Delvina KËRLUKU
Asllan Hamiti lindi më 20. 05. 1960 në fshatin Goden të Gjilanit, Republika e Kosovës. Shkollimin fillor dhe të mesëm e mbaroi në Shkup me sukses të shkëlqyeshëm. Fakultetin e Filologjisë, Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqiptare në Shkup e kreu më vitin 1985. Magjistroi dy herë në fushën e gjuhësisë: në Degën e gjuhës shqipe në Prishtinë (1992) e në Shkup (1994); doktoroi në Shkup (1999). Që nga viti 1986 është në marrëdhënie të përhershme pune në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqiptare në Fakultetin e Filologjisë “Bllazhe Koneski”. Në punën pedagogjike tani më tridhjetëvjeçare, prof. Hamiti ka mbajtur apo mban mësim në studimet themelore, të magjistraturës e të doktoraturës. Ka qenë ose është titullar i disa lëndëve në fushën e gjuhësisë: Fonetikë e fonologji e gjuhës shqipe; Gramatikë e gjuhës shqipe; Dialektologji shqiptare; Histori e gjuhës shqipe; Drejtshkrim; Drejtshqiptim; Praktikum i gjuhës shqipe; Gjuhësi indoevropiane; Shkrim akademik; Metodologji e hulumtimit shkencor; Kulturë gjuhe; Histori e shqipes standarde; Filologji shqiptare, etj. Është mentor i akredituar për ciklin e dytë e të tretë të studimeve, udhëheqës shkencor i dhjetëra magjistrantëve e doktorantëve nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria. Deri më tani ka botuar mbi 100 artikuj profesionalë e shkencorë, monografi, gjashtë tekste për arsimin fillor e të mesëm si dhe katër tekste universitare. Prof. Asllan Hamiti është laureat i çmimit shtetëror “Goce Dellçev” për vitin 2014. Po kështu, më vitin 2016 fitoi Çmimin “13 Nëntori”, Dita e çlirimit të Shkupit, për ndihmesë të veçantë shumëvjeçare në fushën e shkencës e të arsimit, që kontribuojnë për afirmimin e qytetit të Shkupit e më gjerë. Ai është edhe anëtar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.
KOHA: Profesor Hamiti, keni lindur në fshatin Goden të Komunës së Gjilanit. Ndërsa shkollimin e keni kryer në Shkup. Cili është rrëfimi i fëmijërisë suaj?
HAMITI: Kam lindur në një fshat të vogël malor të Gjilanit, në një familje fisnike me katër vëllezër e dy motra. Stërgjyshin tim, Hamitin e kishin plagosur hordhitë bullgare e pas shërimit e kishin vrarë e masakruar hordhitë serbe, duke punuar në mullirin e vet, që gjendej jo larg shtëpisë së lindjes. Në vitin 1965 ima atë me dy vëllezërit e vet (tani më të ndjerë) erdhën e u vendosën në fshatin Hasanbeg të Shkupit ku edhe tani jetojmë aty. Fëmijërinë e hershme e kam kaluar në bashkësi familjare shumë anëtarësh që arriti deri më 25 veta, duke jetuar së bashku me anëtarët e familjes së dy xhaxhallarëve të mi. Aty çdokush punonte, përfshirë edhe ne fëmijët që u ndihmonim të rriturve. Aso kohe nuk kishim ndonjë pasuri të madhe, por ishim të lumtur. Mbizotëronte mirëkuptimi e respekti ndërmjet anëtarëve të kësaj bashkësie familjare. Aty rrëfeheshin anekdota, mençuri popullore, këndoheshin këngë popullore e folklorike dhe përgjithësisht zhvilloheshin biseda edukative e moralizuese. Pra, u rrita dhe u edukova në frymën e traditave e të trashëgimisë sonë kombëtare. Arsimin fillor e mbarova në shkollën “25 Maji” në Hasanbeg si njëri ndër nxënësit më të mirë të gjeneratës. Më kujtohet mirë se që në këtë moshë dëshira ime jetësore ishte që të bëhesha mësues. Ky më dukej profesioni më i mirë, më i dashur, më human dhe më i dobishëm për shoqërinë. Arsimin e mesëm e kreva në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup me sukses të shkëlqyeshëm. Si nxënës e më pas si student merrja pjesë si instrumentist në shoqërinë kulturore-artistike “Drita” të riemërtuar me detyrim në “Alija Avdoviq”. Nga kjo kohë më kanë mbetur kujtime shumë të mira: ushtrime të shpeshta, udhëtime, koncerte, incizime e dasma që kanë ndikuar dukshëm në shoqërizimin tim.
