Pas plagosjes me armë zjarri të një punonjëse në marketi “Kipper” në rrugën “Kemal Sejfullah” në Çair të Shkupit, autoritet e kësaj komune kanë kërkuar shtimin e forcave policore në orët e vona të mbrëmjes
Zejnulla VESELI
Shkup, 18 prill – Pas incidentit të fundit më armë zjarri që ndodhi ditën e premte, ku mbeti e plagosur një vajze e punësuar në marketin “Kipper” , Komuna e Çairit ka kërkuar shtimin e patrullave policore në orët e vona të mbrëmjes, ndërkohë që ka insistuar që organet kompetente urgjentisht të zbulojnë autorët e të gjitha rasteve që kanë ndodhur muajt e fundit në territorin e komunës së Çairit, shkruan gazeta KOHA.
Edhe pse nga komuna thonë se institucion përgjegjës për të bërë inspektimin dhe parandalimin e kriminalitetit në territorin e komunës së Çairit është Ministria e Punëve të Brendshme respektivisht Sektori për Punë të Brendshme në qytetin e Shkupit, megjithatë kërkohet urgjentisht të shtohet numri i patrullave policore të cilët do të qarkullojnë nëpër rrugët e komunës në orët e mbrëmjes. Zëdhënësi i Komunës së Çairit, Kushtrim Alla, shprehet se kjo komunë nuk posedon mekanizma parandalues për aksidentin me armë zjarri që po ndodhin dhe po përfundojnë me humbjen e jetës së njerëzve.
“Ajo që po ndërmarrim si komunë është vetëdijesimi i qytetarëve posaçërisht të rinjtë që të mos përdorin armët dhe në bashkëpunim me organizatat rinore po punojmë në parandalimin e dhunës e cili tanimë po bëhet një fenomen i shpeshtë në territorin e komunës së Çairit. Gjëja e parë që ka bërë komuna e Çairit ka kërkuar vazhdimisht në rrugicat e komunës të ketë patrulla policore të shtuara për dallim nga e kaluara, kështu që për çdo ditë në orët e mbrëmjes patrulla policore qarkullojnë në komunën e Çairit. Sidomos pas rastit të fundit që ndodhi në maketin “Kipper”, në Çair, në afërsi të stadiumit, kemi kërkuar inspektim të menjëhershëm të të gjitha procedurave dhe zbulimin e personave që kanë qenë të përshirë në këtë incident jo vetëm në rastin e fundit por edhe për të gjitha rastet që kanë ndodhur këto 6 muajt e fundit”, thotë Kushtrim Alla, zëdhënës i komunës së Çairit.
Incidentin në fjalë e kanë konfirmuar edhe nga MPB-ja. “Të premten në orën 14:38 ndaj vajzës me iniciale Gj. A., e lindur më 17 mars të vitit 1992, është shtënë me armë zjarri nga personi me iniciale A. Sh.. Sulmuesi menjëherë pasi ka shtënë ndaj viktimës është larguar në drejtim të panjohur. Janë duke vazhduar hetimet për këtë rast.”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së Toni Angellovski. Njëherit ai informon se Komuna e Çairit muaj më parë me shkrim ka kërkuar të shtohet numri i patrullave policore në territorin e kësaj komune dhe se MPB-ja i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkesë.
“Gati një muaj nëpër rrugët e Komunës së Çairit po patrullojnë forca të shtuara policore dhe kjo po bëhet me kërkesën e autoriteteve të kësaj komune. Njëherit MPB punon në zbardhjen e të gjitha rasteve të shëmtuara që kanë ndodhur në këtë komunë këtyre 6 muajve të fundit dhe se MPB-ja konform kompetencave të saja po punon me përkushtim për të rivendosur mirëbesimin e qytetarëve tek institucionet”, thotë Angelovski.
Ndërkohë merret vesh Sekretariati i Punëve të Brendshme (SPB) Shkup dhe Prokuroria Publike po punojnë në zbulimin dhe ndjekjen e autorëve të vrasjeve. (koha.mk)