realizohen disa filma, i shfaqin një premierë të mbyllur dhe pastaj i ruajnë në sirtarin e producentëve. Çështja e nivelit artistikë është komplet një problem tjetër. Për të bërë një film autorial regjisorët duhen të jenë të pavarur në vizionin e tyre. Duhet kohë!
KOHA: Sa u ofron realiteti sot krijuesve për temat që duhet të trajtojnë në film?
DEARI: Mendoj që krijuesit nuk duhen çdo herë të merren me realitetin SOT. Sot në botën e lirë artistët kërkojnë të marrin tema që lidhen me censurën për të bërë show dhe për ta shitur filmin e tyre më lehtë. Ose sot artisti ka frikë t’i trajtojë temat që ndodhin në këtë realitet. Sot është vështirë të kesh një opinion se nga paragjykimet mund të pësosh shumë, e leje më të realizosh një film. Duhet të jesh një regjisor me shumë guxim që t’ia përplasesh për fytyre realitetin njerëzve. Artisti duhet të jetë i lirë, duhet të ketë lirinë e dyfishtë, atë të pushtetit dhe të publikut. Nuk guxon të ndalohet. Ai është pasqyra e realiteti. Për atë mendoj se para se të bëhesh regjisor, është më mirë të jesh guximtar.
KOHA: Cilat janë përvojat e juaja të krijimtarisë dhe jetës jashtë shtetit. Dhe çfarë keni arritur të përfitoni nga këto “shëtitje”?
DEARI: Unë kam mësuar shumë duke punuar jashtë Maqedonisë. Shteti që më shumë kam xhiruar, ka qenë duke filluar nga më i afërti, Kosova (projekte të ndryshme) , pastaj në Slloveni një film të metrazhit të gjatë ( këtu isha si drejtor i fotografisë) Një përvojë shumë e mirë në xhirime të një filmi dokumentar në SHBA (Chicago, Detroit, Texas, Dallas, New York), xhirime të filmit në Zvicër etj. Kam vizituar shumë vende dhe shumë përvoja të ndryshme. Nuk mundem t’i numëroj një nga një se çfarë kam arritur nga këto shëtitje, por do të tregoj nga vizita e fundit që isha në OSLO – Norvegji. Njëra nga dy momentet më të rëndësishme nga kjo shëtitje ishte vizita në shtëpinë (The Ibsen Museums) e dramaturgut më të njohur Norvegjez HENRIK IBSEN. Dhe vizita e dytë ishte te Muzeu i Kon Tikit Të gjithë ata që kanë parë filmin norvegjez i nominuar për Oscar 2012 KON TIKI e dinë tregimin.
KOHA: Ju i avanconi më shumë aktorët nga Kumanova apo ecni dhe më larg. Si janë marrëdhëniet e juaja me aktorët?
DEARI: Kush nuk i adhuron aktorët dhe nuk e kupton profesionin e tyre të vështirë, nuk duhet të punojë me ata . Për mua aktorët janë njerëzit më të shenjtë në ekipin e filmit, unë i kam adhuruar aktorët edhe përpara se të bëhesha regjisorë. Jo vetëm ata nga Kumanova, por nga gjitha vendet. Arsyeja pse me shumë kam bashkëpunuar me aktorët nga Kumanova ka qenë për shumë gjëra. Shumica e filmave apo skenarëve që i kam krijuar, kanë qenë të shkruar nga personat që unë kaloja më shumë kohë. Dhe më shumë kohë kaloja me këto aktorë se sa me anëtarët e familjes. Kështu që për mua si regjisor ishte edhe më lehtë të realizoja një film duke e ditur se çfarë mundet të bëj aktorin që e njoh. Filmat e mi, pa marrë parasysh buxheteve shumë të vegjël, kanë pasur një kast të përzier aktoresh, duke filluar Presheva, Kumanova, Shkupi, Tetova, Prishtina etj.
KOHA: Cilat janë bashkëpunimet e juaja më të suksesshëm me aktorët?
DEARI: Kur është puna te aktorët, unë, më duket që jam nga ata regjisorët më me shume fat. Çdo herë kam punuar me aktorë profesionist, këtë e vlerësoj shumë dhe do ia di për nderë dhe falënderim të madh, ato më besuan që kur isha në moshën më të re. Në filmin e RRËFIMI I FUNDIT, Musa Isfui fitoi çmimin si aktori më i mirë në festivalin Nine Eleven – Prishtinë. Dhe kjo mua më bën më të lumtur kur aktorët në filmat e mi shpërblehen me çmime, ky është rezultati i një bashkëpunimi të suksesshëm. Në filmi TOKA – një film krejt tjetër nga ata të tjerët, për herë të parë kam punuar me idolin tim, aktorin ADEM KARAGA. Kurse aktori i dytë është Afrim Muçaj – nga Prishtina. Kam mbetur shumë i kënaqur. Dhe filmin TOKA është i vetmi film që ia kam kushtuar këtyre dy aktoreve.
KOHA: Cili pritet të jetë projekti i juaj i ardhshëm?
DEARI: Nuk e di saktë, edhe unë jam në pritje. Vazhdimisht konkurroj në vende të ndryshme për të fituar projekte, por shumë pak përkrahje. Shumicën e rasteve janë projekte që i bëj me vet financim. Vitin e ardhshëm pres të kem premierën e filmit MAJA që është xhiruar në Kosovë. Dhe sigurisht që do vazhdoj me punë të tjera…
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.