Nga H. Sulejman REXHEPI
Të dashur besimtarë,
Le të nënvizojmë edhe një herë faktin që Muaji i Ramazanit është muaj iv eçuar nga ana e Allahut xh.sh. E ka veçuar me shumë ngjarje të shenjta, me shumë raste e ndodhi të cilat kanë bërë që njerëzimi të sheh dritë, ta preke paqen, mirëqenien, ta shijojë lumturinë dhe rehatinë! Në muajin Ramazani zbritën ajetet e para kuranore: “Lexo në emër të Zotit tënd që krijoi, Krijoi njeriun prej një cope gjaku të ngjizur, Lexo, pse Zoti jot është më bujari, Ai i cili e mesoi njeriun të shkruaj me pendë, Ai që i mësoi njeriut atë që ai s’dinte…”( Al Alak 1-5) Pikërisht në këtë Muaj, Allahu Fuqiplotë, mbi çdo gjë, përparësi i dha dijes; na urdhëroi që të lexojmë, të mësojmë, të ngritemi intelektualisht, sepse po e zbriste një Libër të cilin nuk do të ishte në gjendje ta shkruajë asnjë pendë, qoftë edhe një fjali prej tij. Po e zbriste një Libër aq të shenjtë sa patjetër duhet të lexohet dhe, përmes leximit të përthitheshin njohuritë e pakufishme që ngërthehen në të. Dhe, pastaj, po në këtë muaj Krijuesi ynë na e urdhëroi agjërimin, ashtu siç ua kishte urdhëruar edhe atyre (popujve të tjerë) që ishin para nesh.
Të dashur besimtarë, do të agjërojmë aq sa zgjatë ky muaj, kështu e kemi bërë tashmë traditë! A mjafton kjo! A e kemi dëshmuar sinqeritetin dhe devotshmërinë tonë? Në suren El Bekare, në ajetin 183 Krijuesi ynë na urdhëron që të agjërojmë me qëllim që të ruhemi nga të këqijat! ” O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” Ky urdhër i prerë i Zotit Fuqiplotë nuk përkufizon as kohën dhe as llojet e të këqijave! Madje nuk na e zbërthen as formën e agjërimit. Kjo na bën të kuptojmë se, abstenimi nga ushqimi dhe pija, si dhe nga marrëdhëniet intime, në kohë të caktuar, nuk janë ato të këqija që zgjasin vetëm 28,29 apo 30 ditë! Kjo formë agjërimi mund të kuptohet vetëm falë afinitetit për të lexuar Kuranin, për ta kuptuar atë dhe për të vepruar sipas urdhrave që janë nënvizuar aty. Agjërim, në njëfarë forme do të thotë abstenim i cili shtrihet përtej ushqimit, pijeve dhe marrëdhënieve intime, duke na përballur me të gjitha veprimet të cilat na i ka ndalur Allahu Fuqiplotë. Të kuptuarit e këtij fakti ndihmon në përjetimin e kënaqësive në përballje me kushtet shumë të lehta gjatë agjërimit në Muajin e Ramazanit; na ndihmon në përjetimin e kënaqësisë gjatë kryerjes së ibadeteve; në përjetimin e kënaqësisë duke ecur krenar në rrugën e dritës nëpër të cilën eci Pejgamberi ynë, Muhamedi a.s. me shokët e vet.
Në Suren El-Bekare, në ajetin 185 Allahu xh.sh. thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” Ndërsa në një prej shumë hadiseve të Pejgamberit a.s. shohim se si Muhamedi a.s. besimtarëve myslimanë ua lë një nga definicionet më të përkryer për Librin i cili nisi të shpallet pikërisht në Muajin Ramazan. Muhamedi a.s. thotë: “Pas vdekjes sime do të ketë shumë sprova”. Dikush e pyeti: “Si të shpëtojmë prej tyre”? Pejgamberti a.s. u përgjigj: “Keni Librin e Zotit. Aty ka lajme për ata që erdhën para jush. Aty ndodhet çështja e atyre që vijnë pas jush, aty ndodhet gjykimi mes jush. Kurani e ndan drejt, ai nuk bën lajka. Kush e braktis atë Libër nga frika e një diktatori, Zoti e shkatërron atë njeri. Kush kërkon udhëzimin jashtë tij, Zoti ka për ta humbur. Ai është litari i fortë i Zotit, është udhëzues i urtë, është rruga e drejtë. Mrekullitë e tij nuk mbarohen. Dijetarët nuk kanë të ngopur prej tij. Kush flet me të, ka thënë të vërtetën. Kush punon me të, shpërblehet. Kush gjykon me të, ka gjykuar drejt.Kush fton për tek ai, udhëzon në rrugën e vërtetë”.
