Katari dhe nënshtrimi i butë

Katari përdor kulturën për të eksportuar islamin në Evropë. Xhami, universitete, piktura, libra, televizion: mbërrin një lumë i pafundmë parash

79

“The Economist” e ka quajtur “shteti tjetër wahabist”. Është Katari, kloni i vogël i Arabisë Saudite, por deri më sinuoz se Janusi dyfytrësh, vendstrehim për predikuesit islamistë që edhe sauditët i konsiderojnë tepër radikalë, por edhe oazë i mbushur plot me lokale nate. Një “puritanizëm soft”, kështu e përkufizon “The Economist”, vjen nga ai që deri gjysmë shekulli më parë ishte një vend peshkatarësh, mjaft i varfër dhe jashtë radarit, por që sot është ndër më të pasurit e botës (PBB-ja për frymë është 100000 dollarë), falë 80 milion tonëve gaz të lëngët që vendi prodhon çdo vit.

Emiri Tamim bin Hamad al Thani, në krye të dinastisë së fuqishme, ka një projekt shumë ambicioz: të eksportojë islamin politik në Evropë, duke investuar jo vetëm në asete ekonomike të njohura për kronikat (Hochtief, Volkswagen, Porsche, Canary Wharf, dhe tani flitet edhe për bankën Monte dei Paschi di Siena), por edhe në kulturë, duke plazmuar xhami, universitete, qendra kulturore, galeri artesh, televizione, gazeta. Xhaminë më të madhe jashtë Arabisë Saudite, Katari ka ndërmend ta ndërtojë në Barcelonë. Emiri i ka hedhur sytë mbi Plaza Monumental, ish arenën e korridave që mund të bëhet një vend kulti islamik për 40000 besimtarë, me një minare 300 metra të lartë. Xhamia do të duhet të ngrihet në krah të Sagrada Familia. La Qatar Family Foundation po investon shumë edhe në Itali, veçanërisht në Siçili. “Po realizojmë një numër të konsiderueshëm projektesh me një investim prej 2.3 milion eurosh”, lexohet në një komunikatë të tij. “Janë projekte që kanë të bëjnë me qendrat islamike në Ispica, Catania e Messina. Katari shpenzon shumë edhe në universitetet evropiane. Emiri i ka dhuruar 11 milion paund St. Anthony College of Oxford, ku jep mësim Tariq Ramadan, ylli i Vëllazërisë Myslimane, që financon edhe Tawhid Cultural Centre të tij në Saint Denis, në zemër të banlieue parisiane. Katari ka ushqyer lindjen e seksionit islamik të edicioneve të famshme angleze Bloomsbury dhe të “Doha Debates” në BBC, që transmetohen një herë në muaj, të financuar nga Qatar Foundation, kur diskutohet nëse “lobi proIzrael” mos ka një çikë si shumë pushtet në Shtetet e Bashkuara.

Sorbona e Parisit ka nënshkruar një marrëveshje me Katarin për 600000 euro në vit për të mundësuar studimin e studentëve sirianë. University College London ka hapur një kampus në Katar; ndërsa Margaret Thatcher Scholarship Trust në Oxford University sapo ka marrë nga Doha një donacion prej 4.3 milion dollarësh. Dhe nuk ndalet këtu: University of Wales Lampeter ka marrë pothuajse 2 milion paund, aq sa ta shtyjë Kryeministrin e atëhershëm Gordon Brown që t’i thurë lavde “lidhjes midis universiteteve angleze dhe Katarit”. Por çfarë do realisht Emiri? Gjenerali Jonathan Shaw, ish Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm anglez, ka akuzuar Katarin se ka “aktivizuar minën me sahat të përhapjes së islamit radikal në botë”. Stephen Suleyman Schwartz, gazetar amerikan dhe ekspert për Lindjen e Mesme, që është bërë mysliman dhe është përgjegjës i Qendrës për Pluralizmin Islamik në Washington, ka shkruar se “Katari ka marrë përsipër rolin e Arabisë Saudite. Mbështet Vëllazërinë Myslimane në Lindje të Mesme dhe në Evropë. Kur financohet një xhami në Kopenhagen, objektivi nuk është edhe aq të influencohet ajo që thuhet brenda saj. Është e rëndësishme për Katarin të ndërtojë një komunitet, me një bibliotekë dhe një mjedis përreth që të favorizojë Vëllazërinë Myslimane. Më në përgjithësi, objektivi i tij është ai i krijimit të zonave paralele për myslimanët në Evropë”.

