Laura PAPRANIKU
Shkup, 19 gusht – Është ende herët të flitet për rezultatet përfundimtare nga afati i parë i regjistrimit të studentëve që u mbyll të premten në universitetet publike, por pavarësisht kësaj, nga universitetet flasin për jehonë të kënaqshme të regjistrimit, shkruan gazeta KOHA. Në Universitetin e Tetovës dhe Universitetin “Kirli dhe Metodi” të Shkupit pohojnë se fluks veçanërisht i madh është shënuar në fakultete e mjekësisë, ekonomisë, juridikut dhe filozofisë, ndërsa në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup – për nga numri më i madh i dokumenteve të paraqitura, radhisin: shkencat sociale, administratën publike, informatikën dhe arkitekturën. Por, nuk janë keq as programet e teknologjisë së komunikacionit, mekatronikës dhe teknologjisë ushqimore, pohojnë në UNT.
Të dhënat e para preliminare do të publikohen të hënën (21 gusht) në vebfaqet e universiteteve dhe një ditë pas kësaj do të nxirren edhe të dhënat përfundimtare nga regjistrimi i studentëve për afatin e parë të regjistrimit. Publikimi i të dhënave në vebfaqe është obligim ligjor dhe të njëjtin duhet ta respektojnë të gjithë institucionet e arsimit të lartë. Një javë më vonë, universitetet do të kenë afatin e dytë të regjistrimit dhe nëse edhe pas kësaj mbesin vende të lira nga kuotat e përcaktuara me Konkurs, do të duhet të organizojnë edhe afat të tretë regjistrimi për fakultetet dhe programet përkatëse. Paraprakisht, të dhënat e siguruara nga UT-ja flasin se gjatë tre ditëve të kaluara kanë aplikuar rreth 1500 kandidatë. “Interesimi më i madh është te Fakulteti i Mjekësisë. Të shkencat e zbatuara dominon arkitektura. Po ashtu numër i madh i dokumenteve janë dorëzuar edhe për programin studimor të edukimit special dhe rehabilitimit, te psikologjia dhe shkencat natyrore. Rritje të konsiderueshme ka pasur këtë vit edhe për studimet e informatikës dhe gjuhëve të huaja”, tregon për KOHA Ibrahim Neziri nga Zyra për çështje arsimore e UT-së. Ekonomiku dhe juridikut, si zakonisht edhe sivjet thotë se kanë pasur numër të konsiderueshëm aplikimesh, ndërsa në nivele të kënaqshme e është edhe interesimi për teknologjinë e ushqimit. “Me numër më të vogël të kandidatëve të paraqitur deri tani është Fakultetet i Bujqësisë, ku ka ende shumë vende të lira për afatet e tjetra të regjistrimit”, plotëson Neziri. Nga Info-Qendra e UNT-së thonë se “jehona e regjistrimit është në nivele të kënaqshme, sipas dinamikës së paraparë”. Deri mesditën e së premtes, sipas tyre kishin aplikuar rreth 300 kandidatë. Për numër të saktë të studentëve që do të pranohen në këtë afat regjistrimi do të informoheni ditëve në vijim, thonë nga UNT-ja, ndërsa vërejnë se për pjesën dërmuese të programeve të tyre studimore janë paraqitur aq kandidatë sa të mund të formohen grupe me nga 15 – 20 studentë. Gjykuar në interesimin e treguar përgjatë ditëve të kaluara, mund të thuhet lirisht se në programet e shkencave sociale dhe të administratës publike do të formohen grupe me numër shumë më të madh studentësh”, vërejnë nga UNT. Të rinjtë shqiptarë kanë pasur mundësi regjistrim edhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, por ku për dallim prej universiteteve tjera nuk është mbyllur ende afati i dorëzimit ët dokumenteve. Në UEJL dorëzimi i dokumenteve mund të bëhet deri më 31 gusht. Edhe këtu falsin për jehonë të mirë të regjistrimit të studentëve për vitin akademik 2017/2018, duke veçuar si tipar të këtij interesimin në rritje për programet studimore në gjuhën angleze. Nga Zyra për regjistrim e UEJL-së, pohojnë se “krahasuar me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë kohore, pra gjatë tre ditëve të para të regjistrimit, është shënuar rritje e aplikimeve për rreth 15 për qind”. “Shifrat e aplikimeve për studime në UEJL, që tani po japin rezultatet e pritura dhe se gjeneratat e reja gjithnjë e më shumë po arrijnë ta identifikojnë UEJL-në si universitetin e së ardhmes, ndërsa tregu i punës qartë po e bën dallimin mes diplomave, dijeve dhe kompetencave të matshme, ku universiteti ynë po dëshmohet për standarde të barasvlershme me ato më të përparuara ndërkombëtare”, thekson për KOHA doc.dr. Demush Bajrami, këshilltar ekzekutiv në UEJL. Ky universitet, nënvizon Bajrami, për herë të parë do ta jetësojë sistemin e “tutorimit”, ku çdo student, i cili do të regjistrohet në UEJL do të ketë një tutor (profesor), i cili do të kujdeset për ecjen akademike dhe karrierën e studentit. Në UEJL këtë vit është hapur konkurs për 730 vende, në UNT për 1580 vende, ndërsa në UT për 3870 vende. Tani për tani të tirja universitete janë larg plotësimit të gjitha vendeve të parapara me Konkurs. Jo vetëm sepse ai numër tejkalon numrin e kandidatëve potencial por dhe për faktin se jo pak shqiptarë konkurrojnë në UKM, si në kuadër të programeve shqip të Fakultetit Filologjik dhe Fakultetit Pedagogjik, ashtu edhe në fakultete tjera, sidomos të farmacisë, mjekësie dhe stomatologjisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.