Gjuha është zjarr, shkëlqim hyjnor, simbol drejtësie, sinonim i atdheut…

174

 

 

Delvina KËRLUKU

Në dekanin e Fakultetin Filologjik, pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës, dr. Fatmir Sulejmanin, bisedojmë për shumë probleme, me të cilat ballafaqohet shoqëria shqiptare, jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë. Ai flet për kulturën, arsimin, për bashkimin shpirtëror, për fëmijërinë e tij, por edhe për letërsinë shqiptare…

KOHA: I nderuari profesor, rreth nesh, fatkeqësisht, me të madhe dominon debati (mbase shterpë) për politikën, kurse kultura as si nocion nuk përmendet. Si e shpjegoni këtë yrysh në politikë, kur dihet se pa kulturë s’mund të ketë politikë?

SULEJMANI: Është e vërtetë se ndër ne dominon debati mbi politikën. Ndodh kështu, sepse i takojmë një etnie me të drejta të cunguara dhe me shumë çështje të pazgjidhura, por edhe për shkak se marrjen me politikë e konceptojmë më të lehtë se preokupimin me çështje kulturore. Kultura kërkon shpirtra të zgjedhur, thoshte Lasgushi, ndërkaq, me politikë ka raste kur merren edhe tipa me dije mesatare dhe të padijshëm fare (respekt përjashtimeve!). Kështu ndodh kudo ku politika nuk e njeh sa duhet rëndësinë e kulturës dhe nuk angazhohet për depolitizimin e mirëfilltë të institucioneve kulturore, për një status të dinjitetshëm të njerëzve të saj. Kjo është shumë e dëmshme për shëndetin e shoqërive me nevoja të mëdha për prometejë, që orientojnë kombet nëpër shtigjet e së ardhmes dhe i ruajnë ata nga manipulimet e elitave të rreme kulturore me agjenda të huaja dhe misione shkombëtarizuese.

KOHA: Absurdet e shoqërisë shqiptare s’kanë fund: ne flasim dhe angazhohemi për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet shtetërore në njërën anë, ndërkaq, në anën tjetër, përdorimi i saj i drejtë nga ana jonë neglizhohet në përmasa tragjike. Për çfarë, në fakt bëhet fjalë?

SULEJMANI: Në kujtesën e kulturave të botës, gjuha është zjarr, shkëlqim hyjnor, simbol drejtësie, sinonim i atdheut, etnisë, gjakut, farës dhe fisit, është vullnet Zoti, është identitet dhe kod mbrojtës i tipareve racore, mjet marrëveshjesh, po dhe shkas grindjesh e luftërash të përgjakshme me synime hegjemoniste.. Kështu ka qenë një dajm edhe në siujdhesën trazavaçe të Ballkanit, të banuar me popuj autoktonë e ardhacakë, që koloviten n’vorbulla armiqësishë të përhershme të nxitura nga pretendime dominimesh gjuhësore e kulturore. Të gjithë tmerret ballkanike janë prirë nga ideja e mposhtjes dhe ndalimit të përdorimit të gjuhës, me çka, me automatizëm, bëhet zap çdo frymim kulture e civilizimi i të mundurit. Rilindësit e quajtën shqipen “Gjuhë perëndishë”. Ata e mëkëmbën dhe e shndërruan atë në armë për ringjalljen e vetëdijes së shfytyruar ndër katrahura përsëritjeshpërsëriten përsëri, të bindur se shpërndarja e gjuhës është shpërndarje e gjakut dhe shuarje e etnisë. Dëshminë më të bindshme për këtë e gjejmë në fatin tonë tragjik… Së këndejmi, kërkesa për përdorimin e Gjuhës shqipe në të gjitha institucionet shtetërore është legale, po ti Delvina me të drejtë ngre dhe problemin e absurdit që lidhet me përmasat tragjike të bastardimit të saj nga vetë shqiptarët, sepse jemi ne ata që ia shkaktojmë lëndimet më të rënda, duke mos e respektuar siç e do rendi. Mjerisht, papërgjegjësia jonë ndaj gjuhës është e njëjtë kudo: në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë… E kastrojmë pariparueshëm, ia heqim rasat, trajtat, mënyrat, kohët…, ia thyejmë boshtin kurrizor – sintaksën, ia shëmtojnë muzikalitetin, e zbresim në llofkë dhe e katandisim në gjuhë paranjerëzish. Për tmerr, me papërgjegjësi të patolerueshme, këtë e bëjnë edhe intelektualët – qytetarët akademikë, publicistët, gazetarët (respekt përjashtimeve!) dhe shumë të tjerë që gjuhën e kanë mjet të përditshëm pune. Megjithatë, për mrekullinë e Zotit, edhe përkundër të gjitha përçmimeve, shqelmave e shilkave, Gjuha shqipe, me aftësinë e saj ringjallëse nga hiri, vazhdon të rrojë, vazhdon të mbetet vitorja e ekzistencës shqiptare.

KOHA: Që moti kemi konstatuar se kemi krizë të leximit, se libri nuk trajtohet siç duhet, se botuesit, me disa përjashtime, kanë humbur sensin e kultivimit të mirëfilltë të vlerave letrare, ndërkaq mos të flasim për mungesën e kritikës letrare. Çfarë po ndodh në fushën e letërsisë këtu në Maqedoni?

SULEJMANI: Ne kemi pasur përherë krizë të leximit, po sot duket se situata është më alarmante, sepse, në dallim nga e shkuara, kushtet e shkollimit janë përmirësuar dukshëm, kurse analfabetizmi gati është zhdukur plotësisht. Shkaqet e leximit të paktë sigurisht janë të shumta, po ndër to më shpesh përmendet rënia e nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm, ku duhet të kultivohet shija estetike dhe ngjallja e dashurisë për librin dhe, gjithsesi, teknologjia digjitale dhe interneti që ka robëruar vëmendjen e të rinjve, duke u shndërruar madje edhe në sëmundjen e shekullit XXI. Meqë punoj në një katedër gjuhe e letërsie, ku studiojnë kryesisht të rinj e të reja që janë përcaktuar për fushën që kërkon lexim të vazhdueshëm; duke qenë se një kategori studentësh lexojnë shumë, lexojnë thellë dhe premtojnë se nga mesi i tyre do të dalin krijuesit dhe studiuesit e së ardhmes, mbase nuk kam një pasqyrë të saktë lidhur me rënien e nivelit të leximit, por është evidente se, parë në tërësinë e tij, fenomeni i braktisjes së librit është i dukshëm. Me sa mund ta kuptoj prej kontakteve me të rinjtë, më duket se një pjesë e tyre kanë informacion, po ai është i përciptë, i sipërfaqshëm, i pamjaftueshëm dhe i rrëmujshëm. Informacioni i tillë është i tipit“kaq e flug”, si thotë populli, ndërkohë që ne pretendojmë pajisjen e të rinjve me dije bazike, me njohuri të thelluara dhe të qëndrueshme, me dije të ashtuquajtura të fjetura, që përbëjnë sfondin mbështetës të profesionistit të një fushe. Por, ku ta di njeriu? Ndoshta e ardhmja i takon librit elektronik, aq më tepër kur tani më kemi libra, revista, gazeta, madje edhe biblioteka te tëra të digjitalizuara. Përndryshe, me problemin në fjalë përballet edhe Shqipëria dhe Kosova, ku ka pasur kulturë më të madhe leximi. Krizë ka dhe bota, që gjithashtu nuk është si dikur, kur edhe në metrotë e qyteteve të mëdha mund të shihje udhëtarë duke lexuar libra, kurse sot i sheh duke surfuar nëpër universin e paskajshëm të telefonave inteligjentë. Ç’të them për botuesit që tejkalojnë në numër krijuesit seriozë? Hiq përjashtimet e pakta, mund të them se shumica botojnë vepra që nuk i hynë në punë askujt. Këtë dukuri të shëmtuar, që shënon stinën e ligë të një kulture dhe që vë në shkallë të njëjtë mediokritetin me krijuesit e talentuar, e dinë të gjithë, po nuk e thotë njeri shkaku i konformizmit dhe mungesës së guximit qytetar. Kjo, natyrisht, dëmton pariparueshëm shijen estetike, sepse trajtimi i njëjtë i veprës së mirë me shkarravinën, nuk i lë hapësirë krijimit të modelit që duhet ndjekur brezat e rinj. Në kësi ambientesh ku gjithë ata që merren me shkrime kanë një lloj padurimi për t’u bërë të lavdishëm dhe letrarë të mëdhenj, edhe kritika letrare nuk është ajo që duhet të jetë. Kështu, për të bërë një armik të përbetuar, mjafton të mos e vëndosh autorin në shkallën ku ai e sheh veten, sepse janë të rrallë ata që veprën e konceptojnë të ndarë nga autori, ashtu siç ndodh në gjithë botën. Këtë e kam përjetuar në lëkurën time, kur vitin e shkuar mbajta një ligjëratë në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe fola për letërsinë shqipe në Maqedoni. Natyrisht nuk munda të flas për gjithsecilin krijues dhe gjithsecilën vepër, as pretendova se gjykimet e mia janë të padiskutueshme. Thjesht: shpërfaqa bindjet e mia, pa pritur që të përbaltem shtazërisht, vetëm pse emrin e një kurgjëje nuk e kisha vënë në shkallën e caktuar kierarkike, ku, për shijen time bëjnë pjesë ca të tjerë. Të merremi vesh, me këtë nuk dua të justifikoj mungesën dhe heshtjen e kritikës letrare ndër ne.

