Manchester United dhe Liverpool u ndanë me një barazim 1-1 në derbin e javës së 21-të në Premier League. Por, para ndeshjes, “Mirror” në fillim e të tjerat më pas, i kushtuan një lajm “klonit” shqiptar të Zlatan Ibrahimovic, i cili ishte duke e pritur atë të shtunën mbrëma jashtë hotelit Lowry, për ta takuar. “Fotokopja” i gjigandit suedez mësohet se është shqiptari Ahmet Murina, i cili në një intervistë në vitin 2016 kishte zbuluar se shumë qytetarë e ndalojnë atë për fotografi, duke e marrë për kampionin e shumëfishtë në disa liga elitare të Europës.
Ëndrra e tij është që një ditë ta takojë Ibran, ndaj kishte udhëtuar edhe për të parë ndeshjen e sipërcituar, por nuk ia doli të shtrëngonte duart, apo të bënte një foto me “binjakun” e vet. Pra, Zlatan Ibrahimovic ka edhe një sozi të vetën. Edhe ai është futbollist, por luan në nivele amatore në Zvicër. Në fakt, bëhet fjalë për një shqiptar të Kosovës, i lindur më 23 janar 1987 në Kamenicë dhe i zhvendosur në shtetin helvet. Ai quhet Ahmet Murina dhe aktualisht luan me skuadrën e FC Töss.