Prishtinë, 19 korrik – Me pamje tipike të një lypësi, ka kohë që është zhvendosur maje pallateve të qytetit. Bile gjatë verës, atje edhe fle. Fokusi kryesor i jetës së tij janë sorrat. Ka për qëllim t’i zhdukë ato. Ditë e natë është në vëzhgim të tyre. Ka krijuar një bindje se këto shpendë të zeza u sjellin të këqija njerëzve. Arsyen për këtë mendim e ka të fortë. Por ajo vonë merret vesh.
Lumi (Xhevdet Doda) i futur në botën e personazhit që portretizon, është shtylla e filmit “Histori maje kulmi” me regji të Gazmend Nelës, i cili bashkë me dramaturgun Arian Krasniqi ka shkruar edhe skenarin. Në rrëfimin, që nis me Lumin, shpejt gjen vend edhe Yllka (Mona Mustafa). Ajo e ka identifikuar Lumin si një njeri të ftohtë, i cili mund t’i hyjë në punë për planet që ka.
Në një orë e 14 minuta në pamje bardhezi filmi shtjellon historitë e personazheve fatkeqe. Është shfaqur si premierë kosovare, duke hapur edicionin e 10-të të festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë “PriFest”, të martën mbrëma.
“Rooftop Story” ishte dhënë premierë botërore në festivalin e kategorisë “A”, “Montreal World Film Festival” në Kanada në gusht të vitit të kaluar (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).