KOHA: Profesor Hamiti, ju keni përfunduar studimet në Shkup, në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqiptare. Çfarë mund të na flisni për këtë Katedër, si student dhe si profesor?
HAMITI: Është kënaqësi të studiosh në një institucion të lartë arsimor e me traditë shumëvjeçare e më pas të punosh si mësimdhënës në të. Kam pasur fatin të pajisem me dituri nga pedagogë e studiues të njohur, si nga: prof. Remzi Nesimi, prof. Xhevat Gega, prof. Zihni Osmani, prof. Haki Ymeri, prof. Avzi Mustafa (tani të gjithë në pension), prof. Zeqirija Neziri, prof. Nehas Sopaj, prof. Agim Poloska si dhe lektor Qani Memeti (tani më i ndjerë) si dhe nga profesorët e angazhuar nga Universiteti i Prishtinës: dr. Latif Mulaku, dr. Shefqet Pllana dhe dr. Imri Badallaj. Më vitin 1951 në Fakultetin Filozofik të Shkupit u hap lektorati i gjuhës shqipe, më vitin shkollor 1959/60 u ngrit në Seminar të Gjuhës Shqipe, ndërsa që nga viti 1971/72 në Katedër të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqiptare. Themelues i Katedrës është profesori dhe veprimtari i shquar, dr. Petro Janura, i cili për 20 vjet rresht ishte i vetmi mësimdhënës nga themelimi (1951) e deri në transformimin në Departament, përkatësisht në Katedër (1971). Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqiptare e Universitetit “Shën Qirili e Metodi” në Shkup është njëra ndër institucionet më të moçme të arsimit të lartë të shqiptarëve, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rrafshin kombëtar. Tani kemi tri programe studimore: a) Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare (drejtimi arsimor); b) Përkthim dhe Interpretim nga Maqedonishtja në Shqip (për studentë që shqipen e kanë gjuhë amtare) dhe c) Përkthim dhe Interpretim nga Shqipja në Maqedonisht (për studentë që shqipen nuk e kanë gjuhë amtare). Gjatë punës së saj 66-vjeçare të frytshme arsimore dhe shkencore Katedra ka dhënë dhe po jep ndihmesë të madhe për arsimimin e lartë dhe për shkencën albanologjike. Deri më tani në këtë Katedër kanë diplomuar mijëra studentë, kanë marrë gradën e magjistrit e të doktorit të shkencave disa dhjetëra kandidatë nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria, të cilët me punën e tyre arsimore, shkencore, shoqërore e përgjithësisht intelektuale janë dëshmuar mjaft të suksesshëm. Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqiptare e Shkupit në veprimtarinë e saj 66-vjeçare ka arritur rezultate të lakmueshme arsimore, shkencore e kulturore, por ajo përballet edhe me shumë vështirësi për shkak të mos përtëritjes së kuadrit, mungesës së hapësirave të nevojshme, përdorimit të kufizuar të gjuhës shqipe dhe përgjithësisht nga lënia pas dore nga organet kompetente shtetërore. Të shpresojmë se në të ardhmen punët do të ecin nga e mbara.
KOHA: Profesor Hamiti, jeni autor i shumë teksteve shkollore, universitare. Çfarë mund të tregoni për këtë kontribut të devotshëm?
HAMITI: Përgjithësisht, veprimtaria jonë mund të degëzohet kryesisht në: punë arsimore (mësimdhënie), punë kërkimore-hulumtuese (shkencore) dhe punë profesionale-pedagogjike (hartimi i teksteve mësimore). Me fjalë të tjera, mbaj mësim në tre ciklet akademike: në studimet themelore, në ciklin e dytë e të tretë, duke udhëhequr kandidatë për punimet e magjistraturës e të disertacioneve të doktoratit në Gjuhësinë shqiptare. Një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë sonë ia kemi kushtuar edhe hartimit të teksteve parauniversitare e universitare me karakter mësimor e didaktik. Si autor ose bashkautor deri më tani kemi hartuar pesë tekste shkollore të gjitha të shoqëruara me fletore pune për arsimin fillor në bashkautorësi me dr. Ismail Hamitin (Gramatikë e gjuhës shqipe për kl. III, Gjuhë shqipe për kl. V, VI, VII (lëndë me zgjedhje), Gjuhë shqipe dhe letërsi për kl. VI (gjuhë amtare), një tekst shkollor për arsimin e mesëm (Gjuhë shqipe dhe letërsi për vitin IV, njërin version në bashkautorësi me dr. Nehas Sopaj, tjetrin me dr. Zeqirija Neziri e dr. Agim Leka), katër tekste universitare, përkatësisht: “Fonetika dhe fonologjia e gjuhës standarde shqipe” (Shkup, 2005, ribotuar më 2011; “Fonetika dhe fonologjia e shqipes” – të shkruar në maqedonisht 2008, 2011). “Dialektologjia e gjuhës shqipe” (në bashkautorësi me dr. Ajten Qamilin, Shkup, 2014) dhe “Leksione dhe ushtrime për kulturën e gjuhës” (në bashkautorësi, në dorëshkrim).
KOHA: Çështja e revidimit të teksteve shkollore është proces i vështirë, andaj për eliminimin e mangësive duhet të angazhohen ekspertët më eminentë të arsimit. Por, për të arritur efektin e dëshiruar nevojitet punë dhe kohë?
HAMITI: Jo vetëm që duhen riparë e rihartuar të gjitha tekstet shkollore, por është e domosdoshme të bëhen ndryshime rrënjësore në gjithë sistemit arsimor të Maqedonisë, që nga edukimi parashkollor, arsimi fillor, i mesëm dhe ai sipëror. Planet e programet mësimore, përmbajtjet e tyre, aparatura didaktike-metodike, gjuha në to nuk janë në përputhshmëri me moshën dhe aftësitë psikike të nxënësit. Shumë libra shkollorë janë të stërngarkuar me informata të panevojshme e kërkesa të rënda, që sjellin efekte negative te nxënësit, duke shkaktuar mosinteresim dhe averzion. Thjesht, nxënësi duhet të ngarkohet me barrë aq sa mund të bart, të qëndrojë në këmbë e të mos rrëzohet, sepse mund të mos ngrihet më asnjëherë për të qëndruar në këmbë të shëndosha dhe për të ecur përpara. Marrë në përgjithësi, mund të themi se tekstet shkollore të arsimit parauniversitar në Maqedoni janë të një niveli të ulët. Ato u sjellin nxënësve njohuri të vjetruara, jobashkëkohore, të ngarkuara me paragjykime e stereotipe, me pasaktësi shkencore (sidomos librat e historisë), me përmbajtje e gjuhë që nxisin urrejte, mostolerancë, me porosi joqytetëruese etj. Siç dihet, tekstet shkollore shqipe për arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoni përkthehen nga librat përkatës në maqedonisht, përveç librave të gjuhës shqipe e të letërsisë, andaj shumë sosh lëngojnë jo vetëm nga sëmundjet e sapothëna, por edhe nga përkthimet e dobëta, aq sa në shumicën e këtyre librave kemi një gjysmëshqipe. Në pjesën dërmuese të këtyre librave gjejmë gabime gjuhësore të natyrave të ndryshme ose siç shprehet prof. Gjovalin Shkurtaj në to është bërë “masakrimi i gjuhës shqipe”: përkthim të fjalëpërfjalshëm me sintaksë të maqedonishtes; mospërdorimin me vend të emrave në rasa; përdorimin e fjalëve të huaja në vend të fjalëve shqipe; përdorimin e larmishëm e të panjësuar të termave; mbushullojnë gabimet drejtshkrimore, të natyrës fonetike, morfologjike; gabime kuptimore, aq sa në to mund të gjejmë edhe fjali e periudha të pakuptueshme. Nga kjo “shqipe e çoroditur” e kanë të vështirë të shpjegojnë arsimtarët e të mësojnë nxënësit. Për një gjendje të këtillë të mjerueshme fajin e kanë së pari institucionet përgjegjëse shtetërore. Sigurimi i librave shkollorë të cilësisë së nevojshme kërkon qasje serioze të Ministrisë së Arsimit: plane e programe të mira e bashkëkohore, mbështetje materiale e teknike, përzgjedhjen e paanshme të dorëshkrimeve nga komisioni recensues, punë ekipore profesionale etj. Të gjithë ata që përfshihen në përgatitjen dhe botimin e teksteve shkollore: Ministria e Arsimit, hartuesit, përkthyesit, redaktorët, recensentët, lektorët, korrektorët, ilustruesit, përpunuesit teknikë, botuesit etj., këtë veprimtari të rëndësishme për gjithë shoqërinë dhe ardhmërinë tonë duhet ta kryejnë me përkushtim, përgjegjësi e profesionalizëm. Pra, teksteve mësimore duhet kushtuar shumë më tepër kujdes sesa deri më tani, si në pikëpamje përmbajtjesore, ashtu edhe në pikëpamje metodike-didaktike e gjuhësore, sepse ardhmëria e një kombi varet nga shkalla e arsimimit të tij. Për të pasur rini të arsimuar e të edukuar, duhet të kemi edhe tekste shkollore cilësore e pedagogë të mirë. Njohuritë që nxënësit i marrin në shkollimin parauniversitar, janë të dobishme për gjithë jetën.