Nabil Ennasri, president i një grupi aktivistësh myslimanë i quajtur Collectif des Mususlmans de Francë, ka thënë se Katari po ushtron një influencë të thellë mbi myslimanët në Francë: “Franca ka një popullsi të madhe myslimane e cila një ditë do të luajë një rol të rëndësishëm në politikën franceze. Investimi në këtë popullsi është në interesat e Katarit”. Katari ka luajtur një rol kyç në përmbysjen e regjimit të Kolonelit Khadaffi në Libi, duke i furnizuar rebelët islamikë me para, armë dhe njerëz (i njëjti skenar në Siri kundër regjimit të al Aassad). Katari u ka dhënë ndihmë grupeve terroriste të tilla si Hamasi dhe i ka zgjatur dorën Omar al Bashir, Presidentit të Sudanit, i cili është inkriminuar për krime lufte në Darfur. “Ne nuk duam as amerikanët, as katarasit: ne jemi të lirë”, ka denoncuar Mouldi Lfahem, funksionar i Partisë Progresiste Demokratike të Tunizisë, duke shtuar se “Katari do ta manipulojë revolucionin për të plotësuar interesat e veta falë afërsisë me Ennahda-n (parti islamiste)”.

Myslimanët evropianë bombardohen çdo ditë nga propaganda katarase: “Katari e përdor si megafon të tijin al Jazeera, e cila ka importuar në botën arabe dhe në Evropë kontradiktorin gazetaresk, por në të njëjtën kohë ka përhapur fjalën integraliste. Nën presidencën e Nicholas Sarkozy, i pari “grusht shteti” i Katarit ka qenë blerja e Paris Saint – Germain, skuadra e futbollit e kryeqytetit. Pastaj kanë pasuar pjesëmarrjet në shumë kompani francize, ajo e naftës Total, e ndërtimeve Vinci, shoqëria e ujit Veolia, Vivendi, gjigandi i botimeve Lagardere, Societe des Bains de Mer e Monte Karlos, shoqëria e ndërtimeve aeronautike Eads, shumëkombëshja e mallrave të luksit Lvmh. Pastaj ndërtesat simbol të madhështisë francize si selia e Figaro, hotelet luksoze Carlton e Martinez në Kanë, Palais de la Mediterrane në Nicë, Concorde Lafayette, Hotel du Luvre dhe Royal Moncteau në Paris. Kudo në Evropë po shfaqen xhami të financuara nga Katari. Në Irlandë, Katari ka mbështetur kohët e fundit ndërtimin e megaxhamisë së parë. Popullsia myslimane e ishullit është rritur me 10 herë në 20 vitet e fundit, duke e bërë kështu islamin si besimin fetar me rritje më të shpejtë në vend. Qendra kulturore islamike është ndërtuar në një parcel prej 6 akrash në Clongriffin, një rrethinë e re në peruferinë veriore të Dublinit. 3 kate, midis të cilave një qendër konferencash, një restorant, një shkollë, një qendër fitness me palestër, një sauna, një hamam, një pishinë olimpike e mbuluar, një bibliotekë dhe tri blloqe apartamentesh banimi me pallate 4 katëshe. Edhe minarja e parë e Kopenhagenit është dhuruar nga Katari, që ka patronizuar edhe lindjen e megaxhamisë së parë të Skandinavisë. Ndodhet në në Norrebro, lagje me popullsi të dendur islamike e kryeqytetit danez, dhe është financuar nga Emiri al Thani me 26 milion euro. I njëjti skenar në Slloveni, ku dy vite më parë është vendosur guri i parë i xhamisë së parë në kryeqytetin Lubjanë. Disa mijëra njerëz kanë marrë pjesë në ceremoni, midis të cilëve Kryeministrja e Sllovenisë Alenka Bratushek dhe kryebashkiaku i Lubjanës Zoran Jenkoviç. Propozimi i xhamisë është penguar nga funksionarët lokalë, disa prej të cilëve kanë kërkuar që të propozojnë një referendum për çështjen në fjalë në 2004. Xhamia ka një kosto prej rreth 12 milion eurosh, pjesa më e madhe e të cilave vijnë nga një donacion prej Katarit. Në Francë, Katari zgjerohet nëpërmjet Unionit të Organizatave Islamike të Francës. Në konferencat e tij imami kataras Yussuf al Qaradawi pritej gjithmonë si mesia përpara se autoritetet franceze t’i tërhiqnin vërejtje për apelin e tij ndaj xhihadit, luftën e shenjtë. Xhamia Assalam në Nantë, e administruar nga Shoqata Islamike e Francës Perëndimore, është financuar në pjesën më të madhe nga Katari. Ka kushtuar 4.4 milion euro. E njëjta gjë ka ndodhur edhe për xhaminë e Mulhouse, në të cilën Katari ka shpenzuar 2 milion euro. Në Marsejë, Emirati duhet të mbulojë 25 përqind të 22 milion eurove të nevojshme për xhaminë e madhe të ardhshme në gjendje që të mirëpresë deri në 14000 besimtarë.

