Ferizaj voton për kryetar
Mbi 95 mijë qytetarë me të drejtë vote po votojnë sot për kryetarin e ri të Ferizajt. Në konferencën e parë për media, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi opinionin se votimet kanë nisur me kohë. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se të gjitha Qendrat e Votimit dhe Vendvotimet janë hapur në orën 7:00 sipas planit. “Procesi është duke rrjedhur normalisht, dhe po zhvillohet pa asnjë problem”, thuhet në njoftimin e KQZ. Ndërkohë, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve njoftoi edhe koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, e cila po vëzhgon këto zgjedhje. Besnik Ramadanaj nga “Demokracia në Veprim” tha se me përjashtim të disa parregullsive të vogla, procesi po ecën normalisht. “Deri më tash është raportuar për disa parregullsi të nivelit të ulët. Për shembull kemi rastin në shkollën ‘Ahmet Hoxha’, ku në të gjitha vendvotimet mungojnë listat e kandidatëve. Pra, votuesit nuk kanë mundësi t’i shohin listat. Pastaj në po të njëjtën shkollë monitoruesit tanë na kanë njoftuar se janë të vendosur disa posterë të partive politike në hyrje të shkollës, gjë që është e ndaluar dhe kërkojmë që organet përgjegjëse t’i heqin ato”.
“Po ashtu është vërejtur një numër më i madh i komisionarëve në fshatin Talinoc i Muhaxherëve dhe në Sojevë. Pra, ka pasur më shumë komisionarë sesa që lejohet”, tha Ramadanaj. KQZ njoftoi se në zgjedhjet e sotme të jashtëzakonshme për kryetarin e Ferizajt, votuesit mund të drejtohen në 25 qendra të votimit me 124 vendvotime. Për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve janë certifikuar 1.514 vëzhgues, prej të cilëve vetëm 6 janë ndërkombëtarë, kurse të tjerët u përkasin partive politike dhe organizatave joqeveritare.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarin e Ferizajt pasuan dorëheqjen e kryetarit të deritashëm, Bajrush Xhemajli, i cili u shpall fajtor si shkaktar i një aksidenti në maj të 2009-s, me ç’rast humbi jetën një person. Për kryetar të Ferizajt garojnë tetë kandidat. Ata janë: Agim Aliu - kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Salihu - kandidat i koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës - Lidhja Demokratike e Dardanisë, Ramadan Hasani nga Aleanca Kosova e Re, Naim Ferati nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje, Bujar Ademi nga Partia e Drejtëisë, Ramadan Emini nga Lëvizja e Bashkuar, si dhe kandidati i pavarur Rrahim Sadiku. (rel)
| Di | Hë | Ma | Me | En | Pr | Sh |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |





Facebook
Twitter
Google
Digg
Myspace
Yahoo MyWeb



Publikoni komentin tuaj