KOHA: Qëllimi kryesor i reformave të sistemit arsimor ka qenë dhe do të jetë garantimi i një sistemi arsimor modern, i cili nxit zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rrit konkurrencën në rajon e më gjerë dhe konsolidon ndërgjegjen qytetare. Si i shihni Ju këto reforma të arsimit në dhjetëvjeçarin e fundit në Maqedoni?
HAMITI: Në dhjetëvjeçarin e fundit në emër të reformave të sistemit arsimor janë ndryshuar e sjellë shumë akte ligjore (nene, rregullore, ligje). Por, për fat të keq, çdo ndryshim i Ligjit të Arsimit Fillor, të Mesëm e Universitar ishte i keq, i paarsyeshëm dhe e përkeqësonte edhe më tej gjendjen e arsimit në Maqedoni. Thjesht, arsimi u shkatërrua pikërisht me këto ndryshime të njëpasnjëshme Ligjesh dhe çdo Ligj pasues më i keq se i mëparshmi. T’ju rikujtojmë se në vitin 2011 u soll një Ligj i Arsimit të Lartë ku shumica e ndryshimeve ishin shumë të ashpra, të paarritshme, fyese, të palogjikshme, të dëmshme, centralizuese, jopraktike, të pazbatueshme, me të cilat partia dhe shteti hoqi çdo autonomi dhe fitoi të drejtën absolute për sundim. Ndryshime për të keq janë, p.sh.: heqja e autonomisë së universiteteve, heqja e kategorisë së asistentëve, vlerësimi i studentëve edhe nga një komision i jashtëm, botimi i domosdoshëm për profesorët i punimeve me faktorin impakt, dënime prej 500 e 1000 euro për mësimdhënësin për ndonjë lëshim të vogël etj. Praktika e dëshmoi se edhe shumë projekte të tjera u bënë mbrapsht: kompjuter për çdo nxënës në klasë, futja e provimit ekstern, përkthimi i 1000 librave nga gjuhët e huaja si literaturë e domosdoshme në dëm të literaturës vendore etj., etj. Motoja e ndryshimeve të Ligjit (të Arsimit Fillor, të Arsimit të Mesëm e të Arsimit të Lartë) ishte që punëtorët e arsimit të bëheshin robër të pushtetit dhe të “padëgjueshmit” e “të papërshtatshmit” t’i dënojnë e t’i përjashtojnë nga puna. Këto vërejtje i kam bërë me shkrim edhe në kohën e shqyrtimit publik të Propozim-ligjit të Arsimit të Lartë.
KOHA: Jeni një ndër punuesit e çmuar në fushën e arsimit shqip. Ku ka qenë arsimi shqip dje dhe ku është sot, në Maqedoni?
