Sergio Ramos edhe njëherë ishte vendimtar për Real Madrid në “Camp Nou” gjatë El Clasicos të së shtunës kundër Barcelona, duke bërë një gol në minutat e fundit të ndeshjes për të shpëtuar ekipin e tij nga humbja në barazimin 1:1. Gjithsesi, Dani Carvajal me sa duket e ka tepruar me gjestet e tij për shkak të adrenalinës teksa Los Blancos i gëzohej golit të Sergio Ramos. Ai është fotografuar duke i treguar gishtin e mesit sektorit të tifozëve të Barcelonas, një përgjigje që nuk i ka shpëtuar askujt në “Camp Nou”. Mbrojtësi më vonë ka kërkuar falje nëpërmjet profilit të tij në Twitter. “Dua të kërkoj ndjesë për gjestin e bërë drejt sektorit të tifozëve në përgjigje të ofendimeve. Është diçka që nuk duhet ta kisha bërë.” Mbetet për t’u parë nëse mbrojtësi do të dënohet për gjestin.