Cila do të jetë skuadra e re e Zlatan Ibrahimovic? Kjo është një pyetje intriguese që për momentin është e vështirë ti japësh një përgjigje. Shtatlarti suedez po rikuperohet në mënyrë impresionuese, nga dëmtimi i rëndë që pësoi në Prill të këtij viti dhe mund tu rikthehet fushave të blerta më herët sesa mendohej. Por me Manchester United që ka vendosur të mos ia rinovojë kontratën sulmuesit suedez, Ibra bashkë me menaxherin e tij Mino Raiola janë vënë në lëvizje për të gjetur një klub të ri tek i cili Zlatan do të vazhdojë karrierën.
35-vjecari mendon se ka ende potencialin për të luajtur në një skuadër të madhe në Europë dhe nuk e mendon kurrësesi një kalim të mundshëm në një kampionat të niveli më të ulët sic mund të jetë transferimi përtej oqeanit në Major League Soccer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas mediave spanjolle menaxheri i Ibrës, Mino Raiola ia ka propozuar futbollistin Realit të Madridit, por presidenti i Los Blancos, Florentino Perez nuk duket shumë i emocionuar nga ideja dhe gjasat janë të vogla që veterani suedez të transferohet në Santiago Bernabeu kur të riaftësohet plotësisht nga dëmtimi. Në këtë mënyrë Raiola duhet të shikojë për të tjera opsione. Një variant i mundshëm për Ibrën mund të jetë edhe rikthimi te Milani ndërkohë që bomberi suedez ka refuzuar një ofertë të Valencias sepse nuk e konsideron skuadrën nga Mestalla në lartësinë e tij.