Zejnulla VESELI
Shkup, 22 prill – Edhe sikur të kemi së shpejti formim të qeverisë së re vështirë se Maqedonia vitet e ardhshme të ketë gjallërim të ekonomisë në përgjithësi, e në veçanti në sektorin e minierave, sepse për sanimin e pasojave negative nga kriza e stërzgjatur politike me siguri se kërkohet më shumë vite. Kështu deklaroi kryetari i Asociacionit të Minierave në Maqedoni Nikollajço Nikollov, sipas të cilit, shtyrja e afatit për formimin e qeverisë së re mund të ndikojë te investitorët që ata të tërhiqen dhe investimet t’i kryejnë në ndonjë vend tjetër. “Kapitali nuk duron politikë. Reagimi i shpejtë është shumë me rëndësi që t’i mbajmë investitorët e interesuar për Maqedoninë. Nëse tërhiqen prej këtu do të investojnë diku tjetër. Ndarja e koncesioneve shkon përmes dinamikës së parashikuar, por ka vonesë në nënshkrimin e dokumenteve nga ministritë përkatëse, me siguri për shkak të krizës politike. Por, shpresojmë se së shpejti do të kemi formim të qeverisë dhe kompanitë vendore si dhe minierat do të punojnë në rrethana më të mira”, deklaroi Nikollov. Ai, përcjell gazeta KOHA, u shpreh pesimist se edhe sikur të ketë formim të shpejte të qeverisë së re, vështirë se garnitura e re qeveritare shumë shpejtë mund ta nxjerr vendin nga kriza ekonomike. “Pasojat nga kriza politike e cila po zgjat tani e 3 vite janë shumë të rënda për sektorin e biznesit. Prandaj, edhe sikur te formohet qeveria e re, shumë vështirë do ta ketë që qeveria e re ta nxjerr vendin nga kriza politike. Dëmet e krizës politike janë shumë të rënda sa që është e pamundur që për një kohë të shkurtë qeveria e re të bënë sanimin e efekteve negative nga kriza politike trevjeçare që e gjind Maqedonia”, deklaroi Nikollov. Ai thotë se në tre vitet e fundit sektori i minierave ka pasur probleme serioze sa i përket komponentit zhvillimor të minierave, pothuajse në të gjitha minierat në vend. “Pasojat nga kriza politike kanë ndikuar shuam negativisht në komponentin zhvillimor të minierave. Kjo ndodhë për shkak se gati tre vite nuk funksionojnë institucionet shtetërore dhe minierat nuk mund të marrin asnjë leje për hulumtimin e resurseve të reja për hapjen e minierave. Për këtë shkak, në sektorin e minierave në pamundësi për të marrë leje për kërkim të lokacioneve të reja për hapjen e minierave shumë investitorë të huaj kanë heqë dorë nga investimet e tyre. Se sektori i minierave është në situatë të vështirë flasin edhe të dhënat statistikore që tregojnë se në kuartalin e parë të vitit 2017 ka ulje të prodhimtarisë në sektorin minierave për 6 për qind për dallim nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar”, thotë Nikollov. Përveç ndikimit të drejtpërdrejtë të krizës politike në punën e minierave, Nikollov deklaroi se ditëve të fundit sektori i minierave po ballafaqohet edhe me një goditje të re, e ajo është paralajmërimi i mbajtjes se referendumit nga ana e qytetarëve të rajonit të Gjevgjelisë se a duhet të hapet minierë e re në Gjevgjeli apo jo. “Pas plotë 40 viteve dikush shpreh interesin të hap minierë në Maqedoni, ndërsa dikush për interesa të tij personale po nxit popullatën të dalin në referendum sepse hapja e minierës në Gjevgjelisë do ta ndotë ambientin jetësor. Ky është një absurd i radhës, një e pavërtetë e deklaruar nga disa ekspertë që nuk kanë lidhje me punën e minierave. Për momentin në lokalitetin e Gjevgjelisë po bëhet hulumtime se a ka resurse të mineraleve dhe se për çfarë lloj mineralesh bëhet fjalë e më pas të merret leje nga institucionet shtetërore përkatëse se ekzistojnë kapacitetet për të hapur minierë apo jo”, deklaroi Nikollajço Nikollov, kryetari i Asociacionit të minierave në Maqedoni.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara