Lajm i mirë për juristët: Prokurorët e ardhshëm me notë mesatare 7

2

Omer XHAFERI

Shkup, 11 janar – Juristët e rinj të cilët studimet (përfshi dhe ato post diplomime) i kanë mbaruar me mesatare 7.0, do të kenë mundësi të zhvillojnë trajnimin pranë Akademisë për gjykatës dhe prokurorë (AGJP), shkruan gazeta KOHA. Ulja e shkallës së pranimit për një notë më të vogël, është paraparë më ndryshimet e fundit të Ligjit për Akademi të gjykatësve dhe prokurove, i cili ka hyrë në fuqi me 8 janar të këtij viti. Në bazë të arsyetimit ligjor që tashmë ka hyrë në fuqi, këto ndryshime ligjore thuhet se janë bërë me qëllim të krijimit të mundësive për kuadro profesionale të kualifikuar me minimum pesë vite përvojë pune, pas kalimit të provimit të jurisprudencës për nëpunës gjyqësor, atë të prokurorisë apo si avokat për zhvillim të mëtejmë të karrierës, duke pasur qasje në AGJP. Këto ndryshime ligjore thuhet se janë bërë për shkak të fillimit të zbatimit të Ligjit të ri për procedurë penale dhe vendosjen e sistemit, ku prokuroritë publike dhe prokurorët e luajnë rolin kryesor në zhvillimin e hetimeve, gjegjësisht kjo situatë ka ndikuar që të shtohet nevoja për rritjen e kuadrit profesional dhe përforcimin e prokurorive për realizimin e të gjitha kompetencave ligjore.

”Praktika e deritanishme ka dëshmuar se vendet e zbrazëta në prokuroritë publike, nuk mund të plotësohen për shkak të kushteve paraprake, që AGJP i kërkonte për mbarimin e trajnimit. Me këto ndryshime krijohet mundësia se kuadrot profesional të kualifikuar të motivohen dhe tërësisht të inkorporohen në konceptin për mbarimi të trajnimit në AGJP, si kusht për t’u zgjedhur prokurorë publik. Duke e pasur parasysh përvojën e tyre dhe punën praktike, trajnimi në AGJP do të zhvillohet vetëm në një fazë (ligjërata teorike), e cila do të zgjasë nëntë muaj të plotë”, thuhet mes tjerash në arsyetimin ligjor, që tashmë është bërë pjesë e dispozitave të reja të LAGJP. Ulja e shkallës së pranimit nga mesatarja 8 në 7, sipas profesorit Osman Kadriu, është një rrethanë lehtësues për kandidatët e ardhshëm, të cilët do të konkurrojnë për t’u pranuar në AGJP. Në cilësinë e ekspertit juridik, ai potencon se sipas kritereve që parashikonte ligji i deritanishme, kandidatët shqiptarë, në veçanti atyre që ju ka munguar nota mesatare 8 dhe me tepër, ka qene pengesë e madhe për t’u regjistruar. “Por, dua të theksoj se kushti i dhënies së provimit në këtë akademi, për t’u emërtuar si gjykatës apo prokurorë paraqet obligim shtesë, i cili nuk parashikohet me Ligjin për gjykatat, respektivisht nënkupton një diskriminim të konsiderueshëm, veçanërisht për kandidatët shqiptarë. Meqenëse Ligji për gjykata parasheh plotësimin e katër kushteve për t’u caktuar një gjykatës apo prokurorë, me themelimin e AGJP dhe trajnimi që ofrohet në këtë institucion, komplikohet procedura për zgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve të ri, kurse kjo ka reflektuar negativisht në përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në sistemin gjyqësor”, thotë për gazetën KOHA profesori Kadriu.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të Ngjajshme