HAMITI: Me keqardhje mund të pohojmë se arsimi shqip në Maqedoni, si edhe në vendet e tjera të Ballkanit, dikur ishte më cilësor, ndërsa në dy dhjetëvjetëshit e fundit gjithnjë ka shkuar në rënie. Fatkeqësisht nga analfabetizmi klasik po kalojmë në analfabetizmin funksional, apo në “analfabetizëm modern”. Tani me shkollimin “në masë” të gjithë fëmijët tanë ndjekin shkollë fillore e të mesme, shumica prej tyre edhe universitete dhe rrjedhimisht marrin edhe diplomë. Por, disa prej tyre nuk marrin dot as njohuritë themelore profesionale. Përgjithësisht për gjendjen e mjerueshme të shkollimit shqip në Maqedoni e në rajon mund të flasë çdokush e mund të thotë shumëçka. Ky nivel i ulët i cilësisë së arsimit tonë duhet të na shqetësojë të gjithëve: prindërit, arsimtarët, nxënësit, sociologët, hartuesit e teksteve, gazetarët, politikanët … Me një punë të përbashkët të koordinuar mirë, mund të përmirësohet cilësia e shkollimit të të rinjve tanë. E gjithë kjo që u tha deri më tani, mund të përmblidhet me konstatimin se në shumicën e vendeve në tranzicion, përfshirë vendet ballkanike, edhe Maqedoninë, Kosovën e Shqipërinë, kemi anarki në arsim, te ne veçmas në arsimin shqip.
KOHA: Ka shumë kritika për nivelin e dobët të arsimit si në Maqedoni ashtu edhe në Kosovë. Çfarë masash duhet të ndërmerren për të përmirësuar këtë gjendje?
HAMITI: Konstatim i përgjithshëm është se arsimi shqip gjatë 20-30 viteve të fundit ka pasur një rënie të përhershme dhe fatkeqësisht deri më tani nuk ka shenja përmirësimi. Për të shëruar këtë epidemi të kohës, këtë gjendje alarmante, të pamirë, me pasoja të rënda për ardhmërinë tonë, duhet kushtuar të gjithë: institucionet shtetërore, politika, shkolla, familja dhe gjithë shoqëria jonë. Çfarë masash duhet ndërmarrë?
1) Të hartohet, të miratohet e të zbatohet një strategji afatgjate arsimore. Na mungon një strategji afatgjate për ngritjen e cilësisë në arsim. Lipset ristrukturuar rrënjësisht sistemin arsimor. Rinia është ardhmëria jonë. Një urti popullore thotë: “Çfarë të mbjellësh, do të korrësh”.
2) Nga organet kompetente, të investohet më shumë në arsim. Kushtet hapësinore të këqija, veçmas të shkollave shqipe, pagat e ulëta të mësimdhënësve, mungesa e mjeteve didaktike janë një ndër faktorët që ndikojnë në nivelin e dobët të shkollimit te ne, përfshirë edhe analfabetizmin funksional.
3) Të përmirësohet gjendja ekonomike e popullatës. Në shoqëritë ku popullata ballafaqohet me mungesën e të mirave materiale që janë elementare për mbijetesën e tyre, nuk mund të kërkojmë nga ta që të arsimohen. Po të shëtisësh vetëm për pak minuta nëpër Çarshinë e Vjetër të Shkupit, po edhe në çdo qytet tjetër me shqiptarë në Maqedoni, do të të dhemb shpirti kur sheh skena si në kohën e Migjenit: fëmijë që mezi ecin, fëmijë të njomë, pleq e plaka me “ftyra të zbehta e sy të jeshilta, që të shikojnë si hije e shtrijnë duart e mpita…” për të kërkuar lëmoshë ose për të të shitur ndonjë cikërrimë “sa të mos vdes urie”. Të shumtë janë edhe nxënësit e studentët që për të siguruar kafshatën e gojës dhe shpenzimet e shkollimit detyrohen të punojnë punë të ndryshme jointelektuale, punë krahu. Në rastet e tilla, kur punohet 8-10 orë në ditë nuk mbetet kohë për të mësuar.
4) Të përmirësohen e të rihartohen planet e programet, tekstet mësimore. Planet e programet mësimore, përmbajtjet e tyre, aparatura didaktike-metodike, gjuha në to duhet të jenë në përputhshmëri të plotë me moshën dhe aftësitë psikike të nxënësit. Shumë libra shkollorë janë të stërngarkuar me informata të panevojshme e kërkesa të rënda, që sjellin efekte negative te nxënësit, duke shkaktuar mosinteresim dhe averzion. Thjesht, nxënësi të ngarkohet me barrë aq sa mund të bart, të qëndrojë në këmbë e të mos rrëzohet, sepse mund të mos ngrihet më asnjëherë për të qëndruar në këmbë të shëndosha dhe për të ecur përpara.
5) Të motivohen nxënësit e studentët. Për të arritur sukses në ngritjen profesionale, njeriu duhet të jetë i motivuar. Jo vetëm nxënësit e shkollave fillore e të mesme, por as edhe studentët vërej se nuk janë të motivuar. Shumica e të rinjve tanë pjesën më të madhe të kohës po e humbin me telefon, televizor e rrjetet sociale. Të merr malli të shohësh dikë duke lexuar ndonjë libër. Pa lexim librash, nuk ka arsimim. Shumë nga të rinjtë nuk kanë vizion të qartë për të ardhmen, asgjë nuk mund të parashikohet në këtë shoqëri anarkie, ku asnjë gur më nuk gjendet në vendin e vet. Puna mund të sigurohet vetëm nëpërmjet partisë në pushtet ose nëse ikin jashtë shtetit. Të rrallë janë ata që gjejnë punë për shkollimin përkatës që kanë kryer. Kam dëgjuar shumë herë nga studentët: “nuk është me rëndësi se çfarë fakulteti mbaron, pajisu me një diplomë dhe bëju ushtar i partisë në pushtet.”
6) Mjetet e informimit të emetojnë më shumë programe arsimore e edukative. Po të shëtisim nëpër programet televizive, aty më së shpeshti shohim antivlera: seriale me përmbajtje të shfrenuara filmike, luftë, dhunë, programe politike me gjuhë të urrejtjes, këngëtare e valltare gjysmëlakuriqe, përmbajtje të turpshme këngësh e “pisllëqe” nga më të ndryshmet.
7) Prindërit duhet të kujdesen më shumë për fëmijët e tyre. Rëndom, ne i gëzohemi vetëm rastit kur fëmija jonë regjistrohet në shkollë, në klasën e parë dhe nuk mungon edhe interesimi ynë për punën e tij deri sa të mësojë të shkruajë e të lexojë, ndërsa në klasat e mëvonshme interesimi ynë zvogëlohet ose shuhet krejtësisht. Prindërit merren vetëm me punët e përditshme të mbijetesës, ndërsa për arsimimin dhe edukimin e fëmijëve nuk qajnë kokën. Po të kemi ndonjë ankesë nga nxënësi për masat pedagogjike e ndëshkuese të arsimtarit, jo rrallë prindi bëhet arrogant, agresiv e ndonjëherë edhe kërcënues, madje i dhunshëm ndaj arsimtarit. Gjatë vitit shkollor rrallë sheh prind në shkollë, në fund të vitit shkolla mbushullon me prindër që intervenojnë për nota “të shkëlqyeshme” për fëmijët e tyre. Fëmija duhet të jetë gjithnjë nën përkujdesjen e prindit: A shkon në shkollë?, Kur shkon e kur kthehet?, Çfarë sjelljesh e çfarë edukate ka? A lexon, çka e sa lexon? A i bën detyrat? Si e kalon kohën e lirë? Kur zgjohet e kur fle? Sa kohë qëndron në internet? Çka shfrytëzon nga rrjeti i internetit? etj.
8) Mësimdhënësit duhet të punojnë më me përkushtim, më me zell dhe me metoda ndërvepruese (interaktive). Për të qenë të suksesshëm, mësimdhënësi duhet të përpiqet që ta bëjë punën në mënyrën më të mirë të mundshme. Metoda klasike e mësimdhënies, veçmas metoda frontale (e ligjërimit të arsimtarit) me gjeneratat e tanishme të të rinjve nuk po jep rezultate, as edhe në fakultet. Andaj, duhet zbatuar metodat bashkëkohore në mësimdhënie. Në orët e gjuhës amtare të shmanget mësimi skolastik, të mos kërkohet nga nxënësit vetëm që të riprodhojnë atë që e dëgjojnë ose e lexojnë, por të kërkohet nga ta të flasin e të shkruajnë me një origjinalitet, stil dhe kreativitet. Mësimi i gramatikës të vihet në funksionin e zbatimit praktik në jetën e përditshme. Nxënësit të nxiten që të lexojnë sa më shumë vepra artistike me vlerë letrare e gjuhësore. Ata të motivohen të thonë atë që mendojnë (qoftë edhe gabimisht), duke mbështetur e argumentuar mendimin, të kuptojnë atë që kanë lexuar a dëgjuar si dhe të kenë qëndrim vlerësues e kritik ndaj tyre. Mësimdhënësi në vlerësimet që jep për nxënësit duhet të jetë i matur, i drejtë, jo fyes. Ndonjëherë, për fat të keq ne “luleve të njoma” (nxënësve) u hedhim ujë të valuar (valë).
