Sabastion Sparks është një baba i ri, por më parë ka qenë një nënë e re. Duket “e krisur” në plan të parë, por nuk është aspak ashtu, pasi ai e ka mbajtur vetë në bark fëmijën, i ka dhënë gji dhe ka duruar vështrimet e habitura të kalimtarëve, sa herë dilte me djalin dhe bashkëshorten.
E gjithë kjo e ka një shpjegim, pasi Sabastioni tanimë një burrë 24 vjeçar ka lindur si femër dhe shndërrimin në mashkull e nisi vetëm pesë vite më parë.
Ky proces u përmbush muajin e shkuar, kur hoqi edhe gjinjtë me operim.
Ai tani jeton me gruan e tij, Angel, që më parë ka qenë burrë në periferi të Atlantës. Ai u njoh me Angel, pesë vite më parë, në një konventë për transgjinorë dhe u identifikua si burrë. Ndërkohë 33-vjeçarja Angel ishte i lindur burrë, por ishte kthyer në grua disa vite më parë.
Pas lindjes së Jaxen, Sabastioni i ka dhënë gji fëmijës edhe në publik, duke tërhequr vështrime të habitura nëpër dyqanet e rrugët ku dilnin.
“Njerëzit na shihnin vëngër. Ai përpiqej shumë ta mbulonte kur jepte gji”, thotë ajo.
Jo të gjithë transgjinorët vendosin të bëjnë operime për të kaluar në gjininë tjetër, dhe Sabastioni e di që pamja nuk duhet të ketë rëndësi. Por shqetësimi i tij është se trajtimi që i bëjnë disa njerëz mund të kalojë dhe te Jaxen. Dhe kjo nuk është ajo që do për të birin.
Me afrimin e Festës së Babait, Sabastioni tani mendon për rolin e gjinisë, dhe se ç’do të thotë të jesh baba. Ai do që djali i tij të ketë një fëmijëri sa më normale.
Për të parën herë ndihet i qetë me trupin e tij, dhe shpreson që Jaxen ta vërë re ndryshimin.
“Do të jem baba më i mirë nëse ndihem më i qetë me veten, dhe nëse ai sheh vetëbesim tek unë”, thotë ai.
“Djali im s’do ta shohë të atin me gjinj. Do të jetë shumë ndryshe”, thotë ai, teksa sheh Jaxen-in të luajë me një top.
Angel vuri re se Sabastioni duket më i sigurt në vetvete pas operimit. “E sheh gjithnjë të ecë nëpër shtëpi pa bluzë. Sikur po kërkon një arsye t’i tregojë gjoksin botës”, thotë ajo duke qeshur.