Besimtarë të dashur, gjatë Muajit Ramazan, Pejgamberi çdo natë, bashkë me Xhibrilin a.s., mësonte Kuranin. Të gjithë pasuesit e Pejgamberit tonë, duhet ta përsërisin këtë veprim të shenjtë, pra, të lexojmë sa më shumë Kuran në këtë muaj të mrekullueshëm. Është i mrekullueshëm sepse, sinë asnjë muajt e tjerë, gjendemi më afër Krijuesit tonë dhe, në fakt, gjatë leximit të Kuranit, në njëfarë forme komunikojmë me Krijuesin tonë. Kjo afërsi natyrisht që kërkon kushte, kërkon devotshmërinë tonë e cila arrihet vetëm duke qenë të sinqertë, duke qenë të dashur, të mirë, të mbarë, humanistë, modestë dhe besimytarë të paluhatshëm. Tërë kjo devotshmëri nuk arrihet brenda natës dhe as brenda një muaji! Prandaj, jemi të obliguar që të përgatitemi gjatë tërë vitit që ta arrijmë këtë devotshmëri dhe me të të hyjnë në Muajin e agjërimit, të jemi të pastër e të çiltër pranë Zotit të Plotmëshirshëm. Nuk ka sihariq më të mirë se sa kur do të na drejtohet vetë Allahu Fuqiplotë: “Selamun Alejkum, qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, prandaj hyni në të, aty jeni përgjithmonë” (Zumer, 73)
Nuk mund tëna pranojë Zoti pranë vetes nëse tërë kohës ia mendojmë njeri tjetrit të keqen, nëse e nëpërkëmbim dinjitetin e fqiut tonë, nëse nuk jemi të sjellshëm me prindërit tanë, me jetimët. Do të na godasë mallkimi i Zotit nëse e mendojmë vrasjen e njeriut, nëse e planifikojmë shqetësimin dhe prishjen e rehatisë së njeriut, do të jemi të urryer nëse planifikojmë shkatërrimin e pronës së njeriut. Do të jemi të dëbuar nga mëshira e Zotit nëse të gjitha këto veprime neveritëse e të djallëzuara i bëjmë në emër të fesë, në emër të Islamit, i cili e ka për bazë Librin e dritës, të paqes, të dashurisë e të mirëqenies. Allahu xh.sh. në Kuranin Famëlartë thotë: “Ne ta zbritëm librin e vërtetë, që është vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues i tyre. Gjyko në mesin e tyre me atë që zbriti Allahu. Mos ndiq dëshirat shfrenuese të tyre e të largohesh nga e vërteta që të ka ardhur. Për secilin prej jush kemi përcaktuar ligj e program. Sikur të donte Allahu, do t’ju bënte një popull, por Ai deshi që t’ju sprovonte në atë që ju ka dhënë. Prandaj konkurroni në punë të mira. Të gjithë do të ktheheni tek Allahu, e Ai do t’ju njoftojë për atë që kundërshtoheshit”. (El Maide: 48)
Do ta arrijmë kënaqësinë e Krijuesit tonë vetëm atëherë kur para tij gjithmonë do të jemi të sinqertë, të dashur dhe humanist; të sinqertë në raport me urdhrat e Tij, të dashur në raport me krijesat e Tij si dhe humanistë në raport me skamnorët, të varfrit, jetimët, bonjakët. Lus Allahun xh.sh. me gjithë shpirt që ky Muaj të na gjejë sa më të përgatitur shpirtërisht, sa më të devotshëm dhe të vullnetshëm në kryerjen e ibadeteve dhe obligimeve tona fetare. Agjërim (përtej kuptimit të tij të ngushtë) e paçim tërë jetën tonë. Kurse agjërimin (në kuptimin e ibadetit të Muajit Ramazan) ishalla e kemi të lehtë e të mbarë. Le ta presim me padurim ditën e parë të agjërimit. Muhamedi a.s. thotë:“Çdo punë e njeriut i përket atij dhe për atë vepër do të shpërblehet dyfish, madje deri shtatëqind herë. Allahu i madhëruar thotë: “Pos agjërimit. Ai është Imi dhe Unë shpërbëj për të, sepse agjëruesi për Mua ka braktisur kënaqësitë dhe ushqimin.” Agjëruesi ka dy gëzime: kur bën iftar dhe kur do të takojë Allahun, dhe kjo do të ndodhë në botën tjetër, kur njeriu do të dëgjojë thirrjen: Ku janë agjëruesit? Le të hyjnë në xhenet përmes derës Rejan, përmes së cilës nuk mund të hyjë askush tjetër përveç tyre.” (Buhariu dhe Muslimi)
Besimtarë të dashur, Ju qoftë për hajër ky Muaj i bekuar dhe kalofshi ditë të mbara, në agjërim e ibadete, gjatë këtij muaji si dhe gjatë tërë jetës suaj. Paçi bekimin e Zotit Fuqiplotë. (koha.mk)