Por duke marrë simbolikën e lëvizjes së fjalëve dhe akrobacirat me përkthimin pa nevojë të fjalës “Ilinden”, të gjitha këto pra rrotullime fjalësh dhe akrobacira tashmë duhet të ndodhin në holle zyrash ndërkombëtare të partnerëve të mëdhenj e të rëndësishëm. Ata që dinë gjuhët, cilët do qofshin (dhe po dite gjuhë e di se ca gjëra nuk përkthehen fjalë për fjale) ato duhet t’i përdorin për të ushtruar ndikimin që çështja të mbyllet dhe shpresa e krijuar mos të shndërrohet në frikë. Gjuha duhet përdorur për të ritheksuar shpresën e cila do të çojë në perëndim edhe vendin edhe njerëzit bashkë
Nga Nazim RASHIDI
Maqedonia po kalon një prej periudhave më të rëndësishme dhe sa do që këtë fjali e kemi dëgjuar shumë, sërish e tillë është edhe situata aktuale. Jam plotësisht i vetëdijshëm se sa shumë u përdor para zgjedhjeve parlamentare, para krijimit të shumicës së re qeverisëse, sa shpesh u përdor kur u votua kryetari i parlamentit, si u përdor kur u evitua përplasja e re etnike, sa herë përdorej para ikjes së Gruevskit, e sa herë pa fund është përdorur vetëm në periudhën e mbamendjes tonë kolektive që nga pavarësia e deri më tani.
Por sërish, po kalojmë një periudhë të rëndësishme e delikate e cila nuk është e qartë se në çfarë mënyre do të kanalizojë zhgënjimet, nëse lihet përshtypja se nuk do të ketë shumë shpresë për përparim.
Një shprehje thotë, “mos qofsh i mallkuar e të jetosh në kohë interesante”. Dhe për fat të keq e tillë duket gjendja. Interesante deri në kulm, ku as e si të ndalojë ankthi dhe të kthehemi në vende ku fokus do të jetë normaliteti. I qartë jam se ne nuk do të bëhemi Norvegji menjëherë, por sërish do të ishte mirë mbase disa vite mos të kemi drama të mëdha shoqërore.
Por, ky është realiteti ynë dhe nuk mbetet tjetër veç se t’i bëjmë ballë, ashtu siç edhe ka ndodhur edhe në të kaluarën. Fillimisht të shohim propozimin e ri që do të duhej të zgjidhte mosmarrëveshjen me Greqinë, propozim aq shumë i pritur ku edhe më skeptikët, fshehurazi shpresonin se kjo çështje do përfundojë.
“Republika Maqedonia e Ilindenit” (Atë përkthimin tjetër nuk e përdor dot por do t’i kthehem dhe atij më vonë në tekst) duket një propozim që realisht mund të sjellë përparim në mbylljen e mosmarrëveshjes sepse është sqaruar më se përmban kërkesat greke duke bërë dhe një dallim nga antikiteti, që ishte një nga shqetësimet kryesore të Athinës.
Por pse refuzimi? Në fakt nuk ka as edhe rëndësi pse. Tashmë Maqedonisë i duhen miqtë e komunitetit ndërkombëtar që realisht të ndihmojnë procesin, të cilin Kryeministri Zaev e mori përsipër ta çojë deri në pikën që askush se kishte bërë deri më tani.
Nga përvoja, ngjarjet e tilla nuk është se nuk sjellin lëvizje të theksuara diplomatike, këtë mund ta vini re edhe në deklarata sa do “të thata” në dukje të zyrave të rëndësishme globale, por kjo më duhet të tejkalojë të paktën sa i përket interesit të thjeshtë të njerëzve, kortezia dhe reagimi e ndihma ndërkombëtare të jetë e konsiderueshme dhe të rezultojë me sukses.
Maqedonia nuk mbijeton dot përplasjen e titanëve politikë globalë nëse mbetet e vetme. E qartë është se gara gjeopolitike do të bëhet për çdo centimetër ndikim, por pas kaq përpjekje të madhe nuk mund të lihen njerëzit me shpresën në Maqedoni, sepse ata vetë do të nisen në Evropë. Dy milionë njerëz mund të mos jenë të rëndësishëm në fate globale, por individualisht secili prej tyre pret pak realizim të kësaj shprese.
Miqtë ndërkombëtarë nuk ka se si mos ia shpjegojnë këtë Greqisë. Dhe në fakt e gjithë situata tani po mbetet të shihet tek roli ndërkombëtar. Në të kundërt Maqedonia, e cila edhe ashtu është shpesh në erëra ndikimesh të ndryshme, do të gjendet në një furtunë implikimesh ku rusët, apo dhe ndikimet e tjera nga lindja do të jenë gati që të shfaqin më hapur interesat e tyre.
