Edhe pse zonat rurale përbëjnë shumicën e territorit gjigant të Rusisë, vëmendja dhe fondet e qeverisë përqendrohen në qytete, ku shumë prej burrave të këtyre fshatrave shkojnë për të gjetur punë. Raporti femra/meshkuj është 5/1.
Fotografja ruse, Olia Ivanova, ka që në vitin 2009 që fotografon jetën në fshatrat e largët të Rusisë. Mjedisi që ka gjetur në ato zona i ka lënë përshtypje të thella.
Gjatë këtyre viteve, Ivanova vuri re se shumica e punëve në fshat bëheshin nga gratë.
Burrat e mbetur e shihnin si shenjë dobësie të përfshiheshin jo vetëm në punë, por edhe në festivale e aktivitete të ndryshme argëtimi që bënin gratë.
Edhe pse shoqëria në Rusi është kryesisht patriarkale, gratë në këto fshatra të largët ishin shtylla që mbanin gjithçka në këmbë.
Edhe pse burrat bëjnë sikur kanë pushtet, shpesh gratë janë ato që drejtojnë familjet, paratë, dhe marrin vendimet kryesore.
Megjithatë, burrat janë të mirëpritur, pasi raporti i beqarëve është 5 nuse të lira për çdo 1 dhëndër të lirë.
“Gratë kanë në dorë ushqimin dhe mbarëvajtjen e familjes. Burrat përpiqen të bëjnë sikur e kanë ata pushtetin, por janë totalisht të varur nga gratë”, thotë fotografja Ivanova.
“Prania kaq e fortë e grave në këto zona ndodh për shkak se burrat udhëtojnë për punë ndërtimi në qytete, ose si shoferë në distanca të largëta”, shpjegon Ivanova.
Një tjetër arsye se pse ka kaq pak burra, sipas Ivanovës, është abuzimi i tepërt me alkoolin, gjë që bën që burrat të vdesin shumë më herët se gratë.
“Njerëzit janë shumë të lidhur në këto komunitete të vogla. Askush nuk është i huaj, të gjithë përfshihen për çdo problem”, thotë Ivanova.
“Kur ka festa, nxirren tavolina të përbashkëta ku ulen të gjithë për të ngrënë, për të pirë e për të festuar. “Gratë në këto fshatra janë të forta, të afta të bëjnë gjithçka pa ndihmën e një burri”, thotë fotografja Ivanova.
Edhe pse të forta, gratë në këto fshatra ëndërrojnë të kenë një burrë të fortë. Ato zbukurohen dhe mblidhen te qendra kulturore e fshatit, ku bëhen festa të tipit “Disko” ose veprimtari të tjera kulturore.