Studentë dhe aktivistë të shoqërisë civile dolën në protestë përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës kundër dhunës dhe vrasjeve të grave në Shqipëri. Me moton “Dhuna nuk ka justifikim”, ata i bënë thirrje grave të mos heshtin, por të denoncojnë rastet e dhunës.
Aktivistët e shoqërisë civile i bënë apel institucioneve shtetërore të reagojnë, ndërkohë që thanë se ndryshimet ligjore të ndërmarra në këtë drejtim për aq kohë sa mbeten në letër nuk e ndryshojnë situatën, raporton “Abcnews”.
Vetëm gjashtë muajt e parë të këtij viti janë vrarë gjashtë gra.
Më të fundit janë Ardjana Shaholli nga Durrësi, e cila u godit për vdekje nga bashkëshorti pas një sherri banal dhe Xhuljata Çuni, e cila u vra ndërsa po shkonte të jepte provimin e letërsisë.