Sfida e madhe e peshave të rënda në boks mes britanikut Anthony Joshua dhe ukrainasit Wladimir Klitschko do të zhvillohet më 29 prill të vitit të ardhshëm, në stadiumin “Wembley” të Londrës. Lajmi është konfirmuar sot nga Eddie Hearn (menaxheri i britanikut), ndërkohë që pas një jave (më 10 dhjetor), Joshua do të mbrojë për të dytën herë titullin kampion të kategorisë IBF ndaj Eric Molina. Edhe pse ka ende një duel të rëndësishëm përpara, Joshua mendon për të ardhmen, pasi nuk dëshiron që t’i ikë nga duart një shans i artë siç është dueli me një ikonë të sportit të boksit si Klitschko. Dhe për një përballje të tillë është zgjedhur stadium i futbollit “Wembley”, teksa synohet që 80 mijë shikues të jenë të pranishëm për të parë këtë duel gjigantësh. Joshua do të mbrojë pas një jave titullin e kategorisë IBF në peshat e rënda, por dueli ndaj Klitschko do të jetë i vlefshëm edhe për kategorinë WBA, që deri para dy muajsh mbahej nga Tyson Fury. Por ky i fundit doli pozitiv dhe i është hequr përkohësisht licenca (dorëzoi edhe titujt që pat fituar ndaj ukrainasit vjet), ndërkohë që po kurohet. Ndaj, WBA vendosi për këtë përballje gjigandësh mes Joshua dhe Klitschko, me ukrainasin që do të rikthehet në ring pas më shumë se një viti. Ndërsa boksieri britanik Anthony Joshua ka më 10 dhjetor një përballje të vështirë ndaj Molina, ku do të mbrojë titullin kampion bote. Joshua, 27 vjeç, nuk ka asnjë humbje deri më tani në ring si profesionist, duke i fituar me “KO” të 17 përballjet e deritanishme.