Në të kaluarën kishte koketime me këto ndikime, aktualisht ka një shkëputje të qartë duke bërë të prera aspiratat për integrimet në NATO dhe BE, por çështja është se askush nuk e di se çfarë efekti mund të sjellë një moszgjidhje e mundshme e çështjes së emrit. E ngritur aq shumë dhe duke qenë se ishte në fokus dhe gjithnjë me mesazhin se emri edhe mund të zgjidhet zhgënjimi mund të sjellë edhe pllakosje që veç se nxitjes masive për ikje, që edhe ashtu është duke ndodhur, mund të sjellë edhe implikime të tjera.
Këto konstatime nuk është se duhen marrë si formë kërcënimi, por thjeshtë si një proces reagimi aksion-reaksion, ku disa herë ligjet emocionale thjeshtë mund të prodhojnë edhe lëvizje të pa parashikuara dhe padëshiruara.
Një gjë e tillë nga ana tjetër do të vinte në një udhëkryq ters shqiptarët. Ata të tjerët në rajon janë qartë të përcaktuar drejtë Perëndimit, kjo mund të shkaktonte lëkundje brenda shqiptare si dhe në Maqedoni ashtu edhe mes shqiptarëve në rajon. Prandaj jo rastësisht roli ndërkombëtar duhet përforcuar në momentin e krijuar për çështjen që sado që dukej se ishte në prag të zgjidhjes, sërish po shfaqet si komplekse. Por tashmë kompleksiteti për shumë po krijohet nga Greqia. Pranimi i “erga omnes” dhe theksimi i një karakteri shumë etnik i Maqedonisë është momenti unik që miqtë e saj me ndikim, do të duhet ta vlerësojnë dhe të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjes, që kësaj herë më shumë mund të vijë nga Greqia. Jam i bindur se po nuk zgjodh emri shumë variante do të shfaqen për forma alternative anëtarësimi të Maqedonisë në institucionet ndërkombëtare, por të gjitha ato nuk do të jenë pjesë e synimit aktual që është interes edhe i Maqedonisë edhe shqiptarëve, anëtarësim i plotë një herë në NATO e pastaj dhe në BE.
Si rrjedhojë, (dhe po i kthehem përkthimit të emrit Ilinden), s’është kohë kompleksesh të reja si ai që u shfaq me përkthimin e fjalës “ilinden”. Shqiptarët e maqedonasit me vite kanë jetuar bashkë dhe ia dinë festat njëri-tjetrit. Një moment historik si ai i 2 gushtit 1903, ka ndodhur që të ngjajë në një ditë feste si Ilindeni. Pikërisht si e tillë prandaj përdoret lirshëm nga shqiptarët. Kjo nuk është një ditë apo term prej dje dhe do përbënte habi në përdorje. Madje në fjalimet e kësaj feste ku zyrtarë shqiptarë kanë marrë pjesë ajo asnjëherë nuk është përkthyer. Ndërkohë sa i përket strukturës së saj, që është plotësisht jo shqiptare, gjuhëtarët e shpjeguan më së miri. Atë që dua të theksoj është se nuk është moment relativizimi politik, por është një moment ku pa shqiptarët kjo çështje nuk zgjidhet, por kjo s’do me thënë se energjia duhet të harxhohet në çështje që nuk ekzistojnë apo dhe terma konfuz. Sa i përket emërtimit politika duhet t’ia lë gjuhëtarëve rregullat se si do të përdoret, por sa i përket ndikimit ajo duhet të kanalizojë energjitë. Që të kuptohet sa gabime kishte në përkthim duhet përmendur fakti, se edhe nëse përdoret termi “Ilinditase” ai do jetë në fund të togfjalëshit që përshkruan shtetin. Sepse “Ilinditase” shpjegon Maqedoninë dhe jo “Republikën”. Pra Republika s’është “Ilinditase”, por Maqedonia. Prandaj emri edhe me këtë term do të ishte “Republika Maqedonia Ilinditase”.
Por, duke marrë simbolikën e lëvizjes së fjalëve dhe akrobacirat me përkthimin pa nevojë të fjalës “Ilinden”, të gjitha këto pra rrotullime fjalësh dhe akrobacira tashmë duhet të ndodhin në holle zyrash ndërkombëtare të partnerëve të mëdhenj e të rëndësishëm. Ata që dinë gjuhët, cilët do qofshin (dhe po dite gjuhë e di se ca gjëra nuk përkthehen fjalë për fjale) ato duhet t’i përdorin për të ushtruar ndikimin që çështja të mbyllet dhe shpresa e krijuar mos të shndërrohet në frikë. Gjuha duhet përdorur për të ritheksuar shpresën e cila do të çojë në Perëndim edhe vendin edhe njerëzit bashkë. Në të kundërt do të mbesë një hallakatje, pa nevojë, mes Lindjes dhe Perëndimit, si ky diskutimi pa nevojë “Ilinden” apo “Ilinditase”.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)