Kukësi bëhet gati për debutimin historik në Champions League, me shumë pikëpyetje mbi formacionin. Verilindorët do zbresin në fushë ndaj kampioneve të Moldavisë, Sherif Tiraspol me pretendimet për të kaluar më tej. Ndryshe nga vitet e shkuara Kukësi do të përballet në Eruopë me një kontigjent që mbylli edicionin paraardhës, por me disa ndryshime të vogla. Kështu vëmendja shkon tek spanjolli Albert Serran, qendërmbrojtësi i ardhur për të ndihmuar ekipin me eksperiencën e tij.
Së bashku me të në qendër do të jetë Ylli Shameti, që do të vendosen përpara portierit Enea Kolici. Krahët e mbrojtjes nuk ndryshojnë, me kapitenin Rrahman Hallaci në të djathtë dhe Simon Rrumbullakun në të majtë. Besar Musolli pritet të jetë diga përpara mbrojtjes me Nijaz Lenën dhe Hair Zeqirin që do të jenë disi më të avancuar. Vlonjati e njeh mirë ambientin si dhe trajnerin Ernest Gjoka, dhe përshtatja e tij me skuadrën dhe rreshtimin taktik 4-1-4-1 nuk duket të përbëjë problem.
Nëse Cale është i sigurtë në krahun e majtë, në dilemë është krahu i djathtë i mesfushës. Jean Carioca ka shfaqur probleme dhe me shumë mundësi pozicioni i tij do të mbulohet nga Sidrit Guri, shkodrani që shënoi golin e kualifikimit edicionin e shkuar në Europa League ndaj Rudarit në transfertë. Maja e sulmit i besohet formës dhe eksperiencës së Pero Pejic. Goleadori i kampionatit duhet të përsërisë vetveten edhe në europë, ashtu si një vit më parë kur shënonte 3 gola në 4 ndeshje aktivizimi. Mungesa e eksperiencës në Champions League mund të jetë një minus për Kukësin por që kompensohet nga paraqitja fantastike prej 4 sezonesh në Europa League, ku kanë qënë edhe pranë grupeve të këtij kompeticioni.