Kur epoka shqiptare fillonte dhe mbaronte me partinë komuniste

112

Delvina KËRLUKU

Merita Çoçoli u lind në Korçë, në qytezën Maliq. Ishte vetëm 7 vjeç kur recitoi për herë të parë në Radio Korça. Në formimin e saj si artiste ka ndikuar mjaft, Kino Teatri i Maliqit, që ishte pranë shtëpisë së Meritës. Shkollën e kreu në vendlindje. Më vonë konkurron në degën e dramës në Universitetin e Arteve. Rininë e kalon në kryeqytet. Merita thotë se atëherë Tirana ishte me parqe të gjelbëruara, pa trafik makinash që ushqente me ëndrrat për të ardhmen. Sapo mbaroi studimet, u emërua aktore profesioniste në Teatrin e Korçës. Korça e saj, atëherë, kishte tre teatro profesioniste, atë të Dramës, Teatrin e Estradës dhe të Fëmijëve. Ka luajtur mbi 30 role në Teatër dhe rreth 10 role më të vogla në filmat që prodhoheshin në Tiranë. Dhe një ditë ajo ik në Stamboll, ku anjihet me shokun e jetës, i cili kishte prejardhje nga Shkupi. Merita punon në RTVM, Programi në gjuhën shqipe, ku udhëhoqi emisionin “Event”, duke realizuar mbi 700 intervista, ndërsa vazhdon punën me emisione dokumentare, duke mos lënë anash dhe aktrimin. Është nderuar me çmime ndërkombëtare.

KOHA: Korça u bë qendër e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare. Kështu në vitin 1887 u hap shkolla e parë fillore në gjuhë shqipe, ndërsa po në Korçë, në vitin 1891, u hap shkolla e parë për vajza nga familja Qiriazi. Ju vetë vini nga ky qytet. Na tregoni fëmijërinë tuaj dhe cila ishte rruga juaj e arsimimit?

ÇOÇOLI: Fëmijëria ime është si shumica e fëmijëve që u lindëm dhe u rritëm në rrethana të përbashkëta të një sistemi totalitar. U linda në një qytezë, 9 km larg Korçës, që quhet Maliq. Një qytet i ri, i vogël dhe i bukur, me parqe dhe shatërvanë, me shtëpi në formë vilash të ndërtuar në kuadrate të rregullta. Banorët ishin që të gjithë të ardhur, nga e gjithë Shqipëria, kryesisht intelektualë, specialistë dhe nëpunës, të cilët administronin qendrën e një kompleksi industrial ushqimor, ku prodhimi kryesor ishte sheqeri. Mijëra punëtorë vinin nga Korça dhe fshatrat përreth çdo ditë dhe punonin me turne 24 orë. Prindërit e mi, babai nga Korça dhe mamaja nga Tirana, punonin në klinikën e Maliqit, babai mjek i përgjithshëm dhe mamaja laborante e analizave të gjakut. Në apartamentin tonë kishim një dhomë më tepër se të tjerët, që përdorej për rastet urgjente të pacientëve. Unë, motrat dhe vëllai ynë u rritëm me ritmin e turneve të fabrikave dhe me të trokiturat në derë të pacientëve të babait gjatë natës. Jemi rritur me uniformën e çerdhes, pastaj me uniformën e kopshtit të fëmijëve, të cilat ishin me lule të vogla dhe më vonë me uniformën e shkollës fillore që ishte kryesisht e bardhë, ndërsa në gjimnaz me përparëse të zezë me jakë të bardhë. Kur u rritëm veshëm edhe uniformën ushtarake, nga një muaj në vit ishte e detyrueshme për djemtë dhe vajzat. Babai dhe mamaja gjithmonë me uniformën e bardhë të shëndetësisë. Paralel me mësimet merresha edhe me aktivitete kulturore, luaja edhe në teatrin që bënim në gjimnaz. Përgjithësisht isha e gëzuar, tregonim barsoleta, qeshnim dhe këndonim, vetëm kur vinte puna tek mësimet mbylleshim me orë të tëra. Sistemi shkollës ishte i fortë dhe pa mesatare të lartë të notave nuk mund të vazhdoje studimet universitare. Gjatë fëmijërisë time ndikim të madh patën vajtjet e shpeshta në shtëpinë e gjyshit në Tiranë. Shtëpia e gjyshit tim, e cila ndodhej afër bllokut të Enver Hoxhës, thyente konceptet e provincës që me sa duket ndikoi në ambiciet e mija për rrugë të pa shkelura. Veç kësaj shumica e mureve në shtëpinë gjyshit ishin bibliotekë me libra në gjuhët kryesore të Evropës, sepse babai i mamasë kish mbaruar studimet Universitare dhe pas universitare në Pragë. Me tezen time të vogël shikonim librat me përralla nga folklori botëror të ilustruara me fotografi të mrekullueshme, gjë që nuk ekzistonte në botimet e Shqipërisë. Edhe në shtëpinë tonë në Maliq kishim shumë libra, por libra mjekësorë dhe veprat voluminoze të Enver Hoxhës. Babi im ishte komunist. Më vonë atë e përjashtuan nga partia, meqë kritikoi organizatën bazë të partisë, bile e dënuan të punonte disa vjet në një fshat aty afër. Figura e Enver Hoxhës ishte shumë e pranishme në jetët tona si fëmijë. Në ballin e dhomës të ndenjes ishte fotografia e Enverit. Të njëjtën foto e kishim edhe nëpër klasa, edhe në Universitet edhe në sallën e provave në Teatër, 30 vjet rresht. Veç fotos, ne kishim edhe një faqe muri me veprat e tij, të cilat nuk i lexuam asnjëherë (me gjithë insistimin e prindërve), përveç ndonjë rreshti që duhet ta citonim në orën e Historisë së Partisë. Mbrëmjet tona na i zbukuronte mamaja e cila na lexonte përralla të moçme shqiptare dhe tregime të ndryshme nga letërsia jonë. Mbaj mënd tregimin e Nonda Bulkës, “Nënë dhe bir”, që më bënte të qaja sa here na i lexonte mamaja, e cila edhe e interpretonte nga pak. Ajo e kishte pasion letërsinë, vazhdon të lexojë edhe sot, në moshën 78 vjeçare.

