Zejnulla VESELI
Shkup, 17 shkurt – Shtetet në rajon me përjashtim të Kroacisë dhe Sllovenisë, kanë dallime të vogla në nivelin e pagave mesatare dhe minimale që ju paguhen punëtorëve. Kosova me pagat minimale prej 130 euro për moshën nën 35 vjeç dhe 170 euro për moshën mbi 35 vjeç ka pagat minimale më të ulëta në rajon, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër , të dhënat tregojnë se Shqipëria me 300 euro neto ka pagën më të ulët mesatare ndër shtetet e rajonit.
Paga minimale në Maqedoni është 196 euro , ndërsa rroga mesatare e paguar në muajin nëntor ishte 23.196 denarë apo 378 euro. Sipas statistikës së Drejtorisë për të ardhura publike në muajin shtator në Maqedoni 88.000 qytetarë kanë fituar pagën minimale prej 12 mijë denarë.
Sipas analizave të Organizatës së punëdhënësve të Maqedonisë, me ndryshimet e fundit të ligjit për pagë minimale që sollën rritjen e dukshme të saj, nëse sipas dispozitave ligjore në vitin 2012, lartësia e pagës minimale përcaktohej në afër 39.6 për qind të pagës mesatare neto të realizuar në vitin paraprak, tani vlera e pagës minimale është afër 53 për qind e pagës mesatare të realizuar një vit më parë. Ekzekutivi i ri ka premtuar se deri në fund të mandatit apo deri në vitin 2020, paga minimale do të rritet në 16 mijë denarë, ndërsa ajo mesatare në 30 mijë denarë. Ekonomistët thonë se me rritje më të madhe ekonomike dhe investime më të mëdha që nënkuptojnë edhe hapjen e vendeve të punë mund të arrihet një objektiv i tillë ambicioz.
Sipas analizave të Institutit Finance Think, paga minimale deri në vitin 2020 mund të tejkalojë 13 mijë denarë , ndërsa ajo mesatare të arrijë 26.500 denarë. “ Nëse kemi rritje të përshpejtuar ekonomike dhe investime që do të nxisin këtë rritje ekonomike, atëherë mund të presim rritje të pagës mesatare edhe mbi shumën e lartë përmendur. Megjithatë 30 mijë denarë pagë është e mundur, por duhet të shohim se si politikat ekonomike që do të ndërmerren do të pasqyrohen ndaj ekonomisë në përgjithësi. Kjo është e mundur, por nën supozime të caktuara se rritja ekonomike do të jetë më e lartë dhe nëse politikat ekonomike e nxisin biznesin të investojë më shumë” thonë nga të Instituti Finance Think.
Nga ana tjetër, qytetarët e Kosovës për punën që bëjnë paguhen mesatarisht 400 dhe 500 euro. Kjo sipas raportit që ka nxjerrë Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), për anketën e fuqisë punëtore. Paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është mbi 420 euro në muaj, derisa, ndërsa sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro.
Paga mesatare në Shqipëri për të punësuarit në sektorin shtetëror në vitin 2017 , ishte 60 mijë lekë apo 448 euro bruto . Sipas statistikës zyrtare apo INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë sipas grup-profesioneve dhe gjinisë në fund të vitit 2016 ishte 45,845 lekë, që është 342 euro bruto apo afër 300 euro neto. Prej muajit maj të vitit të kaluar në Shqipëri, paga minimale mujore për punonjësit, është 24,000 lekë apo 179 euro dhe është rritur vitin e kaluar për 2000 lekë.
Në ndërkohë, paga minimale e caktuar me vendim të Qeverisë së Kosovës në vitin 2011, nuk ka ndryshuar që nga ajo kohë, përkundër shtrenjtimit të jetesës në vitet e kaluara . Paga minimale në Kosovë ka mbetur 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç. Në fillim të këtij viti , Këshilli Ekonomik Social i ka propozuar Qeverisë së Kosovës rritjen e pagës minimale, nga 130 dhe 170 euro sa ka qenë deri tani, në 250 euro. Palët që arritën marrëveshjen, shprehen të gatshme të punojnë për zbatimin e saj. Paga minimale në Kosovë mund të rritet në 250 euro, nëse propozimi i Këshillit Ekonomik-Social miratohet nga Qeveria.
Ndryshe, paga mesatare në Mal të Zi është 510 euro , ndërsa ajo minimale është 193 euro , që si vlera janë mbi mesataren e shteteve të tjera të rajonit. Në Bosnje dhe Hercegovinë paga minimale është 208 euro, ndërsa mesatare është 438 euro. Në Serbi paga minimale është 213 euro, ndërsa paga mesatare është 403 euro. Paga mesatare në Kroaci është 812 euro , ndërsa minimale është 366 euro, ndërsa në Slloveni paga minimale është 614 euro, ndërsa paga mesatare është 1.151 euro. (koha.mk)