Zagreb, 25 janar – Kroacia së bashku me Letoninë dhe Slloveninë shënoi rritje më të lartë të bujtjeve turistike midis vendeve nga BE-ja në vitin 2017, tregojnë të dhënat e Agjencisë Evropiane të Statistikës.
Vitin e kaluar në 28 vende nga BE-ja janë regjistruar gjithsej pak më shumë se 3,2 miliardë bujtje turistike, që është për 5,1 për qind më shumë nga një vit paraprak, përllogariti Eurostat. Me këtë rritja e tyre vazhdon nëntë vite me radhë.
Spanja në vitin 2017 e konfirmoi pozicionin udhëheqës të listës së vendeve nga BE-ja me numër më të madh të bujtjeve – gjithsej 471 milionë, 3,6 për qind më shumë nga një viti paraprak. Në vendin e dytë është Franca me 431 milionë bujtje ose 6,6 milionë bujtje më shumë nga viti 2016. Vendi i tretë i takoi Italisë me 425 milionë bujtje që i përgjigjet shkallës së rritjes prej 5,4 për qind, ndërsa i katërti Gjermania me 400 milionë bujtje turistike ose 2,7 për qind më shumë nga një vit paraprak.
Kroacia në vitin 2017 sipas Eurostatit ka regjistruar 86,1 milionë bujtje turistike prej të cilëve 80,2 milionë janë turistë të huaj, ndërsa 5,9 milionë janë turistë të vendit. Me këtë vendi është midis anëtareve të BE-së me rritje më të madhe të numrit të bujtjeve të përgjithshme turistike në vitin 2017, për 10,6 për qind. Rritje më të madhe të numrit të përgjithshëm të bujtjeve shënon Letonia për 12,0 për qind. Pason Sllovenia me 11,3 për qind.