Driton ZENKU
Gostivar, 21 shkurt – Nga 31 dhjetori i vitit 2013 në Republikën e Maqedonisë filloi zbatimi i ndryshimeve ligjore për obligimin e marrjes se mendimit për shkallën e projektuar dhe të realizuar te rezistencës mekanike, respektivisht leja për gjendjen sizmike të tokës ku ndërtohet objekti, shkruan gazeta KOHA. Me ardhjen e pluralizmit politik dhe veçanërisht pas fillimit të procesit të decentralizimit, në Komunën e Gostivarit ashtu sikurse edhe në komunat e tjera, filluan ndërtimet e shumta të objekteve shumëkatëshe. Por sa investitorët kanë respektuar rregullat në aspektin e sigurimit sizmik të objekteve, ngelet çështje e hapur.
Gazeta KOHA kërkoi bilancin nga Instituti për inxhinieri të tërmeteve dhe inxhinieri të sizmologjisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, për zbatimin e kësaj predispozite ligjore nga ane e komunave. Nga atje njoftuan që nga 31 dhjetori i vitit 2013 dhe deri më 20 shkurt të vitit 2017, janë lëshuar 6896 mendime pozitive në të gjitha komunat e Maqedonisë. Aktualisht, në krye të listës qëndron Komuna e Gostivarit me gjithsej 416 pëlqime, nga të cilat 411 për objektet e larta dhe 5 për objekte të tjera. Sipas pasqyrës së siguruar nga gazeta KOHA, e dyta në rang të shtetit qëndron Struga me 369 pëlqime, e treta Manastiri me 367, e katërta Komuna e Kisella Vodës në Shkup me 311 dhe e pesta Komuna Qendër me gjithsej 302 mendime.
Nga Sektori i urbanizimit në Komunën e Gostivarit, thonë se me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të ligjit për ndërtim, të fuqizuara nga nëntori i vitit 2013, një nga kriteret e parapara për ndërtimin është edhe leja për gjendjen sizmike të tokës ku ndërtohet objekti. Pa një mendim të tillë të siguruar nga Instituti për inxhinieri të tërmeteve dhe inxhinieri të sizmologjisë në Shkup, dosja mbetet e papërfunduar dhe leja për ndërtim nuk mund të sigurohet. Deri në plotësimin e ligjit për ndërtim, investitorët nuk e kanë pasur obligim ligjor lejen e posaçme, andaj për ndërtimet e bëra në periudhën e kaluar, nuk mund të jepet ndonjë vlerësim sa i përket gjendjen sizmike të tokës ku janë bërë ndërtimet.
Jeton Salija, përgjegjës i Sektorit për Urbanizëm, thotë për KOHA se rregullat e reja vijnë nga ndryshimet dhe plotësimin e ligjit për ndërtim nga 26 nëntori i viti 2013, ku mes tjerash në nenin 4-a paragrafi 2 dhe 4 të këtij ligji, për ndërtesat e dedikuara për banim individual me bruto sipërfaqe të zhvilluar deri dhe mbi 300 m2, është i domosdoshëm mendim për shkallen e projektuar te rezistencës mekanike, stabilitetit dhe mbrojtjes sizmike të ndërtesës. “Ky mendim, është pjesë përbërëse e projektit themelore dhe dorëzohet nga ana e investitorit me kërkesën për marrjen e lejes së ndërtimit”, shprehet Salija. Ndërkohë, nga Instituti për inxhinieri të tërmeteve dhe inxhinieri të sizmologjisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, pohuan se me qëllim për të kapërcyer pasojat e efekteve shkatërruese si pasojë e tërmeteve eventuale, Maqedonia në legjislacionin e saj ka futur kritere të veçanta për projektim dhe ndërtim në rajonet aktive sizmike me qëllim që të zbuten pasojat e tërmeteve të mundshme. Kompetentët tërheqin vërejtjen se në planin e ndërtimit të objekteve me rezistencë adekuate, është e domosdoshme që nëpërmjet organit kompetent, siç është shërbimi i inspektimit në fushën e ndërtimtarisë, të sigurohet respektim i mëtejshëm i masave dhe normave teknike ndërtimore gjatë ndërtimit të objekteve, respektivisht sigurimi i lejeve të nevojshme. Në aspektin gjeomorfologjik, Lugina e Pollogut përfshi Gostivarin kualifikohet si kreshtë tektonike e rrethuar me ah në të katërta anët. Si e tillë, me gjasë është krijuar në mesin e pliocentit dhe është aktive në aspektin sizmik deri në nivelin e nëntë. Se terreni në Luginën e Pollogut akoma nuk është konsoliduar, është përdëftuar me tërmetet e shfaqura deri më tani të ndodhura në vitet 1959, 1963 dhe 1967 në Fushën e Shkupit, Dibër dhe Luginën e Pollogut. Lugina e Pollogut bie në burimet sizmike të rendit të dytë në të cilat janë viset ku kanë ndodhur dridhje magnitudë (M = 4.5 deri -5.7), gjegjësisht priten tërmete me magnitudë maksimale M = 5.5 deri 6.0 shkallë. Edhe pse komuna e Gostivar nuk është goditur drejtpërdrejt nga tërmeti, përveç dëmeve të shkaktuara të pakonsiderueshme, si rezultat i tërmetit shkatërrues të Shkupit në vitin 1963 dhe dëmet e shkaktuara popullatës së Rekës së Epërme si rezultat i tërmetit që goditi Dibrën në vitin 1967 dhe shkaku i faktit se me hartën e përgatitur sizmike të Maqedonisë, Gostivar renditet ndër komunat me shkallën më të lartë sizmike të nivelit të katërt, imponohet nevoja për zbatimin e vazhdueshëm të masave të nevojshme. Mund të thuhet se territori i komunës së Gostivarit është në një aktivitet të lartë sizmik, sepse viteve të fundit janë ndërtuar dhe ndërtohen një numër i madh i ndërtesave pa zbatim të denjë të dispozitave ligjore dhe rregullativës teknike.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.