KURIU: Çfarë kam ditur, ua kam dhënë nxënësve e studentëve

Kam praktikuar metoda përpara më shumë se njëzet viteve, do të thotë para se të ndodhin këto zhvillime teknologjike dhe avancime në metodologjinë e punës në arsim. Mbase sot nuk është diç e re, me pjesë të ndara të njësive mësimore, pra me kolokviume, për t’ua lehtësuar dhënien e provimit dhe për t’u rrënjosur më shumë mësimi nga literatura, që zhvilloja në procesin mësimor. Kam realizuar katër kolokviume, jashtë orarit të punës. Qëllimi ishte te përfitimi i studentit, të dinë më tepër.

751

Delvina KËRLUKU

Ismalaki Kuriu u lind në shkurt të vitit 1943 në Gostivar. Rrjedh nga një familje dibrane. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Tetovë. Pas shkollës së mesme punësohet si arsimtar në fshatin Xhepshishtë të Tetovës, ku punoi dy vite. Studimet i nisi në Shkup, por tërmeti i vitit 1963 e zhvendosi në Prishtinë, ku edhe diplomoi në vitin 1967 në gjuhën serbo – kroate. Pas studimeve, ai do të punësohet në Akademinë Pedagogjik të Universitetit “Kliment Ohridski” në Shkup, ku ka ligjëruar lëndën e matematikës në gjuhën shqipe. Në vitin 1985, Akademia në gjuhën shqipe mbyllet dhe profesor Kuriut i ndalohet përdorimi i gjuhës shqipe, por i mundësohet orë vetëm në gjuhën maqedonase. Ai do të protestojë dhe përfundimisht largohet nga vendi i punës. Punësohet në Prishtinë. Deri në vitin 2008 ka qenë profesor i rregullt. Ai nuk ka pasur titull shkencor, por ka qenë një ndër matematicientët më të dalluar të kohës dhe themelues i Olimpiadës se garave matematikore në Maqedoni. Ai ju qas arsimit, për të mos e humbur amanetin e babait, Abdullahut, i cili i ushqente fëmijët duke shitur libra shqip. A do të hapë librarinë e parë me libra dhe revista shqipe në Tetovë. Kjo ndodhi kur Ismailakiu ishte foshnjë. Babain ia zënë në burg. Arsyeja nuk dihet, por misioni i tij për shpërndarjen e librave duhet të ketë qenë shkaku kryesor. Ndërsa Ismailakiu do të merr hapin të punojë që në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare. Sot profesor Ismailaki Kuriu ka tre fëmijë, dy vajza pianiste dhe një djalë i diplomuar për elektroteknikë. Është 74 vjeç dhe jeton me bashkëshorten në Prishtinë.

KOHA: Z. Kuriu, gjatë gjithë jetës i jeni përkushtuar arsimit. Nga lindi kjo dashuri ndaj arsimit, shkollës shqipe?

KURIU: Meritat janë të babait. Ai më thoshte: Lum Ju që jeni edukator të popullit tuaj! Ai ishte njeri shumë i ngritur dhe ka ndikuar shumë në emancipimin e Tetovës, sepse në atë kohë Tetova ka qenë një qytet shumë fanatik, por babai im, me mirësjelljen e tij, ishte një shembull në këtë qytet dhe është respektuar shumë. Ne në rast se kemi qenë arsimtar të mirë dhe besoj se po, meritën më të madhe për autoritetin tonë, e përsëris, e ka babai. Familjarisht ne jemi njerëz të arsimit, të gjashtë fëmijët në familje jemi marrë me arsim. Motrat e mia kanë qenë të vetmet femra të shkolluara në Tetovë, flas për atë kohë, kur arsimi në trojet tona sapo kishte nxjerrë filizat e para të lulëzimit. Një nga motrat që i është përkushtuar arsimit, e para, e kam pasur udhërrëfyese dhe e kam pasur idol. Ajo gjithmonë më shërbente e më rekomandonte se si duhet të jesh një mësues i përkushtuar për mësimdhënien, pra i devotshëm. Nuk është mirë që flas për motrën time, por ajo e meriton, me plot kuptimin e fjalës. Unë do t’ju jap një shembull se çfarë është epiteti mësues. Një mësuesit në Shqipëri i vdes fëmija i vetëm dhe gjatë përcjelljes për në varreza, meqë masa ka qenë minorante, pjesëmarrja ka qenë shumë e zbehtë, e në atë moment i shkon mendja e thotë: “Mua më shkoi djali, por unë jam mësues dhe kam plot fëmijë përreth”!

KOHA: Cila është beteja juaj ndaj barrierave në arsim, vështirësitë që hasët gjatë shkollimit?

