Delvina KËRLUKU
Fadil Lushi u lind në vitin 1950, në Tetovë. Arsimin fillor dhe të mesmin i kreu në vendlindje dhe në Shkup, ndërkaq arsimin universitar e mbaroi në Prishtinë dhe mori titullin Mësues i Pedagogjisë. Ka prejardhje nga një familje patriotike dhe arsimdashëse. Gjyshi i tij ishte kryetar i Ballit Kombëtar, në Tetovë dhe njëkohësisht anëtar i kryesisë së Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Xhaxhai i tij, në vitin 1952, u dënua me tetë vjet heqje lirie. Dënimin e vuajti në burgun famëkeq “Petrova Rupa” të Goli Otokut. Në vitin 1921 gjysma e fisit të tij u detyrua të shpërngulet në Turqi. Në vitin 1974 punësohet në gjimnazin e Ferizajit, ku jep leksione për programet mësimore të filozofisë dhe logjikës. Në vitin 1976 emërohet pedagog në shkollën fillore “Kiril Pejçinoviq” në fshatin Tearcë të Tetovës, ku punoi deri në vitin 1981, kur e përjashtojnë nga puna për shkaqe politike. Për këtë dhe arsye të tjera mbeti pa punë deri më 1997. Kështu, me fillimin e pluralizmit i mundësohet punësimi në Entin Pedagogjik, si këshilltar pedagogjik për mësimin klasor. Në vitin 2002 emërohet udhëheqës i Njësisë ndërkomunale të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit për Tetovë, Gostivar dhe Dibër, një detyrë që e ushtron aktualisht. Që nga viti 2013 është kryetar i Shoqatës së Pedagogëve Shqiptar të Komunës së Tetovës. Deri më tani ka botuar afro 300 shkrime nga lëmi i pedagogjisë, didaktikës dhe politikës. Prej vitit 1981 deri më vitin 2005, gazetat dhe revistat në shqip, që asokohe botoheshin në Maqedoni, e ndërprenë bashkëpunimin me të, andaj u detyrua që me emër dhe mbiemër të imagjinuar t’i botonte shkrimet e veta në gazetat dhe revistat e Zagrebit dhe të Prishtinës. Gjatë periudhës të arsimit fillor, të mesëm dhe universitar përjashtohet tri herë: një herë përsërit vitin, një herë burgoset dhe një herë, së treti, suspendohet nga vendi i punës. Për kontributin e veçantë në sferën e arsimit dhe kulturës, Komuna e Tetovës i jep mirënjohje dy herë.
KOHA: Z. Lushi, cila është forca juaj më e madhe? Kjo pyetje mund të duket e thjeshtë, por kjo është edhe një nga më të rëndësishmet, kur bëhet fjalë, për kohën e ligë, që Ju e keni rezistuar!
LUSHI: Dikur moti, forca ime më e madhe ishte ajo e ndërgjegjes, forca mendore, e fjalës, ajo shpirtërore, përfshi këtu edhe forcën e shembullit pozitiv. Më duket se sot e gjithë ditën e Perëndisë, pas pesë dekadash, këto virtyte tradicionale të rinisë shqiptare të asaj kohe, lëre që kanë filluar të zbehen, por edhe toptan janë skllavëruar. Dhe kjo mosha jonë e thyer (qoftë ajo fizike dhe mentale) nuk reziston dot kollaj kundër shtypjes, hiles dhe, në instancë të fundit, edhe kundër tradhtarëve të vatanit…, tradhtarë që sabah e aksham shesin pordha, që gjithë ditën në emër të atdhetarizmit ta shesin sapunin për djathë.
KOHA: Gjatë shkollimit keni hasur në vështirësi, përjashtim nga shkolla, ngelje në klasë, burgosje. Çfarë flet jeta juaj?
