Nga Loay MUDHOON
“Numri i myslimanëve në Evropë do të rritet dukshëm ” dhe “Evropa do të bëhet më myslimane”. Kështu ose në mënyrë të ngjashme formulohen kryetitujt në shumicën e mediave në Gjermani, që kanë raportuar mbi rezultatet e hulumtimit të institutit studimor në SHBA Pew Research Center.
NJË KATASTROFË E PASHMANGSHME?
Tituj të tillë tingëllojnë, sikur ne do të na duhej që për arsye të ndonjë zhvillimi të mundshëm demografik të përgatiteshim si para një katastrofe natyrore të pashmangshme, e cila mund t’i lëkundte themelet e shoqërive evropiane. Sidoqoftë njoftime të tilla mund t‘u kenë ngjallur shumë qytetarëve të thjeshtë të paktën siklet, veçanërisht nëse mediat e kanë lënë pasdore, që këto rezultate jorealiste të studimit t’i shpjegojnë në mënyrë kritike. E sikurse edhe pritej populistët e djathtë dhe islamofobët e të gjitha ngjyrave, që prej vitesh anë e mbanë paralajmërojnë pa u lodhur për rrezikun e islamizimit dhe krijimit të një “Eurabia” në Gjermani dhe në Perëndim, shohin tani të jenë konfirmuar nga studiues të njohur të SHBA-së përfytyrimet më të këqija të tyre.
Por duke analizuar më saktë menjëherë të bëhet e qartë se rezultatet e studimit nuk janë patjetër të përshtatshme për të formuluar parashikime bindëse mbi zhvillimin faktik të popullsisë në vendet perëndimore. Kjo për faktin se studimi niset duke u bazuar në kushtet më ekstreme. Këtë e vështirëson edhe më shumë fakti, se deklarata të vlefshme mbi lëvizjet globale të migracionit në dekadat e fundit janë dëshmuar si me shumë mangësi.
LIRIA E BESIMIT ËSHTË NJË E DREJTË THEMELORE
Kush argumenton me kolona shifrash, pa dashur shket në logjikën e radikalëve paranojakë dhe të profetëve të fundit të botës. Këta nuk janë sinqerisht të interesuar për integrimin e emigrantëve në bashkësitë e demokratëve. Ndaj është shumë më e rëndësishme të shtrohet çështja parimore, se si demokracitë e shtetit ligjor pajtohen me faktin, që numri i myslimanëve në Evropë do të rritet në të ardhmen. Në këtë kontekst duhet theksuar se është çështje private fakti se në çfarë besojnë ose nuk besojnë qytetaret dhe qytetarët në shtetin ligjor pluralist demokratik. E drejta themelore e besimit fetar ka një vlerë të madhe në kushtetutën tonë të lirë demokratike. Aq më tepër shteti me botëkuptim neutral e ka detyrim të mbrojë lirinë e besimit – e kjo madje edhe nëse botëkuptimi fetar bie në kundërshtim me normat shoqërore të shumicës së shoqërisë. Por kjo nuk do të thotë që të gjitha çfarë kërkon një fe të jetë ligj dhe të realizohen në shtetin demokratik.
MYSLIMANËT NUK JANË “AUTOMATË TË KURANIT”
Studimi aktual i “Pew Research Center” padyshim sugjeron që shoqëritë evropiane në të ardhmen duhet të përgatiten për një prani më të madhe të myslimanëve në hapësirën e tyre publike. Po ashtu duhet të përgatiten edhe që qytetarët myslimanë të Evropës do të insistojnë që ta jetojnë të lirë dhe hapur besimin e tyre, ashtu siç e praktikon çdo ditë edhe të gjithë anëtarët e feve të tjera, e në radhë të parë të krishterët. Ky konstatim i studimit nuk është arsye për të ndjellë fantazmën e “islamizimit të Perëndimit”. Sepse “Islami” nuk ekziston si një njësi statike e pandryshueshme. Ky është një trill si i salafistëve, ashtu edhe i lëvizjeve islamofobe. As myslimanët nuk janë një bllok monolit në asnjë vend të botës. Nuk është vetëm feja që përcakton sjelljen. E formuluar më mprehtë: ata nuk janë “automatë të Kuranit”. Në secilin vend me karakter islamik faktikisht propagandohet dhe praktikohet një variant i ndryshëm i fesë islame.
EDHE MYSLIMANËT PO BËHEN LAIKË
Pikërisht edhe për këtë arsye janë të destinuara të dështojnë përpjekjet e forcave radikale të djathta, që e paraqesin “Islamin e prapambetur dhe të afërt me dhunën” si modelin e kundërt të Perëndimit të iluminuar dhe të civilizuar. Ky dualizëm naiv nuk u përshtatet realiteteve komplekse. Qysh tani mbi 80% e qytetarëve myslimanë në Evropë janë laikë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Shifra të reja vërtetojnë, se gjithnjë e më pak myslimanë në Evropë e jetojnë në mënyrë aktive fenë e tyre; një tërheqje në heshtje nga besimi po duket gjithnjë e më shumë, përkundër të gjitha fantazive për sundim të botës nga islamistët radikalë.
Nuk është aq i rëndësishëm numri i myslimanëve në Evropë. Shumë më e rëndësishme është që ne të reflektojmë për kuptimin e qytetarisë në demokraci. Kjo do të thotë, të krijojmë mundësi të reja për një pjesëmarrje të vërtetë të qytetareve dhe qytetarëve në shoqëritë e migracionit në Evropë dhe njëkohësisht të mbrojmë arritjet e demokracive të lirisë. (DW)