Janë paralajmëruar protesta në Athinë dhe Prespë kundër marrëveshjes

Athinë, 13 qershor  – “Komiteti për luftë për karakterin grek të Maqedonisë”, organizatorët e protestave mbarë Greqinë për “mbrojtje të emrit Maqedonia”, nëpërmjet rrjeteve sociale dhe nëpërmjet mediave greke paralajmëron se në ditën kur Maqedonia dhe Greqia do ta nënshkruajnë marrëveshjen në Prespë, ata do të protestojnë, ndërsa sipas gjitha gjasave kjo do të jetë të shtunën.

“Nëse Ciprasi tenton të shkojë në Prespë, aty ku janë mbetjet e shenjta të Pavllos Melasit dhe luftëtarëve tjerë maqedonas, të cilët i dhanë jetët e tyre për lirinë e atdheut, njoftojmë se do të jemi aty, dhjetë mijë që të mos lejojmë që të nënshkruhet marrëveshja”, kumtojnë nga “Komiteti për luftë për karakterin grek të Maqedonisë” dhe u bënë thirrje, nëpërmjet rrjeteve sociale, qytetarët që t’u bashkëngjiten, ndërsa deputetët të japin dorëheqje nga postet e tyre të deputetëve.

Siç lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina, pas informacionit se sipas gjitha gjasave të premten, në Parlamentin grek do të mbahet debat për marrëveshjen e arritur, organizatorët e protestave bëjnë thirrje për tubim në sheshin Sintagma në Athinë, në të njëjtën kohë derisa deputetët diskutojnë për përmbajtjen e marrëveshjes.