KOHA: Korça përbën një nga qendrat kulturore më të rëndësishme të Shqipërisë. Vetë muzetë e shumta në qytet, përshkruajnë aktivitetin kulturor ndër shekuj?

ÇOÇOLI: Për rilindjen korçare që përmendni në pyetjen tuaj nuk flitej aq shumë. E festonim Ditën e alfabetit, e kemi festuar disa here edhe shtëpinë ku u hap shkolla e parë shqipe, në Bulevardin e Korçës dhe shkolla e vashave nga familja Qirjazi. Aktivitetet e mëdha kulturore bëheshin më 8 Nëntor, ditën kur lindi Partia Komuniste, 16 tetor, që ishte ditëlindja e Enverit, kur çdo vit vizitonim shtëpinë e Teta Poliksenit si i thoshin shtëpisë ku kishte jetuar Enver Hoxha në rininë e tij, kur ishte profesor në Liceun Francez të Korçës. Festonim, Vitin e Ri dhe 5 Majin, ditën e dëshmorëve. Festë të veçantë për rilindjen korçare nuk kishte dhe as për krahinën e parë të pavarur shqiptare që ishte krahina e Korçës e themeluar nga Themistokli Gërmenji, e që njihet si shteti i parë shqiptar. Ndërsa për aktivitetet e njohura kulturore të korçarëve ndër shekuj, si karnavalet, apo festa të tjera për të cilën korçarët dalloheshin, as që bëhej fjalë. Doktrina me të cilën u edukuam në sistemin tonë arsimor dhe kulturor, epoka shqiptare fillonte dhe mbaronte me partinë komuniste. Këngët qytetare korçare ishin gati të ndaluara, sepse tekstet e tyre nuk ishin për partinë, mund edhe të dënoheshe. Këngëtari i madh korçar Sherif Merdani, u dënua me 16 vjet burg për agjitacion dhe propagandë vetëm se këndoi një këngë për nënën ku në asnjë varg nuk përmendej partia. Diktatura në Shqipëri nuk ishte e ngjashme me asnjë nga vendet e tjera të lindjes ndoshta edhe të botës, siç thotë Kadareja, ajo ishte diktatura më e egër që ka parë historia. Në rrugë të ndryshme dhe të ndaluara, duke rrezikuar, ne i mësuam disa gjëra. Lexonim letërsi të ndaluar dhe na lumturonte përfytyrimi për botën jo komuniste. Ju tregova se në shtëpinë e gjyshit kishte mjaft libra të ndaluara, ose siç thuhej, libra të verdhë, të mbetura para revolucionit socialist, si Dostojevski, apo autorët e tjerë të klasikës evropiane dhe asaj botërore, të cilat ne nuk i mbanim të ekspozuara në bibliotekë, por i fshinim nga pas, librave të realizmit socialist. Kishte edhe libra shqip të ndaluara, si Foqon Postoli, Lasgushi ishte i reduktuar, Migjeni gjithashtu, ndërsa në mësimin e letërsisë shahej Patër Gjergj Fishta, si autor reaksionar.

KOHA: Edhe pse ndër vite qyteti ka qenë i pushtuar disa herë, ndikimet e huaja përbejnë një pjesë të vogël te kulturës korçare?

ÇOÇOLI: Në Korçë në përgjithësi nuk ka ndikime të huaja kulturore. Korçarët janë fanatikë dhe lokalistë, pëlqejnë dhe shijojnë kryesisht atë që është korçare. Ata janë martirizuar për të ruajtur fenë, traditën, gjuhën. E dimë të gjithë shqiptarët historinë e Petro Nini Luarasit, mësuesin e parë që dha mësim në shkollën shqipe. Turqit në bashkëpunim me grekët e futën të gjallë në një gropë me gëlqere. Apo rasti i Voskopojës, një qytet i madh afër Korçës, i cili nuk ekziston më, sepse u dogj i gjithi gjatë kohës së perandorisë osmane, me të 20 kishat e vjetra shqiptare, meqë banorët nuk pranuan të ndërronin fenë ortodokse. Nga fqinjët armiq nuk mund të kesh ndikime kulturore, edhe pse do ishte mirë që me fqinjët të ishim miq, por ja që luftërat dhe pretendimet territoriale të fqinjit lenë gjurmë dhe hasmëri të vjetra. Tani në pluralizëm kur u lejua rihapja e kulteve fetare, në kishat dhe xhamitë e Korçës flitet shqip. Ka plot martesa midis korçarëve me fe te ndryshme. Unë e kam babanë ortodoks dhe mamanë bektashi. Feja nuk është parësore te ne. Kultura korçare ka qenë gjithmonë e lidhur me patriotizmin. Korçarët dinë të flasin vetëm shqip, me përjashtim të disa fshatrave të vogla në kufi me Maqedoninë që flasin shqip dhe maqedonisht, sepse janë pakicë maqedone. Pas viteve `90-të korçarët për arsye që dihen, si shumë shqiptarë të tjerë, emigruan masivisht në Greqi, sepse është shumë afër, por Korça vazhdon të mbetet po ajo.

Korça ka pasur e ka shumë vajza të bukura, por dhe aktore të bukura. Rinia është sythi i bukurisë. Bukuria e një femre qëndron te inteligjenca. Si e kujtoni rininë tuaj, Merita një vajzë e re?

ÇOÇOLI: Vërtet rinia është e bukur. Dhe Korça ka vajza të bukura dhe të mençura, nuk i ka dalë nami kot. Në skenën e Korçës jam ngjitur që kur isha pioniere 9 vjeçare, profesionalisht atje u rrita. Kaloja në bulevardin e bukur të Korçës me shkëlqimin e rinisë, mësova këngët korçare, që megjithatë këndoheshin në festat familjare. Konkurrova në degën e dramës në Universitetin e Arteve, siç quhet sot. Në fakt, nuk ishte e lehtë edhe pse isha e përkrahur, gati 10 vjet nga Korça nuk kish shkuar asnjë student për dramaturgji. Konkurrenca ishte e fortë, sepse konsiderohej si një shkollë elite. Nga rreth 1400 gjimnazistë që konkurruam, fituam vetëm 27 të drejtën e studimit. Isha me fat, sepse në një numër kaq të madh konkurrentësh kishte shumë të talentuar, që ndoshta nuk fituan. Rinia në Tiranë ishte shumë e bukur, pavarësisht nga mungesat materiale, Tirana me parqe të gjelbëruara, pa trafik makinash na ushqente me ëndrrat për të ardhmen. Vajzat e arteve ishin përgjithësisht të zgjedhura dhe të bukura, djemtë na ngacmonin rrugës duke na thërritur, ej…kinget e arteve… dhe ne ndiheshim të mikluara. Sapo mbarova u emërova aktore profesioniste në Teatrin Dramatik të Korçës. Korça atëherë kishte tre teatro profesioniste, atë të Dramës, Teatrin e Estradës dhe të Fëmijëve.

KOHA: Znj. Merita, Ju keni qenë jo vetëm pjesë e teatrit skenik, por edhe e filmave. Cila ju ka dhënë më shumë kënaqësi dhe famë, filmi apo skena e teatrit?

ÇOÇOLI: Bëra mbi 30 role të rëndësishme në Teatër dhe rreth 10 role më të vogla në filmat që prodhoheshin në Tiranë. Kisha gati çdo natë shfaqe, ndërsa në pauzat ndërmjet premierave nxitoja në Tiranë për ndonjë rol në film. Intensitet i madh i punës, por edhe kënaqësi, arti vërtet të vendos në një piedestal.

KOHA: Keni ikur nga Korça. Pse ky vendim për të ikur nga Shqipëria. A keni menduar për rikthimin. Ikja kishte të bëje për të mirën tuaj, apo për diçka krejtësisht tjetër …?

ÇOÇOLI: Pas atyre që tregova pseja është e kuptueshme, edhe pse bota që përfytyronim jashtë kufijve nuk ishte si nëpër libra. Ikja ime ka qenë krejtësisht private. Në familje nga babai dhe nga nëna nuk kemi pasur asnjë të dënuar me burg dhe as nuk kemi, edhe pse familjet e vjetra intelektuale e sidomos kuadrot që ishin shkolluar në perëndim, atëherë ishin vazhdimisht të survejuara. Dhe kish plot prej tyre që u burgosën pa bërë asgjë, jo vetëm intelektualë, por edhe të pasurit që nuk ja falnin pasurinë partisë, ose që rezistonin tu bashkoheshin kooperativave. Ata merrnin titullin kulak dhe diferencoheshin në çdo gjë, punonin punë të vështira në ndërtim, ose në bujqësi edhe pse mund të ishin inxhinierë, apo profesorë. Persekutohej e gjithë familja e gjerë, kushërinjtë etj, të cilët midis të tjerash nuk kishin të drejtën të merrnin arsim Universitar. Ne shpëtuam nga kjo gjë, me sa duket një lëvizje e mençur e gjyshit na bëri të mbijetonim. Gjyshi me prejardhje nga Vlora, nga bejlerët e mëdhenj të Vlorës, që në thirrjen e parë për kolektivizim fali pasurinë e vet, kryesisht plantacione të mëdha me ullinj në afërsi të bregdetit, ja fali popullit, siç thuhej. Prona që ende nuk na janë rikthyer. Pas kësaj nuk patëm ndonjë diferencim, edhe pse e dinim që survejoheshim. Gjyshi deri sa ndërroi jetë punoi në kryeministri si drejtor i Komisionit të Planit të Shtetit, profili i tij profesional ishte bankier dhe zotëronte 7 gjuhë të huaja. Ndërsa ne, unë katër motrat dhe vëllai lindëm dhe u rritëm në Maliq, ku na kishin caktuar të jetonim, me moton: atje ku ka nevojë atdheu, dhe u rritëm kryesisht si proletarë, por më pak të vëzhguar dhe më të lire. Babai ndërroi jetë në moshë të re, por na la si kujtim mirënjohjen e njerëzve, kulturën qytetare korçare dhe varfërinë, por kjo e fundit nuk na bënte shumë përshtypje, sepse ishim të gjithë gati njësoj. Na la kujtim gjithashtu festën e pashkëve që e festonim fshehurazi me hallën e cila na ngjyroste vezët e kuqe, që pasi i hanim në ditën e pashkëve i zhduknim guaskat se mos na merrnin vesh fqinjët. Ndërsa mamaja na përgatiste ashuren e bektashinjve në ditën e ashures. I them për here të parë këto gjëra, sepse ti më ngacmove kujtimet.

KOHA: Vendlindja është vetëm një, ashtu sikurse nëna?

ÇOÇOLI: Vërtet vendlindja është vetëm një, ashtu si nëna që është një dhe vetëm një, por ja që për arsye që nuk varen prej teje një vjen momenti që duhet ti lesh të gjitha dashuritë dhe të largohesh, njeriu lufton gjithmonë për një jetë më të mire. Dalja ime e parë ishte në Stamboll, ku së bashku me këngëtaren e njohur nga Korça, Ermira Babaliun dhe të shoqin që i binte kitarës, u munduam të organizonim një program artistik, për një shoqatë shqiptarësh që ndodhej në Stamboll. Por, atje nuk i njihnin këngët korçare dhe as poezitë e Lasgushit që ne i kishim menduar në programin tonë. Gjithsesi na mirëpritën dhe na akomoduan sa kohë qëndruam në Stamboll. Atje njoha tim shoq. Më tregoi se ishte nga Shkupi. Ndërsa unë i tregova për Shqipërinë, të cilën ai e idealizonte. Ishte vjeshta e vitit 1990 dhe akoma nuk kishte informacion për atë që po ndodhte në Shqipëri. Ai dhe miqtë e tij u zhgënjyen kur ne ju treguam se nuk ishim ashtu si mendonin ata, të lumtur në atdheun tonë. Për arsye shumë konkrete, të ekzistencës. Treguam për zinë e bukës dhe për vitet e kaluara në radhët e gjata për të siguruar një bukë, apo ushqime të tjera të pamjaftueshme për të jetuar. Ky pra ishte kontakti im i parë me botën. Në Stamboll hëngra për herë të parë banane…U kthyem në Shqipëri me Ermirën dhe të shoqin.

