Çmimi kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2018 iu ndahet prof.dr. Reshat Nexhipit, me motivacionin për veprimtari jetësore dhe arritje të veçanta në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare
Tetovë, 11 gusht – Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, dje e organizoi në Tetovë edicionin e V me radhë të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, veprimtari kulturore që këtë vit përkoi me 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Manifestimin e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili para pjesëmarrësve tha se pas 140 vitesh, ne të gjithë së bashku, e risjellim në vëmendjen tonë kontributin e autoriteteve shqiptare të Lidhjes së Prizrenit, të cilët pas vendimeve të padrejta në kurriz të shqiptarëve në Kongresin e Berlinit, u mblodhën të vendosur dhe të bashkuar, për të luftuar në mbrojtje të interesave të kombit.
“Studiues të njohur të historisë, gjuhës, letërsisë dhe kulturës sonë, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e vlerësojnë si ngjarjen më të veçantë në historinë moderne shqiptare, sepse sipas tyre e krijoi njësinë e tërësisë kombëtare dhe njësinë e shkollës shqipe. Në të njëjtën kohë është lëvizja që krijoi platformën historike, politike dhe kulturore për formimin e kombit dhe të shtetit shqiptar. Historia jonë na rrëfen se kjo ngjarje është ndër të arriturat më të mëdha të kulturës sonë kombëtare, sidomos kur dihen rrethanat historike të popullit shqiptar, robëria shekullore, lakmitë e shteteve fqinje, qëndrimi i qendrave evropiane të vendosjes, por edhe qëndrimi armiqësor i Portës së Lartë”, theksoi Selam Sulejmani. Referatin kryesor për përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit para pjesëmarrësve në manifestim e paraqiti historiani i njohur, prof.dr. Zeqirja Idrizi, ligjërues në Katedrën e Historisë të Universitetit të Tetovës.
Sipas profesor Idrizit, Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë shqiptare e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. “Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë. Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të Kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman. Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht, administrativisht dhe ushtarakisht për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në Mesjetë. Është etapa paraprake para Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo është një nga përpjekjet më serioze për pavarësinë e vendit, jo vetëm për nga numri i përfaqësuesve që mblodhi, por edhe nga platforma ideologjike. Në këtë kohë dramatike për atdheun 1875 – 1878, kur atdheu kishte më tepër nevojë për me qenë, mendimtarë, politikanë, luftëtarë dhe poetë, pa humbur kohë për asnjë çast, vëllezërit Frashëri si ideologë u rreshtuan në Komitetin e Stambollit si organizatorë të mirë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me përpjekjet e tyre Lidhja e Prizrenit mori një fuqi të re”, deklaroi prof.dr. Zeqirja Idrizi.
Në referatin e tij, historiani Idrizi i theksoi edhe emrat e delegatëve pjesëmarrës në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, në mesin e tyre edhe delegatë nga qyteti i Tetovës dhe më gjerë. “Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Unë po përmendi vetëm delegatët nga Tetova: Sheh Mustafë Tetova, Haxhi Sadik Tetova, Riza Fuati, Hasan pashë Derralla, Esat pashë Tetova, Mehmet Efendiu, Rexhep beu, ndërsa nga Gostivari: Haxhi Zylbehari”, deklaroi prof.dr. Zeqirja Idrizi.
Në edicionin e V të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, që u mbajt më 10 qershor 2018, në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për herë të katërt me radhë, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” e ndau Çmimin kombëtar “Ali Vishko”, të cilin e ka themeluar në vitin 2014. Pas shpalljes së konkursit dhe shqyrtimit të propozimeve të arritura, Komisioni përkatës kishte vendosur që Çmimi kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2018 t’i ndahet prof.dr. Reshat Nexhipit, me motivacionin për veprimtari jetësore dhe arritje të veçanta në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare.
Pas pranimit të Çmimit kombëtar “Ali Vishko”, prof.dr. Reshat Nexhipi, këtë çmim e cilësoi të veçantë dhe kurorëzim të punës së tij, brenda të cilit qëndron biografia e tij tetëdhjetëvjeçare. Çmimin “Ali Vishko” deri më tani e kanë fituar edhe prof.dr. Avzi Mustafa (2015), prof.dr. Remzi Nesimi, tashmë i ndjerë (2016) dhe prof.dr. Tahir Zajazi (2017). Profesor Reshat Nexhipi aktualisht jeton dhe vepron në qytetin e Alfabetit të gjuhës shqipe, në Manastir dhe konsiderohet simbol i gjallë i këtij qyteti historik të shqiptarëve. Edicioni i V i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” përfundoi me programin artistik, në kuadër të të cilit u interpretuan pika muzikore-artistike, nga Biondina Selami – në piano, Teuta Emini – në flaut dhe Shkelzën Pajaziti – në violinë. Vargjet me motive historike-kombëtare të shkruara nga poetë e shkrimtarë të njohur të letërsisë shqiptare, si Ali Podrimja, Bardhyl Londo dhe Mitrush Kuteli, i lexuan profesoreshat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, Zejnepe Alili – Rexhepi, Donika Bakiu, Muhabije Fejzuli dhe Valdeta Dulahi. Manifestimi kulturor “Lidhja na bashkon” u realizua me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë dhe mbështetjen e Universitetit të Tetovës, Komunës së Tetovës, sipërmarrjeve të njohura shqiptare “Zgjimi Kompani” dhe “STR Komjuters”.