E vërteta është se Kroacia nuk mundi ta fitonte Kupën e Kupës, por disa momente mbetet të fiksuar gjithmonë në memorien e të pasionuarve pas futbollit. Një prej tyre është goli i Manxhukiçit në ndeshjen me Anglinë, që i dha kualifikimin skuadrës së tij për në finale. Gëzimi për golin ishte i jashtëzakonshëm dhe imazhet e festës kroate bënë xhiron e botës. Por fotot e tyre të para nuk është se janë bërë në një pozicion aq komod. Fotografi Yuri Cortez, i ka bërë ato shkrepje duke pasur gjysmën e lojtarëve të Kroacisë përsipër.
Kroatët deshën të festonin me tifozët e tyre dhe një nga pengesat për të shkuar në atë sektor ishte pikërisht fotografi në fjalë, i cili vazhdonte të fotografonte edhe pse i shtrirë. Lojtarët e ndihmuan të ngrihej, ndërsa Vida i dha edhe një të puthur në ballë. Por tani ka edhe një lajm tjetër të mirë për fotografin Cortez.
“CroatiaWeek” bën me dije se drejtoria kombëtare e turizmit në Kroaci ka vendosur ta ftojë fotografin Cortez me pushime për një javë bashkë me familjen e tij në vendin që e bëri pjesë të festimeve në Rusi. Është një shenjë falënderimi për fotografin, që bëri ato foto, që sot janë momentet më të lumtura të futbollit në Kroaci. Kështu, Yuri Cortez do të jetë një turist special në vendin e mrekullueshëm të Ballkanit.