Italia e populistëve

“Për vite të tëra, establishmenti politik i Italisë i është përulur Brukselit. Por vjen një pikë, kur nuk mban më ujë pilafi, dhe Italia ka mbërritur në atë pikë”

 

Pas disa muajsh ngecje, dy partitë euroskeptike dhe anti-establishment të Italisë, më në fund krijuan javën e kaluar një qeveri koalicioni. Partneriteti i propozuar mes Legas së krahut të djathtë dhe Lëvizjes Pesë Yje udhëhiqet nga Giuseppe Conte, një profesor shumë pak i njohur.

Duke alarmuar Brukselin Brukselit, koalicioni ka premtuar të ulë taksat dhe rrisë shpenzimet, duke sfiduar limitet e BE për defiçitet qeveritare. Ai propozon gjithashtu dëbimin e 500 mijë imigrantëve të paligjshëm. Tani ata “duhet të bëjnë gati valixhet”, tha udhëheqësi i Lega-s, Matteo Salvini, me të marrë emërimin si Ministër i Brendshëm.

ÇFARE SHKRUAJTEN EDITORIALET?

“Kriza më e gjatë në historinë e republikës mori fund”, shkruante “Corriere della Sera”. “Pas një rendje plot kthesa, si dhe një beteje kushtetuese të paprecedentë, kemi hyrë në një botë të re politike, të udhëhequr nga një administratë e re dhe e çuditshme”.

“Shumë e çuditshme vërtetë”, shkruante “The Times”. Dy partitë në qeveri nuk kanë të përbashkët pothuaj asgjë, përveç euroskepticizmit dhe mungesës së eksperiencës në qeverisje. “Por frustrimet që i shtynë njerëzit të votojnë për to – papunësia e lartë, nivelet e lartë të imigrimit të paligjshëm, pabarazitë kronike mes rajoneve – janë goxha reale. Këto kanë krijuar një pakënaqësi të fortë ndaj Brukselit, që me kalimin e kohës mund të dëmtojë edhe themelet e Euros”.

“Nëse BE dëshiron të shmangë një fatkeqësi, duhet të fillojë duke treguar më shumë takt”, shkruante “The Daily Telegraph”. “Ishte deklaratë e ashpër ajo e presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, që këmbënguli se problemet e jugut të varfër të Italisë nuk zgjidhen në Bruksel, por me “më shumë punë dhe më pak korrupsion”, nga italianët. Duke parë “paaftësinë e saj për të përqafuar reformat, BE nuk duhet të japë përgjigje të tillë, për probleme që ka dhënë një dorë edhe vetë, për t’i krijuar dhe zvarritur”.

ÇFARE THANE KOMENTATORET?

“Tani Italia ka qeverinë më të djathtë, qysh nga epoka fashiste”, shkruante George Eaton në “The New Statesman”. “I pari koalicion populist që ka marrë detyrë në një shtet anëtar të eurozonës”. Por befasia e vërtetë nuk është përbërja populiste e administratës së re; është fakti që një qeveri e tillë u desh kaq kohë të nxjerrë kokë. Standartet e jetesës në Itali as nuk kanë ndryshuar në 20 vite, papunësia është 11.1 përqind dhe e majta është diskredituar, për shkak të mbështetjes për masat e kursimit. BE i shtoi benzinë zjarrit, duke iu përgjigjur telasheve të Italisë “me pompozitetin karakteristik”. Sa i pagdhendur komisioneri i buxhetit i BE, Günther Oettinger, kur sugjeroi se nëse thirrjen zgjedhje të reja, “tregjet do u mësojnë italianëve se si të votojnë”.

“Dhe ishte padyshim “dora e padukshme e BE”, që shtyu presidentin të pengojë Savonan, një prej ekonomistëve më ë spikatur të Italisë, që të merrte postin e Financave”, shkruan Carla Powell në “The Sunday Times”. “Për vite të tëra, establishmenti politik i Italisë i është përulur Brukselit. Por vjen një pikë, kur nuk mban më ujë pilafi, dhe Italia ka mbërritur në atë pikë”.

“Pavarësisht gjithë përpjekjeve të tij, presidenti Mattarella nuk ka qenë në gjendje të detyrojë koalicionin e ri që të heqë dorë nga qëndrimi antieuro”, shkruante The Economist. “Savona, mbështetësi krysor i asaj vije, mund të jetë penguar të marrë në dorë Ministrinë e Financave, por ai është ende në qeveri si Ministër i Evropës. Dhe ekonomisti që mori rolin e Financace nuk është një Eurofil i bindur. Giovanni Tria ka qenë shumë kritik me euron, duke argumentuar madje se Gjermania dhe jo Italia, duhet të dalë nga monedha e përbashkët”.

“Sërish, është një lloj i çuditshëm qeverie populiste që ka profesorë universiteti të pazgjedhur në postin e kryeministrit, ministrit të Evropës dhe ministrit të jashtëm”, shkruante Tobias Jones në “The Observer”. “Emërimi i teknokratëve të arsimuar mund të jetë lëvizje e zgjuar: një administratë e zhytur në borxhe, që ka në plan të ulë taksat, duhet të bëjë gjithçka për të ruajtur besimin e tregut. Por këta revolucionarë populistë ngjajnë të dyshuar si pjesë e establishmentit”.

ÇFARE DO TE NDODHE?

Edhe pse është formuar një qeveri, ka ende spekulime për zgjedhje të mundshme këtë vit. Sondazhet më të fundit thonë se mbështetja për Legan është 28%, 11 pikë më lart se sa në zgjedhjet e marsit. Ndërsa mbështetja për Pesë Yjet ka rënë me 2 pikë, duke shkuar 30%.

Koalicioni po mendon që të fusë një monedhë të brendshme “paralele”, në formën e bonove të thesarit me vlerë të ulët, të njohura si miniBOT. Këto mund të përdoren për të paguar fatura shtetërore dhe sociale. Por Brukseli druhet se kjo është thjeshtë një “derë e pasme”, për të financuar shpenzimet e defiçitit. (bota.al)