Shkup, 3 dhjetor – Lëvizja BESA në bashkëpunim me ekspertë të njohur nga Sllovenia, ka përgatitur një Platformë për zhvillim të qëndrueshëm të rajoneve perëndimore të Republikës së Maqedonisë, në kuadër të cilës është Programi për zhvillim rajonal i quajtur “KORAB 2025”. Kështu sot ka thënë kryetari i BESËS, Bilall Kasami, sipas të cilit, qëllimi i kësaj Platforme është ringjallje turistike të kësaj pjesë të Maqedonisë, “sepse potenciali i saj deri më tani për shkaqe të sqarueshme nuk është shfrytëzuar sa duhet”. Kasami para gazetarëve tha se në këtë rajon gjenden viset ndër më të bukurat në Ballkan dhe Evropë, jo vetëm për zhvillim të turizmit dimëror, por gjatë gjithë stinëve të vitit. “Ngjashmëria me viset turistike të Sllovenisë është aq e madhe, prandaj edhe kemi vendosur që të shfrytëzojmë përvojat e këtij shteti mik, për përgatitje të platformës. Kjo platformë është më seriozja që është përgatitur deri tani. Ne tashmë kemi gjetur edhe investitorët, të cilët janë të gatshëm të fillojnë me punime sapo të ndodhin ndryshimet në zgjedhjet e 11 dhjetorit, zgjedhje pas të cilave do të formohet një qeveri serioze, e cila do të jetë partner e jo reketuese e investitorë të huaj. Maqedonia posedon të gjitha kapacitetet e nevojshme për tu bërë qendër e turizmit dimëror në Ballkan, sepse në asnjë vend tjetër të Ballkanit, e ndoshta edhe Evropës, nuk ka qendra turistike dimërore aq afër aeroporteve, sa gjenden qendrat turistike në Maqedoni afër aeroportit të Shkupit dhe të Ohrit”, tha Kasami, duke shtuar se kjo është një përparësi e cila krijon parakushte për tërheqje të turistëve jo vetëm nga vendet përreth, por edhe nga mbarë Evropa, sepse turisti nga shteti më i largët evropian për maksimum gjashtë orë mund të arrijë nga qyteti i tij dhe të akomodohet në një qendër turizmi në Maqedoni. “Duke pasur parasysh faktin se komponenti i një strategjie është pjesë e saj ekzekutive, është e nevojshme që në fazën e krijimit të një koalicioni të projektit, si dhe gjatë projektimit të vetë strategjisë, për të njohur dhe për të vendosur një bosht kryesor të pjesës ekzekutive te programit të zhvillimit . Projektet janë të përqendruar në mënyrë të qartë në një grup sistematik të aktiviteteve, te projektuara sipas prioriteteve dhe rezultateve: – mundësitë për ngritjen për punësim, si dhe rritjen ekonomike në qytete dhe rajon, – Qëllime , synimet dhe treguesit e duhur, – ndërhyrjet e balancuar dhe te planifikuara në mjedis, duke marrë parasysh kriteret e ruajtjes se natyrës dhe baza të qëndrueshme të ndërtimit, – lidhjet Interurbane, rajonale dhe ndërkombëtare, – Zhvillimin e qëndrueshëm të ofertës turistike”, përfundoi Kasami. Platforma për zhvillim të qëndrueshëm të rajoneve perëndimore të Republikës së Maqedonisë është përgatitur nga instituti ARTIFUTURE – International Institute for Human Space nga Maribori i Sllovenisë.