9) Të mos mashtrojmë njëri-tjetrin me fryrje notash. Një ndër parimet themelore të çdo njeriu duhet të jetë objektiviteti, që nënkupton se gjërat duhet parë e vlerësuar realisht, ashtu siç janë, pa i shtrembëruar ato. E vërteta duhet mbrojtur, thënë e kultivuar, qoftë edhe nëse ajo është e hidhur. Ne për disa vjet jemi duke e gënjyer e mashtruar njëri-tjetrin: nxënësi mashtron prindin – prindi mashtron mësuesin – mësuesi mashtron shkollën – shkolla mashtron Ministrinë, Ministria mashtron Qeverinë – Qeveria mashtron botën. Thjesht, çdokush mashtron çdokënd. Praktikisht, nxënësi mashtron e gënjen prindin se po mëson; prindit i parapëlqen të besojë se fëmija i tij është në rrugë të drejtë, i bën trysni arsimtarit që t’i japë nota të larta, arsimtari mashtron nxënësin duke mundësuar për të “kopjuar, ndihmuar e treguar” në testimin intern dhe ekstern si dhe në provimin e maturës; Ministria e Arsimit e mirëpret dhe vetëkënaqet me mashtrimin e shkollave, pastaj këtë gënjeshtër e përhap nëpër botë.
KOHA: Profesor i nderuar, ju jeni edhe anëtar Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Na thoni diçka për këtë?
HAMITI: Dy akademitë shqiptare, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës qysh më vitin 2004 themeluan Këshillin Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Të dy Akademitë, duke pasur parasysh se gjuha shqipe është tipari kryesor i kombit, mjeti themelor që siguron ndërlidhjen shpirtërore midis hapësirave e vendeve që flasin shqip përtej ndarjeve administrative-politike, me krijimin e këtij Këshilli synojnë institucionalizimin mbarëkombëtar të kujdesit për shqipen standarde. Ai merret me të gjitha çështjet që dalin në fushën e gjuhës standarde dhe të përdorimit të saj. Shumica e intelektualëve shqiptarë përkrahin mendimin se duhet bërë përmirësimin e mëtejshëm të rregullave të Drejtshkrimit, duke synuar sidomos mënjanimin e përjashtimeve jo të pakta, që shoqërojnë shpesh rregullat e përgjithshme. E dëshirueshme është që rregullat e Drejtshkrimit të jenë sa më të thjeshta, sa më përgjithësuese e sa më të lehta në përdorim, që nuk kërkojnë shumë mund e energji në përvetësim. Që nga themelimi e deri më tani Këshilli ka mbajtur disa takime pune, në Tiranë e në Prishtinë dhe deri më tani ka sjellë jo pak propozime për përmirësimin dhe ndryshimin e disa rregullave të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, si: për drejtshkrimin e disa zanoreve e bashkëtingëlloreve, shumësin e disa emrave, përdorimin e shkronjave të mëdha, për drejtshkrimin e antroponimeve të huaja etj. Këto propozime për ndryshimin e rregullave ekzistuese janë bërë publike. Nga viti 2015 edhe unë jam anëtar i këtij Këshilli.
KOHA: Profesor Hamiti, koha me familjen është kohë e shenjtë dhe duhet mbrojtur e respektuar. Sa i përkushtoheni familjes?
HAMITI: Konstatimi juaj është i drejtë. Por, të them të drejtën njeriu kur pjesën më të madhe të kohës ia kushton punës profesionale, atëherë nuk i mbetet shumë kohë për t’iu përkushtuar familjes, shokëve, miqve, dashamirëve etj. Megjithëkëtë, unë kam një familje që kanë mirëkuptim për angazhimin tim dhe për çdo çështje gjejmë gjuhë të përbashkët. Unë me bashkëshorten time Nerxhivanen, çunin Fidanin dhe çupën Arjetën (studentë) jetojmë në harmoni të plotë. Kuptohet, kur mund të gjejmë ndonjë kohë të lirë edhe vizitojmë të afërmit e farefisin, dalim në piknik dhe pushimet e verës i kalojmë gjithnjë së bashku.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara