Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, gjegjësisht punonjësit shëndetësorë në Republikën e Kosovës sot shpallën grevë të përgjithshme 24 orëshe në gjitha institucionet shëndetësore të Republikës së Kosovës. Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë sot ka filluar greva 24 orëshe e punonjësve shëndetësorë, e cila sipas Dr. Blerim Syles, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë është duke u zhvilluar në të gjitha qendrat shëndetësore në Kosovë.
“Arsyeja e grevës është rritja e mirëqenies së punëtorëve shëndetësorë që nënkupton rritjen e pagave, pastaj ligji i pagave që do të thotë që punëtorët shëndetësorë duhet ta marrin vendin e vet të merituar në shoqëri. Kërkesa tjetër është rrezikshmëria si dhe kushtet e punës me të cilat ne ballafaqohemi jo vetëm ne por edhe populli”, tha Dr. Syla në një deklaratë për AA. Duke shprehur se Qeveria duhet të paktën të tregojë kohën dhe afatin se kur duhet të fillohet zgjidhja e këtyre problemeve, Dr. Syla tha se “Greva do të vazhdojë sot 24 orë. Do të presim disa ditë në qoftë se reflekton Qeveria, nëse jo atëherë do të mblidhet Këshilli Drejtues dhe do të merren masat të cilat nuk do të jenë të lehta”. Ai po ashtu bëri të ditur se shërbimet në emergjencë janë duke punuar dhe se populli nuk do të pësojë nga kjo grevë.
“Unë do të kisha pasur dëshirë ta falënderoj popullin se sot siç po e shihni në krahasim me ditët tjera duket thuajse është ditë e diel dhe populli e ka kuptuar mesazhin tonë dhe nuk po bën presion tek ne. Unë falënderoj popullin për këtë gjë, ndërsa garantoj që shërbimet emergjente do të merren dhe nuk do të pësojë askush nga ky qëndrim”, tha Syla. Ndërkaq Ministria e Shëndetësisë në një komunikatë për media e ka cilësuar si të panevojshme mbajtjen e kësaj greve, duke theksuar se shumica e çështjeve të ngritura nga kjo sindikatë janë diskutuar, sqaruar dhe zgjidhur në takimin e përbashkët të mbajtur në mars në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Siç dihet tashmë, projekt-ligji për pagat është tërhequr nga procedura e dërgimit në Kuvend nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe deri në një procedim tjetër, palët e interesuara do të kenë mundësi të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të avokojnë për zgjidhjet më të përshtatshme për të gjitha kategoritë, përfshirë këtu edhe punonjësit shëndetësorë”, thuhet në komunikatë nga MSH. Kurse lidhur me kërkesën për ngritjen e pagës për profesionistët shëndetësorë, MSH bën të ditur se kjo çështje është në përgjegjësi të Qeverisë së vendit dhe se ajo e ka bërë të ditur se në muajt në vijim do të bisedojë me partnerët social për mundësinë e ngritjes së pagave në të gjithë sektorët në varësi nga ngritja ekonomike në vend. Ndryshe, në fund të muajit të mars punonjësit shëndetësorë mbajtën një protestë paralajmëruese para të gjitha institucioneve shëndetësore. Kjo protestë paralajmëruese e cila ishte mbajtur më 29 mars zgjati një orë, duke filluar nga ora 08:00 deri në ora 09:00.