LUSHI: Në këtë periudhë kohore u ballafaqova me shumë mundime, probleme dhe shqetësime që ndoshta nuk ishin karakteristike për këtë moshë rinore. Kur vijoja mësimet në klasën e pestë, u përjashtova nga shkolla fillore “Liria” në Tetovë, duke më transferuar në shkollën që asokohe quhej “Bratstvo-Edinstvo” e që sot bart emrin e Millosh Gjergj Nikollës. Më pastaj u regjistrova në gjimnazin e famshëm “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, një gjimnaz që përfundimisht ka humbur shkëlqimin e dikurshëm dhe që fatkeqësisht, edhe pas pesë dekadash, bart po të njëjtin emër, një emër që nuk ka kurrgjë të përbashkët me kulturën dhe historinë e shqiptarëve që jetojnë këtejpari. Vitin shkollor 1966-67 u riprovova në lëndën e kimisë, një program mësimor që asnjëherë nuk më hyri në punë. Humba a përsërita vitin. Më pastaj në gjysmë-vjetorin e parë të vitit të tretë të motit shkollor 1968-69, bashkë me gjashtë shokët e klasës na burgosën dhe na përjashtuan. Pasi përfundova arsimin e mesëm, u regjistrova në Fakultetin Filozofik në Prishtinë-drejtimi Pedagogji. Në vitin e tretë të studimeve u përjashtova për gjashtë muaj, për arsye se me një grup studentësh nga Kosova dhe Mali i Zi bojkotuam ligjëratat në gjuhën serbokroate nga lënda e andragogjisë. Me përfundimin e studimeve u punësova si pedagog në shkollën fillore “Kiril Pejçinoviq”, në fshatin Tearcë, ku edhe punova deri më vitin 1981. Po të njëjtin vit më pushuan nga puna.
KOHA: ”Zef Lush Marku”, shkollë që nxori kuadro cilësore. Në vitin 1947, kjo shkollë hapi dyert për shumë arsimdashës. Cili ishte misioni i kësaj shkolle atëbotë?
LUSHI: Normalja e Shkupit “Zef Lush Marku” ka qenë një shkollë elitare e mësuesve, misioni i së cilës ka qenë shumëdimensional dhe strategjik në aftësimin e kuadrove për mësues të shkollave fillore në gjuhën shqipe. Fillimisht ajo punën dhe misionin e saj e nisi në Tetovë në vitin1950, në ndërtesën e sotme të shkollës fillore “Liria” dhe më pas në motin e vitit 1952 u transferua në kryeqendrën e Maqedonisë, në Shkup, po me të njëjtin emër. Emrin “Zef Lush Marku” e mori më 1960 me rastin e festimit te 10-vjetorit të punës. Shkolla, gjatë funksionimit të saj punoi me programe 3, 5 dhe 4-vjeçare. Shkolla punoi deri më 1972, prej kur ajo u transformua në gjimnazin e sotëm. Shkollën normale e kryen një numër i madh i nxënësve, të cilët më vonë u bënë mjekë, profesorë, politikanë e tjerë. Këtu po përmendi disa emra si: dr. Xheladin Murati, profesor universitar dhe politikan, dr. Tahir Zajazi, profesor, dr. Sefedin Haruni, profesor e politikan, dr. Murat Murati, profesor, Abdurrahman Aliti, politikan, Alush Kamberi, gazetar e poet, Sefo Osmani, mësues dhe aktivist. Nga kjo shkollë dolën edhe shumë mësuese, ndër të cilat po përmendi tri që punuan në shkollat e Tetovës, si Qerimaneja, mësuesja Nexhdete dhe mesuesja Drita. Në shkollën normale punuan dhe profesorë të njohur, si Abedin Krasniqi, Xhevat Gega, Syreja Imami, Abdullah Ukshini, Eshref Saraqini e të tjerë.
KOHA: Ju nuk u jeni ndarë protestave, demonstratave edhe në Tetovë, atje ku nisët arsimin e mesëm. Në çfarë probleme jeni përfshirë?
LUSHI: Më 22 dhjetor 1968 në Tetovë filluan protestat dhe një ditë më pas ato u shndërruan në demonstrata. Duke qenë nxënës i vitit të tretë në gjimnazin e Tetovës, tok me ca shokë të klasës u bëmë pjesë e tyre. Më vonë na fajësuan kinse me veprimet dhe sjelljet tona të shthurura, krijuam shqetësime dhe probleme politike në radhët e komunistëve sllavë dhe te spiunët a bashkëpunëtorët shqiptarë, të cilët më vonë krijuan dhe forcuan karrierën e tyre politike. Për këtë dhe shkaqe të tjera nuk munguan arrestimet, fajësimet, ndëshkimet fizike nga më të ndryshmet dhe në fund edhe burgosjet.
KOHA: Pas mbarimit të studimeve pedagogjike, Ju u punësuat në Tearcë. Sa ishte e pranishme gjuha shqipe në vendin e punës tuaj?
LUSHI: Padyshim se gjuha standarde shqipe ishte e pranishme, por ama ajo fare pak përdorej në dokumentet e shkruara, sidomos kur duhej të komunikonim me institucionet e tjera shtetërore. Dokumentin zyrtar detyroheshe ta shkruash në gjuhën jo amtare. Ehe, sa të vrazhdët ishin komunikimet sidomos ato me shkrim.., veçmas kur detyroheshe ta bësh me nëpunësin që ishte yt vëlla- shqiptar. Pos gjuhës amtare obligohesha që të komunikoj në maqedonisht dhe turqisht, për arsye se procesi edukativo-arsimor organizohej në tri gjuhë.
KOHA: Suspendoheni nga puna, nga Partia Komuniste e ish-Jugosllavisë. Cili ishte shkaku dhe a kemi sot një parti me ideologjinë e partisë komuniste, ku arsimdashësit, atdhedashësit, i largonin nga puna e vendi. Si mendoni?
LUSHI: Më 22 dhe 23 dhjetor të vitit 1968 u organizuan demonstratat e Tetovës, në të cilat morën pjesë mësimdhënës, studentë, bujq, zejtarë, mjekë si dhe nxënësit e gjimnazit. Meqenëse edhe unë isha pjesëmarrës në to, fillimisht më burgosën dhe mandej edhe më sikterisën nga shkolla. Duhet shtuar se këto demonstrata fillimisht ishin humane dhe emancipuese. Fatkeqësisht, më vonë ato u dehumanizuan dhe u deemancipuan…, pavarësisht se kishin katër palë histori:
- Historia e lëvdatës do të shkruhet nga vetë organizatorët dhe pjesëmarrësit e saj. Krye organizatori i këtyre demonstratave do të jetë studenti nga Beogradi, Faik Mustafa, i cili më vonë do të dënohet me 5 vjet heqje lirie. Ndërkaq ikona e politikëbërjes në nënqiellin e Fushë Pollogut, Memetriza Murtezan – Gega do të dënohet me 7 vjet burg. Do të akuzohet për arsye se gjithmonë ka qenë kundërshtar i shpërnguljeve të shqiptarëve drejt Anadollit, njeriu që në kontinuitet do të kërkojë të drejta më të avancuara për shqiptarët në aspektin politik, kulturor, social, arsimor, ekonomik dhe në aspekte të tjera.
- Historia e akuzës. Demonstratat e vitit 1968 nga ana e pushtet-mbajtësve do të perceptohen si…”armiqësore dhe me kërkesa irredentiste, për bashkim vertikal të shqiptarëve në Jugosllavi, për bashkim me Kosovën…” dhe me shtetin amë si dhe me trojet e tjera me frymëmarrje shqiptare, me të vetmin qëllim për të krijuar Shqipërinë natyrale. Këto demonstrata do të glorifikohen tej mase nga ana e prokurorisë së përgjithshme të asaj kohe. Në instancë të fundit demonstratat ishin thjesht shprehje apo rezultat i një akumulimi të dufit shqiptar ndaj padrejtësive që i bëheshin. Perceptimi tjetër i tyre, gjithsesi i gjymtuar, do konsistojë në faktin kinse shqiptarët në vitin 1968 pushtetit i paskëshin parashtruar kërkesë për të shpallur pluralizmin politik. Ky mendim sot e kësaj dite ka ngelur utopik.
- Historia e harresës. Kjo histori duhet të jetë historia më e dhimbshme e demonstratave të vitit 1968, pasi që nga historianët tanë paksa më të moshuar, fare pak është diskutuar dhe trajtuar si pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare. Historianët tanë (me përjashtim të kosovarëve) gjatë kohë do e mbajnë kokën, shikimin dhe mendjen mënjanë. Ndoshta kanë pasur të drejtë. Ku ta dijë njeriu?! dhe,
- Historia e kodoshëve. Kjo histori e demonstratave do të karakterizohet me shqiptarët që ishin bashkëpunëtorë të UDB-së, respektivisht spiunët apo kodoshët të cilët më shumë se 80% i siguruan fakte aktakuzës. Ata më vonë me “lindjen e pluralizmit politik në Maqedoni” do të konvertohen në demokratë, atdhetarë dhe në mbeturinë haleje. Ndërkaq patriotizmin do ta konceptojnë si strehë të fundit të frymëmarrjes së tyre politike. Disa do të ngelin përgjithmonë të frymojnë në ullukun e qenefit të Partisë Komuniste dhe Lidhjes Socialiste. Ca të tjerë sot e gjithë ditën e Perëndisë duke qenë të veshur me kostumin e funksionarit të lartë këtej Shkupit dhe andej Shqipërisë politike dhe s’di ku tjetër, thonë se është marrëzi të merresh me kauzën e popullit! Disa duke ushtruar detyrën e kodoshit do të asgjësojnë një numër të konsiderueshëm të dosjeve të atdhetarëve, me të vetmin motiv që të mos u dalë emri në pazar.