KOHA: Na e përshkruani udhën tuaj të largimit nga vendlindja.

ÇOÇOLI: Me tim shoq (atëherë e kisha vetëm shok), mbajtëm një miqësi nëpërmjet telefonave. Një ditë, ai më propozoi të marr vëllanë dhe të largohem nga Shqipëria. Ishte i gatshëm të na priste në çdo shtet ku mund të siguronim një vizë. Ndërkohë lajmet e gjithë botës tregonin lajme rrëqethëse nga Shqipëria, për shpërthimin e ambasadave në Shqipëri, vaporët e stërmbushur me emigrantë që rrëmbeheshin në portet e Shqipërisë dhe zbarkonin në bregdetin Italian, emigrantë që kërkonin strehim ekonomik dhe politik. Propozimi i Naipit, kështu quhet ai, ndryshoi krejtësisht jetën time. Përkrahja e tij në atë kohë ishte si dielli që del papritur në mes të furtunës, të gjithë donim të iknin, pa pyetur për formën se si. Vëllai im ishte ushtar në kufirin me Jugosllavinë dhe unë nuk mund ta merrja me vete. Asaj kohe rrija më shumë në Tiranë meqë luaja në disa filma të njëpasnjëshëm. Disa miq më ndihmuan të marr një vizë hungareze dhe u nisa vetëm, përgjithmonë. Një mbrëmje para se të nisesha shpërtheu lëvizja studentore. Nga ballkoni i shtëpisë së motrës në Tiranë nga Qyteti i studentëve dëgjoheshin thirrjet Liri- Demokraci. Ushtarë të armatosur nëpër rrugë, shtetrrethim në qytetin e studentëve ku ishin ngujuar studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës. Po atë mbrëmje Radio Tirana dha lajmin se shkrimtari Ismail Kadare kërkoi strehim politik në Francë…U nisa të nesërmen në mëngjes. Ishte data 28 dhjetor 1990. Daja me mamanë më përcollën në aeroport. Mes lotëve mamaja më tha, mos e kthe kokën mbrapa, ai djali që të ka ftuar më duket djalë i mirë, martohu me të. Avioni ishte i stërmbushur me shqiptare qe kishin marre rrugën pa kthim, si puna ime. U organizuam dhe u akomoduam në një hotel të lirë, prej nga i telefonova Naipit dhe i tregova adresën. Ai me tha se do vinte të nesërmen. Nata që prita në Budapest ishte nata më e gjatë e jetës time, e vetme në mes të botës së panjohur, po sikur të mos vinte…, në xhep kisha vetëm 60 dollarë. (Në Shqipëri 60 dollarë ishin shumë, duke menduar që rroga mujore ishte diku 7 dollarë). Naipi erdhi mbrëmjen e së nesërmes. E pashë kur hyri, në hollin e hotelit ku prisja me ankth, kish veshur pallto të zezë të gjatë, me shall mëndafshi të bardhë. M’u duk vetja si në përrallën e Hirushes. U ulëm të pimë një kafe. Nuk dija nga ta nis bisedën. Hyra drejt edhe në temë. Dëgjo, i thashë, unë nuk të njoh, por e di që ke simpati për mua, por unë nuk mund të jetoj me një burrë që nuk e kam burrë, sepse kjo nuk është në mentalitetin tim, vij nga një familje e ndershme. Nëse do jetojmë bashkë, do jetojmë vetëm të martuar, nëse nuk na pëlqen mund të ndahemi. Edhe unë vij nga një familje e ndershme, ma ktheu, jemi fshatarë por jemi me titull agallarë. Unë kam 15 vjet që nuk kam shkuar në Maqedoni, punoj në pjacën e floririt në Stamboll. Pse nuk ke shkuar, e pyeta. Sepse nuk e duroj dot shtypjen, me tha edhe ne atje jemi të shtypur. I besova, sapo kisha mbushur 30 vjet dhe besoj se nuk më mungonte pjekuria për t’i nuhatur gjërat. Martesën nuk ma zuri në gojë. Pas tre ditësh, ishte Viti i Ri, më tha: merre mamanë tënde në telefon dhe tregoi se u martova. E mora dhe ja thashë, ajo e priti lajmin e lehtësuar. Ndërsa ai mori nënën e tij në Luboten dhe i tregoi se kam gjetur një nuse Shqipërie. Nëna e tij pas një pauze foli me mua dhe më tha, mirëserdhe moj bijë, pasi të do djali im, të dua edhe unë. U akomoduam në një apartament buzë Danubit, ku jetuam disa muaj, deri sa unë mora një vizë dhe u kthyem në Stamboll, ku jetova 3 vjet e gjysmë. Dhe vërtet më deshi…Kështu ndodhi Delvina.