KURIU: Prindërit e mi kanë lindur në Dibër. Tre motrat kanë lindur në Tiranë, unë në Gostivar, në vitin 1943, dhe të tjerët në Tetovë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kam kryer në Tetovë dhe pas të mesmes, meqë ishim shumë fëmijë, u detyrova të punoj dhe u punësova në një shkollë në fshat, ku kam dhënë lëndën e kimisë dhe gjuhës frënge. Isha tetëmbëdhjetë vjeçar. Mandej pas dy viteve punë, vendosa të studioj për shkencat natyrore, duke e zgjedhur lëndën e matematikës në gjuhën serbe – kroate, në Prishtinë. Natyrisht, kam pasur shumë vështirësi. Megjithatë, me vullnet të madh, punë përkushtim, arrita të përfundoj studimet.

KOHA: Cili është përshkrimi i fëmijërisë dhe rinisë tuaj. Në ç‘rrethe je rritur. Në cilën lagje keni jetuar. Cilët ishin shokët tuaj?

KURIU: Unë gjatë gjimnazit, por edhe si mësues, jam marrë me këndim. Ne jemi gjenetikisht të dhënë pas muzike. Asaj kohe kur organizoheshin ballot, jam angazhuar të këndoj, sepse isha i vetmi shqiptar në mesin e maqedonasve. Atëherë ia jepja pagën babait, e cila arrinte në 23.000 dinarë. Ai, përpos që përkujdesej për ne, kishte edhe librarinë e tij, që ishte e para librari shqipe. Atëherë kam qenë shumë i vogël, sapo kisha lindur. Është interesant të përmend rasti kur bashkëshortja e Murat Isakut i është drejtuar babait se sa kushton libri “Les misérable” (Të mjerët) i Viktor Hygos. Meqë, çmimi ka qenë i lartë, ajo është kthyer, por babai ia ka dhënë librin në dorë, duke i kërkuar vetëm të mos e humb e të mos prishen faqet e librit dhe ta kthejë pasi ta lexojë edhe Murati. Edhe Kuranin e përkthyer edhe në gjuhën shqipe, babai e solli nga Shqipëria në Tetovë, por edhe revistat fetare i sillte babai për t’i furnizuar hoxhallarët. Unë vetëm nga rrëfimet mbaj mend për aktivitetin e tij me libra. Sa nisa të rritem, isha vetëm 5 vjeçar, atë e kapën në burg, ku qëndroi me vite. Kur e nxorën, mbaj mend, ishte asht e lëkurë, por ishte jetë gjatë dhe jetoi edhe ca vite me ne.

KOHA: Cili ishte shkaku që e burgosën babain tuaj, Abdullahun. Mbase misioni i tij për shpërndarjen e librave shqip, do ta ketë penguar dikë..?

KURIU: Saktë nuk e dimë arsyen. Nuk i ka treguar askujt pse është futur në burg, çfarë vuajtje ka pasur! Ne kemi qenë shumë fëmijë dhe për hir të asaj që ne të mos kemi pasoja.., ka mbetur pezull, por… Ai ka qenë në burg në një qeli me një person tjetër dhe janë betuar se kush do të del i pari, do t’ia lë rrobat atij që do mbetet në qeli. Ka qenë kohë e skamjes, e keqe.

KOHA: Si e kujtoni orën e parë të mësimdhënies. Cila ishte shkolla?

KURIU: Si mësimdhënës në fshatin Xhepçisht. Si mësues i shkollës dhe kujdestar i një klase, një ditë më vjen drejtori i shkollës duke u bërtitur nxënësve të mi. Nuk ia prisha para nxënësve për shkak të respektit. Por, kur dola nga klasa i thashë: këta janë fëmijët e mi dhe unë di të kujdesem për ta. Kjo ishte gjeneza e arsimit. Që në ditët e para unë isha i lidhur pas këtij profesioni. Sakrificat ishin të mëdha. Unë udhëtoja me bicikletë. Shkolla ishte e mjerë, pa kushte.

KOHA : Ju keni punuar në Fakultetin Pedagogjik të Shkupit, ku shumë mësues u ngritën profesionalisht nga ju dhe nga shumë kolegë tuaj?

KURIU: Kam shumë momente edhe nga ky fakultet. Një ditë pranvere me time shoqe isha në Strugë. Derisa po drekonim, m’u afrua një vajzë e më tha me një ëndje: Ua.., profesori! Ajo më tha: profesor të të tregoj se unë kam rënë njëherë në provimin te lënda e juaj e matematikës, por edhe kam qarë shumë, sepse më parë s’kisha rënë asnjëherë në provim. Por, sot fal jush, më duket se jam një nga mësueset më të mira. Unë si profesor e kam dashur shumë punën dhe kam dhënë të gjithën nga vetja, aq sa kam mundur. Kurrgjë s’kam kursyer në jetën time, në shpirtin tim, çfarë kam ditur e kam pasur, ia kam dhënë popullit tim. Te Fakulteti Pedagogjik kam pasur një moment shumë të rëndë kur na e mbyllën akademinë në gjuhën shqipe, në vitin 1985. Atëherë disa kolegëve maqedonas ju drejtova: si s’keni turp, edhe këtë na e bëtë… Ishte një situatë e rëndë politike… Nuk punova më, sepse s’bëhej ndryshe, ata më dhanë ca orë, por unë u thashë: E dua gjuhë time shqipe dhe u largova. Nuk është turp ta them se kam qarë si fëmijë i vogël, se edhe këtë e përjetova! Kur sërish u hap, unë veçse isha larguar nga Shkupi, sepse atëkohë shkova në Prishtinë. Në Shkollën e lartë Pedagogjike, një njeri me personalitet shumë të lartë, Ramiz Musha, edhe ai ka qenë një profesor shumë i ngritur ndërroi jetë dhe unë u punësova në vend të tij dhe aty punova deri në pension në vitin 2008.

KOHA: Profesioni i mësuesit është një profesion mjaft i vështirë. Pas kaq vitesh në arsim, a ndiheni i shpërblyer?

KURIU: Jam shumë i lumtur, sepse kam punuar mjaft. Kam një jetë normale, një familje të shkëlqyer. Lumturia nuk më mungon, edhe fëmijët janë shumë të kujdesshëm ndaj meje.

KOHA: Z.Kuriu, në procesin e planifikimit të mësimeve dhe të njësive mësimore, një aspekt që meriton vëmendje është problemi se si të kontrolloni dhe të siguroni përparimin e studentëve në mësime, si të identifikoni përparimin që kanë bërë dhe si të vlerësohen rezultatet e të mësuarit e tyre dhe aktivitetet tuaja të mësimdhënies. Çfarë mund të shtoni këtu?

KURIU: Unë kam praktikuar metoda përpara më shumë se njëzet viteve, do të thotë para se të ndodhin këto zhvillime teknologjike dhe avancime në metodologjinë e punës në arsim. Mbase sot nuk është diç e re, me pjesë të ndara të njësive mësimore, pra me kolokviume, për t’ua lehtësuar dhënien e provimit dhe për t’u rrënjosur më shumë mësimi nga literatura, që zhvilloja në procesin mësimor. Kam realizuar katër kolokviume, jashtë orarit të punës. Qëllimi ishte te përfitimi i studentit, të dinë më tepër. Këta studente gjatë testimit kanë zgjidhur shumë më shumë detyra matematikore. Kam qenë pak para kohe, para këtyre rrethanave të sotshme. Më vjen keq që e them këtë për vete, por sot kjo metodë është shumë më tërheqëse dhe më lehtësuese për studentin. Jam përkushtuar për arsimin edhe kam dhënë edhe kohën time të lirë. Shumë studentë janë mirënjohës, gjë kjo që më bën të lumtur dhe më jep vullnet për jetë.

KOHA: Vlerësimet e brendshme dhe të jashtme e ndihmojnë një person të krijojë një tablo të përgjithshme për pozicionin e tij në lidhje me të mësuarit dhe të planifikojë hapat për të ardhmen. Si e cilësoni ju “testin ekstern” për vlerësim të nxënësit, të cilin e ka avancuar Ministria e Arsimit në Maqedoni?

KURIU: Jam në dijeni për këtë test, sepse kam student të mi që janë inkuadruar në shkolla. Më ka rastis që të takohem me ta ose edhe më kanë kërkuar për ndonjë konsultim të mundshëm. Ata më kanë thënë që më shumë merren me çështje administrative se sa me zhvillimin e orës së mësimit, pra me punën e arsimit. Do të thotë, ata nuk janë aspak të kënaqur me këtë metodë. Kuptohet se angazhimet e këtilla e neglizhojnë punën e arsimtarit në klasë, por nuk do të thotë për të gjithë. Është një thënie: Mësues, jo secili mësues. Nuk e di a më kuptuat… Sot, arsimi, fal njohurive të fëmijëve, të cilët marrin informata nga televizori, interneti- kompjuteri, janë më afër ngjarjeve dhe më lehtë i kuptojnë metodën e lojës, punës. Fëmijët sot kanë kushte shumë më të mira. Për mossuksesin fajtor jemi ne, mësuesit, e jo fëmijët. Unë e kam një thënie: Fëmijë të keq s’ka, arsimtar të keq po. Jam i bindur për këtë dhe nuk e them me gjysmë goje. Njeriu që e do profesionin e vet, punon me gjithë shpirt.

