Serbia vazhdon të trajtohet me përkëdheli nga selia e Bashkimit Evropian duke e cilësuar atë si shumë të avancuar në rrugën e saj të reformave, si kusht për anëtarësim në BE. Ne fakt, askush nuk e mohon faktin se përpjekjet e Serbisë për të dinamizuar procesin e harmonizimit të legjislaturës së vet me atë të BE-së kanë dhënë rezultate inkurajuese, por kjo nuk mjafton për ta trajtuar me aq zemërgjerësi si një anëtare e ardhshme e familjes evropiane
Nga Emin AZEMI
Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës, Serge Brammertz, në raportin e tij të fundit në OKB, pat nënvizuar se nacionalistët në vende të ndryshme të ish-Jugosllavisë ende besojnë në pafajësinë dhe viktimizimin e tyre.
“Mesazhi i mohimit dhe revizionizmit është i zëshëm dhe i qartë,” tha Brammertz. “Ne i njohim viktimat tona, por jo tuajat. Kriminelët tuaj të luftës janë heronjtë tanë.”
Këtë shqetësim të prokurorit ndërkombëtar, këto ditë e shprehu publikisht edhe shkrimtari i shquar hebre Filip David, i cili ka kujtuar faktin se në Serbi shëtisin lirshëm mijëra kriminelë lufte. Ai ka thënë kështu duke u përgjigjur në pyetjen e gazetës “Danas” se si e komenton faktin se Serbia përmend vetëm përgjegjësinë e të tjerëve për luftërat ndërsa mohon përgjegjësitë kur bëhet fjala për veten e vet.
“Njëri nga prokurorët paraprakë për krime lufte më herët kishte deklaruar se çdo ditë nëpër rrugët tona lëvizin disa mijëra kriminelë. Ndoshta për këtë arsye atij nuk i është vazhduar mandati. Ky raport ndaj krimit dhe kriminelëve është turpi ynë që nuk mund të arsyetohet me faktin se kriminelë të padënuar ka edhe në anët tjera”, ka Filip David.
Mediat e Beogradit viteve të fundit kanë raportuar se jo pak kriminelë lufte që kanë kryer dënimet e tyre janë shndërruar në pjesëmarrës aktivë në jetën politike në Serbi falë Qeverisë dhe medias, të cilat kanë vendosur ta harrojnë atë që ata bënë dhe t’i promovojnë si heronj. Madje disa prej tyre dekorohen edhe për të “arriturat” e tyre, siç është rasti me ish-ushtarakun Vladimir Lazareviq, ish-shefi i shtabit i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave dhe ish-politikanin, Nikola Shainoviq, ish-zv/kryeministër i Jugosllavisë
Duke arsyetuar aktin e dekorimit të tyre, ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin , lavdëroi Llazareviqin për rolin e tij gjatë bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë në vitin 1999, duke theksuar se Serbia nuk ka nevojë të turpërohet më për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë në atë kohë. Vulin tha se “Koha e turpit ka kaluar. Kjo është koha për të qenë krenarë”.
Lazareviq dhe Shainoviq u dënuan nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë përkatësisht me 14 dhe 18 vjet burg për fushatën ushtarake në Kosovë që shkaktoi 11,000 shqiptarë të Kosovës të vrarë dhe rreth 700,000 të tjerë u dëbuan në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni. Nuk ishte vetëm Qeveria serbe që po shprehte krenari për “heronjtë tanë”, por edhe zyrtarë në zyrën e presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Sekretari kryesor në zyrën e Vuçiçit, Nikola Selakoviq, tha në të njëjtin tubim se është “detyrë e Serbisë të nderojë profesionalizmin” e Batalionit të Tretë të Ushtrisë Jugosllave.
Kjo nuk është hera e parë që Vulini dhe Selakoviqi kanë treguar dashamirësi ndaj kriminelëve të luftës. Në vitin 2015 ata organizuan një mikpritje prej heroi për Lazareviqin kur ai u rikthye në Serbi pasi kreu dënimin e tij.
Në një analizë të BIRN-it thuhet se kriminelët e luftës në Serbi nuk gëzojnë vetëm mbështetjen e ministrave dhe zyrtarëve të tjerë, por gjithashtu edhe të medias. Pavarësisht detyrimeve të tyre për kodin e etikës, media serbe rrallë përmendin të kaluarën e të dënuarve nga Gjykata e Hagës. Edhe pse shumë prej tyre janë shfaqur në televizion apo shtyp gjatë viteve të fundit, e rrallë është media që përmend të kaluarën e tyre kriminale dhe në vend të kësaj i prezanton ata si analistë, ish-gjeneralë ose këshilltarë. Kur veprat e kryera nga kriminelët e luftës, si Vladimir Lazareviq dhe Nikola Shainoviq, nuk përmenden në arenën publike dhe ata risillen si heronj, është e qartë se problemet serioze vazhdojnë.
Edhe kryeprokurori i Gjykatës së Hagës Serge Brammertz në raportin e tij të fundit në OKB nënvizoi se nacionalistët në vende të ndryshme të ish-Jugosllavisë ende besojnë në pafajësinë dhe viktimizimin e tyre.
“Mesazhi i mohimit dhe revizionizmit është i zëshëm dhe i qartë”, tha Brammertz. “Ne i njohim viktimat tona, por jo tuajat. Kriminelët tuaj të luftës janë heronjtë tanë”.
Zyrtarët e lartë në Bruksel a thua i lexojnë mediat dhe ai dëgjojnë intelektualët e pavarur se çfarë shqetësime shprehin lidhur me kriminalizimin e shoqërisë serbe, e cila ende nuk po arrin të dekriminalizohet dhe të lirohet nga sindromi i (pa)fajësisë për krimet e kryera ndaj popujve të tjerë. Serbia vazhdon të trajtohet me përkëdheli nga selia e Bashkimit Evropian duke e cilësuar atë si shumë të avancuar në rrugën e saj të reformave, si kusht për anëtarësim në BE. Ne fakt, askush nuk e mohon faktin se përpjekjet e Serbisë për të dinamizuar procesin e harmonizimit të legjislaturës së vet me atë të BE-së kanë dhënë rezultate inkurajuese, por kjo nuk mjafton për ta trajtuar me aq zemërgjerësi si një anëtare e ardhshme e familjes europiane. Serbia ka nxitur disa luftëra kundër popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë, kurse shumë prej politikanëve serbë që dikur ishin në istikamet e atyre luftërave, sot iu shesin lirë buzëqeshje diplomatëve në Bruksel. Europa mund të bëhet shtëpi e përbashkët e popujve, por ajo asnjëherë nuk do të mund të jetë imune nga piromanët që inicuan luftëra botërore. (koha.mk)