Nazmi Bajra edhe pas gati 30 vjetësh e ka të freskët ngjarjen tragjike të helmimit të nxënësve kosovarë në pranverën e vitit 1990, pjesë e së cilës ishte edhe vetë ai.
Ai kujton momentin kur uji kishte mbuluar këtë hapësirë të shkollës së mesme profesionale “Fan Noli” në Podujevë, kohës kur bashkë me nxënës të tjerë u urdhëruan ta pastronin dyshemenë e mbuluar me ujë, që kishte arritur deri në 12 centimetra, atyre kishin nisur t’u shfaqeshin simptomat e para si: shtrëngim muskujsh, vjellje, alivanosje e çrregullim ndjenjash, që atë dhe shumë të tjerë i la me pasoja.
Bajra tregon se si në spitalin e Prishtinës, pas analizave që i ishin bërë, mjekët kishin konstatuar se bëhej fjalë për helmim me një lloj helmi toksik.
I helmuar kishte mbetur edhe Avdi Seta, i cili në atë kohë ishte maturant.
Ai thotë se pas trajtimit në spital, për të shpëtuar, ishte detyruar të kërkonte shërim edhe në Gjermani, ku qëndroi dhe u trajtua atje për një periudhë të gjatë.
Pikërisht për faktin se ky akt i sigurimit sekret serb nuk u ndëshkua kurrë, të prekurit nga helmimi në atë kohë, nga Podujeva kanë vendosur që ta padisin Serbinë në Gjykatën e Strasburgut.
Tashmë është formuar Këshilli Organizativ, i cili ka angazhuar një avokat ndërkombëtar për t’u marrë me këtë çështje.
Ndërkaq, ka nisur të mblidhet dokumentacioni i nevojshëm i secilit të helmuar të asaj kohe, në mënyrë që të merren si dëshmi për këtë rast.
Podujeva nuk ishte e vetmja komunë që pësoi nga helmimi.
Një helmim masiv i nxënësve nëpër shkolla ku kryesisht mësonin shqiptarët, filluan në mars dhe vazhduan gjatë gjithë muajve të pranverës së vitit 1990. Numri i të prekurve nga helmimi toksik arriti në rreth 80.