Shkup, 28 prill – Këshilli i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë në seancën e mbajtur të enjten miratoi Raportin vjetor për vitin 2016, me ç’rast u konstatua se në vitin 2016 Banka Popullore me sukses i realizoi qëllimet e definuara ligjore. “Kursi devizor mbeti stabil, me ç’rast të gjithë treguesit për përshtatshmërinë e rezervave devizore u ruajtën në zonën e komoditetit. Lidhur me stabilitetin e çmimeve, në vitin 2016 mesatarisht u realizua ndryshim i ulët dhe i vogël negativ i çmimeve vendore, në tërësi si pasojë e çmimeve më të ulëta importuese të ushqimit dhe të energjisë, gjegjësisht faktorëve në anën e ofertës”, transmeton gazeta KOHA raportin vjetor të BPRM-së. Nga ana tjetër, inflacioni bazik u ruajt në nivel mesatar në zonën pozitive, që përkon me rikuperimin e vazhdueshëm të konsumit vendor dhe hendeku prodhues të vogël pozitiv”, theksohet në kumtesën e BPRM-së. Edhe në vitin 2016, theksohet, ekonomia e Maqedonisë rritej, me ç’rast shkalla e rritjes reale është 2,4 për qind dhe është mesatarisht më e ulët në krahasim me vitin 2015. Struktura është e ngjashme si në vitin 2015, gjegjësisht ndërtimtaria ishte sektor me kontributin më të lartë pozitiv. Në vitin 2016 deficiti i llogarisë vijuese në bilancin e pagesës u ruajt në nivel mesatar, duke mos treguar për jobaraspesha më të mëdha në sektorin e jashtëm. Saldoja negative e llogarisë vijuese nënvizoi zgjerim dhe arriti 3,1 për qind të BPV-së. me ç’rast deficiti i thelluar në të ardhurat primare dhe suficiti më i vogël në të ardhurat sekondare kanë ndikuar në zgjerimin e saldos, derisa rezultatet e përmirësuara në këmbimin e mallrave dhe shërbimeve ndikonte që ky zgjerim të mbetet mesatar. Faktorë kryesorë në përmirësim janë eksporti neto prej kapaciteteve të reja industriale, ulja e saldos energjetike negative, neto të ardhurat e rritura te më shumë kategori të shërbimeve, si dhe mungesa e presioneve më të mëdha të konsumit vendor ndaj importit. Llogaria financiare e bilancit të pagesave, shtohet, nënvizoi neto derdhje më të rëndësishme prej 6,5 për qind të BPV-së. Burim më i rëndësishëm i të ardhurave neto në llogarinë financiare paraqisnin investimet e drejtpërdrejta, të cilat arritën 3,6 për qind të BPV-së. Kontribut shtesë pati detyrimi i shtetit në tregjet ndërkombëtare financiare, përmes dhënies së euroobligimit të pestë. Këto rrjedha financiare ishin të mjaftueshme për mbulimin e deficitit në llogarinë vijuese dhe për rritjen e rezervave devizore. Më tej theksohet se pozita investuese ndërkombëtare në fund të vitit 2016 është negative, gjegjësisht mbizotërojnë obligimet, ndërsa është 5.731,6 milionë euro, ose 58,1% të BPV-së. Lirdhur me strukturën e obligimeve ndërkombëtare edhe në vitin 2016 mbizotërojnë investimet e huaja të drejtpërdrejta, si burim më stabil dhe afatgjatë i financimit. Në fund të vitit 2016, bruto borxhi i jashtëm është 7.253,2 milionë euro, ose 73,5 për qind të BPV-së, që paraqet rritje në BPV në krahasim me vitin 2015. Në përgjithësi, treguesit e detyrimit të jashtëm të ekonomisë vendore tregojnë se bruto borxhi i jashtëm ndodhet në zonë të sigurt. Në fund të vitit 2016, neto borxhi i jashtëm, si tregues plotësues për pozitën e jashtme të ekonomisë, ishte 2.669,8 milionë euro, ose 27,1 për qind të BPV-së. Në maj të vitit 2016 si përgjigje ndaj spekulimeve për stabilitetin e kursit devizor të sistemit bankar, Banka Popullore, theksohet, e shtrëngoi pilitikën monetare përmes rritjes së shkallës kryesore të interesit prej 3,25 në 4 për qind. Në fund të vitit 2016 dhe në fillim të vitit 2017, në kushte të rritjes së tepricës së likuidimit dhe qetësimit të gjendjeve në tregun depozitar, Banka Popullore u qas drejt normalizimit të politikës monetare si rezultat i stabilizimit gradual të pritjeve të subjekteve ekonomike dhe ruajtjes së mëtejme të vlerësimeve për stabilitetin e themeleve të ekonomisë vendore. Krahas rritjes së ofertës së bonove të arkave, Banka Popullore e zvogëloi shkallën e tyre të interesit në tri kthesa, me çka, shtohet, shkalla kryesore e interesit u kthye në nivelin para muajit maj të vitit 2016, gjegjësisht në 3,25 për qind. Nga Banka Popullore, theksojnë se rregullisht i ndjekin lëvizjet vijuese, rreziqet e pranishme dhe në pajtim me to, e vlerëson vendosjen e politikës monetare dhe vazhdimisht janë të gatshëm për ndërmarrjen e masave përkatëse për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit financiar në ekonomi. Deri në fund të vitit 2016, rikuperimi gradual i aktivitetit depozitar, në kombinim me mundësinë e dhënë për plasim të depoziteve devizore të bankave tek Banka popullore sipas normave më të larta të interesit, krahasuar me normat që merren nga bankat e huaja, ndikuan në drejtim të rritjes së afinitetit të bankave për investim në instrumente financiare likuide. Kështu, në vitin 2016, mjetet likuide të sistemit bankar, ceket, janë rritur për 3,5 për qind, përkundër rënies së vogël të realizuar në vitin 2015, që ka kontribuar për ruajtjen e treguesve për likuiditet në nivele të ngjashme me ati nga fundi i vitit 2015, ndërsa treguesit për likuiditet devizor të sistemit bankar madje vërejtën edhe përmirësim të caktuar. Jostabiliteti në ambientin vendor dhe turbulencat në tregun depozitar, ceket, patën efekte graduale transmetuese edhe ndaj aktivitetit kreditor të bankave. Kreditë e bankave e përfunduan vitin me rritje prej vetëm 1,2 për qind, që është realizim dukshëm më i dobët në krahasim me vitin paraprak kur ai paraqiste 9,7 për qind.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara