Deklarata e ministrit grek të Mbrojtjes një ditë më parë se “çështja çame është më shumë sajesë historike se sa e vërtetë”, ka ngjallur shumë polemika në politikën shqiptare. Mes shumë reagimeve dhe komenteve ka mbajtur qëndrimin e saj edhe ministrja e Mbrojtjes shqiptare, Mimi Kodheli, deklaron se ka ikur koha kur politikanë me uniformë ushtarake kërkon të ngrejë fantazma të së shkuarës. “NATO u krijua për të bashkuar vendet demokratike të hemisferës veriore përballë çdo rreziku totalitar. Por sot e kam të vështirë të kuptoj pse ndonjë politikan në Ballkan, vesh uniformë ushtarake dhe përpiqet të ngrejë fantazma të së shkuarës. Kanë ikur kohët e satrapëve”, shkruan ajo në një postim në “Facebook”. Në fund të komentit, si për të qetësuar situatën dhe për të mos e ndezur atë, Kodheli shkruan në anglisht: “Give peace a chance” (Jepini paqes një shans). Një ditë më parë për shtypin grek, Kamenos foli prerë duke thënë se “Greqia nuk mund të pranojë sfida dhe referenca që ndikojnë në historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”. Duke u ndaluar në deklaratat e fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilat u pasuan me retorika jo shumë paqësore mes palëve, ai i quajti ato sajesa antihistorike. “Këto sajesa sjellin përsëri në kujtesën tonë bashkëpunëtorët e nazistëve. Ata ishin në anën e mundur në luftë. Ne nuk do të pranojmë sfida të tilla dhe nuk do të pranojmë raporte të tilla, të cilat dëmtojnë historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”.