Më 29 gusht të vitit 1981 ish-komunistët ma shkruan këtë vendim: “Zbog dejstvovanja sa pozicija velikoallbanskog nacionalizma i iredentizma, suspenduje sa poslla Fadil Lushi, pedagog u osnovnoj shkolli “Kiril Pejcinoviç” u sellu Tearce”. Prej vitit 1981 deri më 1997 ngela pa punë. U detyrova të sorollatem rrugëve të Evropës! Dhe pas pesë dekadash, të parashtrosh pyetjen se, sot a kemi një parti me ideologjinë e partisë komuniste…, mua më mungon “hazërxhevapi!?”
KOHA: Z. Lushi, jeni këshilltar pedagogjik. Si është sot gjendja e arsimit shqip, duke e ditur se shkolla shqipe ka ecur nëpër labirinte?
LUSHI: Nëse do të kem të drejtë ta respektoj institucionin që llafos nocionin MENDIM NDRYSHE, do them se, arsimi shqip qoftë ai fillor-nëntëvjeçar, i mesëm dhe universitar, s’është as “PËR DYNJA E AS PËR AHIRET!” Sikur ka filluar të zbehet, sikur ne vetë shqiptarët kemi filluar ta denigrojmë, sikur ashtu “me pahir” e anashkalojmë, sikur mësuesin e kemi shndërruar në “ofiqar” a administrator, sikur shkollat tok me drejtorët i kemi partizuar, sikur institucionet edukativo-arsimore i kemi shndërruar në “shtabe politike”, sikur shtiremi dhe harrojmë se fëmijët i kemi stërngarkuar me informacione të llojllojshme dhe të panevojshme, sikur harrojmë se të gjitha reformat e deritanishme na dështuan, sikur harruam se mbyllja e Shkollës së famshme normale ishte një gabim trashanik dhe i pafalshëm, sikur fakultetet (me ca përjashtime) na janë shndërruar në “kioske” ku shiten dhe blihen diploma, sikur nuk e gjejmë rrugën për të dalë nga kjo amulli, sikur e nëpërkëmbim e sakatosim dhe e vrasim këtë vlerë kombëtare, sikur arsimi “ecën me paterica”, sikur ndërtojmë a krijojmë labirinte të reja, sikur mëtojmë që në çdo fshat të themelojmë universitete…, sikur veprojmë “jerm”, sikur me gabim e “aminuam” Ligjin për arsim të detyrueshëm të mesëm, një ligj këmbë e krye i dështuar, sikur luajmë “mbyllasyza” me vetveten, sikur një ditë do të pajtohemi me atë thënien e Frrok Çupit, i cili kohë më parë në një shkrim të tij, pos të tjerash, kishte thënë: “Ka rrezik që një ditë të dalim e të përulemi para “xhahilëve” dhe të kërkojmë ndjesë pse lexojmë libra dhe pse dimë shkrim e këndim”! Thënë thjesht, arsimin e kemi bythëprapthi?…, gjithë kësaj katrahure, do t’ia shtoj atë shprehjen shkodrane: “Sikterise priftin e kishës pa hajër!”
KOHA: Atëbotë sistemi arsimor mungonte pothuaj krejtësisht dhe duhej të ndërtohej hallkë pas hallke, nivel pas niveli. Ishte shumë e vështirë të gjeje njerëz që në të njëjtën kohë të kishin edhe bagazhin e duhur të njohurive, edhe të zotëronin në një shkallë të mjaftueshme gjuhën amtare, dhe të cilëve t’u besoje detyrën e mësuesit. Sot ku qëndron vështirësia?
LUSHI: Pavarësisht (sipas jush) se sistemi arsimor ndërtohej hallkë pas hallke, pavarësisht se mungonin mjetet mësimore, pavarësisht se asokohe mësuesit na vinin nga shteti amë, pavarësisht se vinin nga Dibra, Struga e vende të tjera…, megjithatë duhet pranuar argumentet a provat se kishim një arsim cilësor. Asokohe jo gjithsecili mund të ushtronte profesionin e mësuesit. Dhe sot sikur të gjithë ne kemi hequr mendjen dhe kujdesin kolektiv karshi statusit të mësuesit, sikur nuk na intereson fakti se kah shkon arsimi ynë, sikur jemi të dalldisur me çështje të politikës ditore dhe çështje tjera…
KOHA: Pedagogjia, shkencë kjo që merret me edukimin dhe arsimimin e fëmijëve e të rinjve, me metodat që duhen përdorur për këtë qëllim. Ç’mund të shtoni këtu?