KOHA: Tetari është një komunikim me publikun, por në një farë mënyre edhe televizioni. Ju keni thuajse njëzet vite që punoni si gazetare në MTV2- Programi në gjuhën shqipe. Çfarë ju tërhoqi kaq shumë televizioni?

ÇOÇOLI: Në fakt, vitet më të gjata të jetës time profesionale i kam në gazetari. Meqë e kisha pasion letërsinë dhe shkruaja nga pak. Kur erdha në Shkup, desha ta provoj. Më dukej sikur e kisha konsumuar skenën. Pastaj të dyja në thelb kanë komunikimin me publikun. Gjithmonë mbeta te gazetarja e kulturës. Në televizion erdha me mendimin të bëj dokumentarin, apo ndonjë spektakël, sepse ishin rrugë që i kisha shkelur. Mirëpo, nuk ishte edhe aq e lehtë sa e kisha menduar, edhe pse më pritën me vlerësime të mira për reportazhet e para që bëra, me caktuan ne informacion të bëja lajmet e kulturës. Më vonë paralelisht informacioneve të kulturës fillova misionin e përjavshëm “EVENT”, e fillova pas konfliktit në Maqedoni dhe e kam ndërprerë këtë vit. Pra gati 15 vjet rresht. Realizova rreth 700 emisione. Emisioni pati shikues kryesisht artdashësit e të shtatë gjinive të artit, që ishin edhe temat e ngjarjeve që përfshiheshin në emision. Kjo pjesë e jetës time profesionale ka qenë më e dukshme, sepse i tillë është televizioni, ndaj nuk po zgjatem. Se si e kam bërë punën në TV, gjykimi i mbetet publikut. Unë në përgjithësi jam natyrë këmbëngulëse dhe nuk para tërhiqem. Do të vazhdoj të punoj. Tani jam përqendruar më shumë tek dokumentari. Ndërkohë herë pas here kam luajtur edhe Teatër, në Tetovë, Korçë e këtu në Shkup, në projekte private…

KOHA: Nuk ka “sëmundje” më fisnike se sa malli për atdheun. Ku ndodhet tani familja jote? A mendon të kthehesh ndonjëherë, në Shqipëri ?

ÇOÇOLI: Më merr malli shumë, edhe për Korçën edhe për Tiranën, por familja ime është shpërndarë në tërë botën. Shqipëria nuk u bë, eksodi zgjati shumë, diku 20 vjet edhe sot ka njerëz që ikin, por në forma të tjera. Familja e babait është e gjitha në Amerikë, në Korçë nuk kam më njeri. Në Tiranë kam kushërinjtë në nga mamaja. Dajat shumica në Kanada, daja i madh doktoroi atje dhe është drejtor i Institutit të Fizikës nukleare në Toronto. Gati të gjithë janë treguar të suksesshëm në punët e tyre .Vetëm lëvdohem me ta, se kam vite që nuk i kam parë. Vëllai me të shoqen janë kontabilistë në Los Angjelos. Motrat në Itali, pranë Bolonjës, mbaruan shkollat atje dhe janë infermier në spital. Mamaja jeton bashkë me motrat në Itali. Kam edhe një motër në Izrael. Vetëm unë jam në Ballkan. Kohëve të fundit shkoj më shpesh në Shqipëri, sepse kam vendosur edhe disa lidhje pune… Shkoj me mall,vij me mall edhe më të madh. Nuk e di a do të kthehem ndonjëherë…

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të Ngjajshme