Është ora 8:30 në mëngjes dhe punonjësit muskulozë po shkarkojnë kamionët plot me kuti ku shkruhet ‘e brishtë’ dhe ku gjenden veshje të mbështjella me letra të “Koleksionit të Ri, 2017 të cilat po çohen në qendrën e ekspozimit. Femra të reja me minifunde dhe taka po nxitojnë të organizojnë gjërat. Por kur bien kambanat e kishës dhe dyert hapen, ne hyjmë në atë që disa mund ta mendojnë si versionin e parajsës për një prift, të mbushur me statuja të Shën Mërisë, çdolloj të mundshëm spërkatësi uji të shenjtë dhe koleksionin më të fundit të veladonëve dhe tunikave.
Çdo dy vjet, kleri katolik nga të katërtat anë të botës vjen në Viçenca për të blerë furnizime kishe, për të mësuar si të përmbushin liturgjinë ose thjesht për të rinovuar gardërobën. At Paskuale ka udhëtuar 13 orë me tren nga famullia e tij në Kalabri për të parë trendet e reja të mallit të shenjtë. Me një bllok të vogël dhe një kamera ai viziton panairin prej 15.000 metrash katrorë duke bërë foto me shpejtësi. Ai nuk ka shumë kohë, duhet të kapë trenin për t’u kthyer në shtëpi brenda pak orësh për të raportuar te priftërinjtë vendas. “Nuk do ta humbisja këtë panair për asgjë në botë”, thotë ai.
“Është paksa e bezdisshme, sepse kaloj më shumë kohë në një tren, por është e rëndësishme për ne priftërinjtë modest në Italinë Jugore, që të shohim si zhvillohet kisha katolike, çfarë ka të re për nga teknologjia dhe çfarë i bën jetët tona më të thjeshta. Gjithashtu kontrollojmë se çfarë veshin priftërinjtë nga qytetet e mëdha dhe si e bëjnë liturgjinë. Të tjera famulli në Kalabri kontribuuan për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit të tij dhe ai përpiqet të marrë më të mirën. At Paskuale papritur ndalon dhe endet përpara një stende që shfaq veshje në blu të çelët të zbukuruara me kadife mëndafshi dhe stampime të petëzave të arit, sytë e tij mbushen me magjepsje dhe gëzim. Ai zgjat dorën për të ndier pëlhurën me gishtërinjtë e tij dhe këndon nën zë i lumtur. “Ju keni Armani, Gucci ose Prada”, thotë ai.
“Ky është versioni ynë i modës elitare”. Stenda i përket familjes Bianchetti, furnizuesit më të madh italian të veshjeve kishtare. Drejtuesja e kompanisë, Elisabetta Bianchetti, personalisht stilon dhe prodhon çdo veshje të koleksionit. “Përgjatë viteve kemi prodhuar veshje për tre papë: Gjon Palin II, Benediktin XVI dhe tani Papa Françeskun”, thotë ajo. Ndërkohë, vajza e saj i prezanton at Paskuales koleksionin 2017, që është frymëzuar nga moda e viteve 1960. “Ne jemi gjithnjë në kërkim të frymëzimeve të reja që e çojnë modën e shenjtë përpara”, thotë ajo.
Veshjet klerikale në Itali përbëjnë një biznes prej 27.4 milionë dollarësh në vit, por veshjet Bianchetti nuk i përputhen çdo buxheti për një tunikë që varion nga 600 deri në 2000 dollarë. Bianchetti thonë se mbathin ‘klerikët më të lartë kudo në botë’, të cilët duan një kombinim të traditës dhe modës origjinale italiane. Gjatë turit të tij, atë Paskuale ndalon disa herë në një stendë që shet qirinj. “Ata duken si qirinj normalë nga larg dhe janë të bëra nga dylli, por për çudi ndizen nga elektriciteti”, thotë ai. Prodhuesi Danilo De Gaspari e mendoi këtë gjë për famullinë e tij pranë Milanos disa vite më parë dhe tani po e eksporton këtë produkt kudo në botë, edhe në shtete si India dhe Brazili.
“Kishat nëpër Itali janë shumë të vjetra dhe zjarri përfaqëson një rrezik për adhuruesit. Ne na lindi ideja e një qiriu dylli me dritë LED brenda. Kur fut monedhën në makineri, drita LED ndizet dhe një magnet i vogël e bën një përbërës plastik në formë zjarri të ndizet. Famullitë kursejnë para dhe gjithashtu eliminojnë rrezikun nga zjarri. Atë Paskuale është i impresionuar, por jo plotësisht i bindur. “Më pëlqen ndezja e qiriut nga vetë unë për të qenë i ndershëm”, thotë ai.
Të tjerë, nga India dhe SHBA-ja po bëjnë porosi. “Ne mund ta vëmë kohëmatësin e qirinjve në 20 sekonda që famullia në qytetin tim të bëjë disa para prej kësaj dhe që më së fundmi të përballojmë rinovimin e ndërtesës”, thotë Labham Sogani, një tregtar që viziton nga Delhi. Në përgjithësi, biznesi i mallrave fetarë në Itali vlerësohet të jetë diku te 5.2 miliardë dollarë, më shumë se fitimet e vendit nga eksportimi i verës. Dhe një ‘jubile e jashtëzakonshme’ njëvjeçare e lajmëruar nga Papa Françesk, e cila do të fillojë në dhjetor, pritet të ofrojë mundësi zhvillimi më tej.