LUSHI: “Pedagogjia është shkencë që merret me parimet dhe metodat, sipas të cilave zhvillohet procesi edukativ-arsimor, përkatësisht është shkencë që merret me edukimin dhe arsimimin në planin më të gjerë (në institucionet arsimore, sportive etj.) ndërkaq didaktika është disiplinë shkencore e pedagogjisë…, ajo përkufizohet si teori e mësimit dhe e mësimdhënies. Didaktika nënkupton bazën teorike të mësimit dhe mësimdhënies, paraqitja e së cilës është e kushtëzuar nga vetë zhvillimi i formave dhe i përmbajtjeve të punës mësimore e tjerë”. Unë jo rastësisht e parafrazova përkufizimin e nocionit në fjalë. Sot nëse do të kërkosh në procesin edukativo-arsimor elemente të pedagogjisë dhe didaktikës, mendoj se do të jesh i zhgënjyer, për faktin se ajo fare pak zbatohet. Pjesa edukative sikur është zbehur. Sikur segmenti edukativ i tëri është përjashtuar nga institucioni shkollë, qoftë ai fillor i mesëm a universitar…, sikur është shndërruar në “tallava”. Sikur i gjithë sistemi arsimor nuk gjen forcë të depolitizohet. Në instancë të fundit, jo rastësisht hetohen gjymtime serioze, gjatë organizimit të procesit edukativo-arsimor sipas standardeve pedagogjike, metodologjike dhe didaktike.
KOHA: Z. Lushi keni botuar disa opinione, piktori fjalën tuaj do ta pikturonte me një karikaturë. Shqipëria ka Edmond Tupjen, ndërsa në Maqedoni jeni Ju, që shkruani “pis”. Është kjo mënyrë revolte e shprehjes së mendimit tuaj ndaj problemeve që na rrethojnë?
LUSHI: Edmond Tupja është autori i “fjalorit erotik” dhe jo rastësisht ai vuri dorë në një temë tabu…, një sferë e gjuhës që gjatë kohë nuk u prek aq sa duhet nga njerëz të pendës. Tupja, gjithnjë tërheq vëmendjen e lexuesve të tij të vëmendshëm me ato që nxjerr nga goja. Ai shkruan pa dorashka, pa sentimentalizma dhe me një shqipe të plotë, të çiltër dhe të emancipuar. Para se ta përfundoj përgjigjen, më duhet të them se unë si një opinion bërës i vockël, as për së afër nuk mund t’i ngjaj Edmondit, mbase mund të jem një çirak i tij. Shkrimet e mia paksa erotike a “pis” janë pjellë e mendimit a shprehjes së lirë, janë produkt të një mllefi të akumuluar karshi problemeve, marrëzive dhe infantilizmit politik këtejpari në Gadishullin Ilirik pavarësisht se vështrimet e mia në gazeta herë pas here me të drejtë kontestohen a paragjykohen nga lexuesi…, si dhe nga opinionbërësit e mirëfilltë që veprojnë këtu në Maqedoni.
KOHA: Në jetë më e rëndësishme është familja, atdheu apo profesioni?
LUSHI: Një trinom i përbërë prej tri shtyllash shumë të rëndësishme që mbajnë ngrehinën e jetës së njeriut. Nëse dy të parat nuk mund t’i zgjedhësh, pasi ato i ke të përcaktuara “që kur të bie koka”, profesioni është pak a shumë një gjë ku edhe mund të ndikosh deri-diku. Jam përpjekur gjithmonë që me të tria këto “ashike” ta kem sevdanë tamam. Pa iu referuar Sh. Petëfit për atë thënien e bukur, për lidhjen e dashurisë me atdheun që në kohën e rinisë sonë ishte moto dhe pa u turpëruar nga vetja, mund të them se familjen dhe atdheun i kam dy shenjtëri të jetës sime që i kam përjetësuar me anë të profesionit prej një mësuesi në shërbim të tyre. Që unë, përgjigjeve të mia t’u jap sadopak shpirt dhe sadopak humanizëm, do them se këtë NDRYSHE, do ia kushtoj një gruaje të madhe, një gruaje mendjefemër, një gruaje shumë të bukur, një gruaje që iku nga jeta ime, një grua që ditën që iku, me vete ma mori dashurinë, një grua që iku në vaktin kur më duhej më së shumti.., një grua që nuk erdhi në dasmën time dhe të shqiptarëve, një grua të cilën çdo mëngjes e puthja në Ballë.., dhe ajo e kishte emrin më të bukur në dynjanë njerëzore.., unë e quaja NËNËLOKE!.., ehe, sikur ta kisha, sot e gjithë ditën, do luftoja me Mbretin!
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.