KOHA: Matematika është pika ku takohen dhe harmonizohen feja, shkenca dhe arti. Për këtë doktrina e tij mund të jetë gjithësore dhe të përmbajë harmonikisht konceptin fetar, kërkimet shkencore dhe eksperimentin?

KURIU: Po e saktë. Njëherë se ka të bëjë me besimin, ajo është e vërtetë. Edhe Euklidi mundohet ta definon pikën dhe ma në fund thotë: Pika është një koncept themelor, domethënë një dukuri që ekziston, me fjalë të tjera në abstraksion ta marrësh është një gjurmë, pa dimensione. Unë gjithmonë u kam thënë studentëve, për gjeometri pika është “Zot”. E tani shtrohet pyetja: pse? Nëpërmjet atij “Zoti” ndërtohet gjithçka. Pra, nëpërmjet këtij besimi, ne marrim hapin për të matur, vepruar. Pa besim nuk ka ndërtim. Matematika si art, unë e them kam dy vajza pianiste, pra që merren me art, por mua nuk ma kalojnë (po madhëroj veten këtu, padashur), sepse nëse në sallë kam 200 studentë unë jam në gjendje ta mbaj e çoj të gjithë sallën. Unë kam dashur dhe e kam dëshmuar se të gjithë studentët më ndjekin kah e lëviz dorën në dërrasën e zezë. Matematika si shkencë, është një lami që është ndërtuar me Zotin e vet.

KOHA: Pas matematicientëve më të shquar të historisë botërore: Leonhard Paul Euler; Karl Fridrih Gauss; Pitagora; Euklidi, Bernhard Riemann, Rene Descartes, Alan Turing, Leonardo Pisano Bllogno, Andre Uiles, Isak Njuton dhe Uilhem Leibniz, të cilët e avancuan shkencën natyrore, a kanë evoluar shkencat natyrore, veçmas matematika?

KURIU: Matematika ka përparuar, edhe atë shumë. Gjithsesi nga këta shkencëtarë, ne kemi mësuar dhe ju kemi transmetuar studentëve mësimin. Unë e kam pa njëherë veten në një seminar, në një kongres ballkanik, ku nuk isha i njohur mbi seksionet që zhvilloheshin. Por, e gjeta veten diku, te metodat e arsimit, avancimin e arsimit. Gjithsesi, në konferenca përfitohen njohuri nga njëri – tjetri. Ne mund t’i përfitojmë këto njohuri nga njerëz që bëjnë pjesë në fushën e mësimdhënies e na udhëzojnë. Ai që është shkolluar dhe ka etje e vullnet për të mësuar gjëra të reja, nuk është në pritje që ky informacion i ri të shkojë dëm, por do të gjejë mënyrën për ta fituar atë.

KOHA: Dibrën si e kujtoni, nga ku janë prindërit tuaj?

KURIU: Shkoja shpesh në Dibër, meqë prindit ishin nga andej. Atje kisha shumë shokë. Kujtoj Nehat Bellçishtën, profesor në gjimnazin e Dibrës. Ai shpesh më ngacmonte: “Ti nëse nuk ndjehesh dibran, mos eja fare, ç‘të duhet ajo e folme e Tetovës, ku jeton atje”. Unë e shihja se ai acarohej kur e kundërshtoja dhe i shkoja kundër përherë. Por, po ndaj një moment tjetër, si organizator dhe udhëheqës në olimpiadën e matematikës, unë e prezantova veten si dibran, fëmijë i prindërve dibran. Atëherë, Nehati sa s’fluturoi, e më tha: kështu të duam… Unë kisha shkel çdo tokë shqiptare dhe veten e quaja shqiptar. Madje, në Tetovë ishte dibrani Nexhat Pustina, një legjendë e kulturës dhe artit, i cili kontribuoi me aq përkushtim dhe miqësinë e tij e kujtoj me mall.

KOHA: Ju jetoni në Prishtinë, cila është jeta juaj sot dhe sa shpesh e vizitoni Shkupin? Cila është familja juaj? Ç’rrugë morën fëmijët tuaj?

KURIU: Në Shkup, fal vajzës sime shkoj kur ma do shpirti. Në shtëpinë e tyre gjej prehje nga dhëndri që e kam si djalë. Unë jam martuar për së dyti, por jam shumë i lumtur që kam një bashkëshorte, njeri me prirje dhe aftësi të jashtëzakonshme, me të cilën jetojmë në Prishtinë dhe e cila më ndihmon për çdo gjë që kam nevojë. Ajo shpreh dashuri jo vetëm ndaj meje, por edhe fëmijëve, mbesave dhe nipërve të mi. Unë kam tre fëmijë, dy vajzat pianiste dhe djali që ka studiuar elektroteknikën, por është marrë me biznese të turizmit. Jam i respektuar nga fëmijët, bashkëshortja, studentët, tashmë kolegë e miq.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të Ngjajshme