Katari financon institutet shkollore islamike, si Liceu Averroe. Në Lilë, ekstremi verior i Francës, pak minuta me tren larg nga Brukseli, ndodhet Lycee – College Averroes, në katin e dytë të një ndërtese me arkitekturë flamande që mirëpret Lidhjen Islamike Veriore, sipër xhamisë al Iman dhe bibliotekës myslimane. Në katin e sipërm, sallë faljesh rezervuar grave dhe shkolla kuranike. Është shkolla e parë e lartë private myslimane në Francë. Një prej mësuesve të tij, Soufiane Zitouni, ka dhënë dorëheqjen me një editorial shumë të ashpër në të përditshmen “Liberation”, në të cilin Zitouni akuzon shkollën e tij se është e barsur me “antisemitizëm, sektarizëm dhe islamizëm”. Me origjinë algjeriane, Docent Filozofie, Zitouni ka shkruar se nuk mund të toleronte atë që shikonte çdo ditë në lice, duke e quajtur “territor islamik të financuar nga shteti”. Mecenatët e Katarit kanë qenë aktivë në krijimin e këtij instituti. Al Thani është shumë i zoti në përdorimin e kontakteve të tij me politikanët europianë për të ndërtuar xhami në Kontinentin e Vjetër. Për shembull, ish ministri laburist Jack Straw ka shkruar një letër prezantimi për mikun dhe aleatin e tij politik, Lordin Patel, për ta bindur Emirin al Thani që të dhurojë 1.5 milion paund, gjysmën e totalit të nevojshëm për ndërtimin e një xhamie të madhe në zonën e tij elektorale të Blackburn. Qatar Charity, një prej degëve të monarkisë për aktivitetet filantropike të saj, ka financuar edhe krijimin e Le Juste Milieu, qendrës së parë islamike në Luksmeburg. Qendra është hapur nga Sheiku al Thani dhe përmban një xhami, një shkollë, një qendër ligjore dhe një qendër edukative për të rinjtë. Katari ka siguruar 75 për qind të fondeve të saj. Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe kryebashkiakja e qytetit të Luksemburgut, Lydie Polfer, dhe Arqipeshkëvi Jean – Claude Hollerich.

Katari ka hedhur sytë edhe mbi një seri personalitetesh kulturore. Siç shpjegohet në mënyrë të detajuar nga libri “Qatar – France, une decennia de diplomatie culturelle”, Katari u ka paguar udhëtimet dhe u ka dhënë çmime ish-ministrave francez të Kulturës, Frederic Miterrand e Jack Lang, ish kryebashkiakut të Parisit Netrand Delanoe, ish kryeministrit Michel Rocard dhe sidomos inteligjencës së majtë: Regis Debray, Tahar Ben Jelloun, Emmanuel Todd, Jean Daniel dhe karikaturistit Plantu, firmë kryesore e “Le Monde” që ka marrë. Çmimin Doha (10.000 euro) nga duart e ambasadorit të Katarit në Paris, Mohamed al Kuwari. Pastaj është Edwy Plenel, ish drejtor i “Le Monde” që ka themeluar Mediapart, libri i të cilit, me titullin “Për myslimanët”, sapo është shpërndarë në arabisht nga Doha Magazine dhe i kuruar e i dëshiruar nga Ministria e Kulturës e Katarit. Janë dhimmi-t e së majës që shesin lirë lirinë e shprehjes.

Verën e kaluar, e përjavshmja franceze “Nouvel Observateur” është autocensuruar, duke vendosur që të mos e shpërndajë në Katar botimin e saj të 11 gushtit 2016 të kushtuar “seksit, tabuja e fundit”. Në kopertinë, OBS-i kishte botuar kuadrin “Origjina e botës” e Gustave Courbet të vitit 1886. I njëjti fat edhe për gjinjtë kubistë të Pablo Picasso në ekspozitë në Doha. Familja al Thani ka sponsorizuar kohët e fundit ekspozitën e Damien Hirst, duke e spostuar atë në Doha, ku janë ekspozuar vepra të Warhol, Bacon, Rothko, Koons e Hirst. Jo shumë kohë më parë, Katari ka blerë një pikturë të Paul Cezanne, “Bixhozçinjtë”, për më shumë se 250 milionë dollarë. Është çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë për një vepër arti. Pak më parë, Katari kishte financuar një ekspozitë të Takashi Murakami në Pallatin e Versajës. Emirati islamik ka mirëpritur edhe një forum botëror që ka tërheqës artistë, kuratorë dhe mecenatë nga muzeumet kryesore të të gjithë botës. Katari shpenzon çdo vit 1 miliard dollar në vepra arti. Për t’u kuptuar, Museum of Modern Art i New York investon 21 milionë dollarë, 50 herë më pak se Emirati islamik. Për të ristrukturuar Muzeumin Kombëtar të Dohas, Katari ka rekrutuar një superyll si arkitekti Jean Nouvel. Dhe sikur të mos mjaftonte, ka punësuar edhe Drejtorin e Christie’s Edward J. Dolman për ta vënë në krye të muzeumeve në shkretëtirë të Gadishullit Arabik. Në emiratin e vogël të al Thani, submission perëndimor ndaj islamit e tejkalon fantazinë e romanit aveniristik të Michel Houllebecq. (Il Foglio)

Të Ngjajshme