KOHA:Natyrisht, as arsimi shqip nuk është në nivelin e duhur, për të mos thënë se është katandisur keq. Ju, meqë punoni në një institucion të lartë arsimor, më drejtpërsëdrejti ballafaqoheni me këto probleme. Si ta kthejmë arsimin shqip në rrjedhat normale?

SULEJMANI: Shteti ynë i dashur po hy në çerekshekullin e dytë të mëvetësimit, pa e bërë akoma prioritet çështjen e arsimit, në asnjë nivel shkollimi. Po të ishte ndryshe, ai do të shpenzonte para për çështje arsimore, jo për luanë me pamje të egërsuar, priftërinjë mesjetarë ortodoksë që ruajnë urën e lashtë të kryeqytetit multietnik, anije anakronike në Vardarin e shndërruar në shtonë, luftëtarë me hanxharë të nxjerrë këllëfesh, që, si për t’na e bërë me dije sa bie sahati, u bëjnë karshillëk lagjeve shqiptare dhe pozojnë para gjykatave, bibliotekave, universiteteve, televizioneve publike, shtëpive operistike, teatrove, muzeve të Holokaustit…, të cilat kudo simbolizojnë paqen, mirëkuptimin dhe tolerancën ndërmjet njerëzish, kulturash dhe etnishë. Gjatë 25 viteve të shkuara kanë rrjedhur dhjetëra projekte me synim reformimi të sistemit arsimor në nivel të shkollimit fillor dhe të mesëm (gjimnazeve dhe shkollave profesionale), por gjithçka është braktisur në momentin kur janë harxhuar donacionet e jashtme, të dhuruara me dedikim konkret, jo për punë hajgaresh. Synime reformuese patën dhe seminaret e pafundme, me përfshirje të gjerë të arsimtarëve të shkollave fillore dhe të mesme, por askush nuk u interesua më pas të vjelë informacionin kthyes nga terreni, për të parë sa dhe si zbatohen në praktikë risitë dhe informacioni i hedhur pa karar në veshët e arsimtarit të zbritur në statusin e shkopit të lypsarit, që jeton për të edukuar me dashuri fëmijët e të tjerëve dhe vdes në këste të përditshme nga pamundësia e shkollimit cilësor të fëmijëve të vet. Kanë dështuar gjithanshëm testimet eksterne të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, bashkë me testet e maturës, sepse, siç thashë më lart, shteti nuk e ka në fokus arsimin. Shtoja kësaj edhe diskriminimin që i bëhet arsimit shqip, devalvimin e arsimtarit dhe zbritjen e tij te shkopi i lypsarit, për ta kuptuar mirëfilli rrethin vicioz në të cilin vërdalliset e ardhmja. Rrugëdalje ka dhe unë po përmend me këtë rast përvojën japoneze, që ngriti cilësinë e arsimit duke i dhënë arsimtarit pagën e ministrit dhe respektin e perandorit.

KOHA: Bashkimi shpirtëror i shqiptarëve akoma nuk po ndodh. Në fakt, kemi një bashkim, por që funksionon në nivelin e grupeve të interesit dhe miqësive në stilin “Unë Ty, e Ti Mua”. Pse ndodh kjo dhe deri kur do funksionojë kjo formë “e grupeve të interesit”?

SULEJMANI: Bashkimi shpirtëror i shqiptarëve nuk do të ndodhë edhe gjatë kohë, sepse aktualisht është në modë zhbërja e idesë së bashkimit. Do të jetë kështu për aq kohë sa kësaj ideje nuk i prijnë dy shtetet shqiptare, sepse kjo punë tejkalon mundësitë e individëve, kushdo qofshin ata. Mjerisht, Shqipëria dhe Kosova drejtohen nga mizëria e burrështetasve pa kod elementar etnie, pa dinjitet dhe gatishmëri, që, të paktën, të mbajnë gjallë idenë rilindëse të bashkimit. Barometër i kësaj qe takimi historik i dy qeverive të shteteve shqiptare, në të cilin, për zhvillimin e Luginës së Preshevës, ndanë 100.000 dollarë. Tejet absurde dhe fyese për kombin shqiptar, në një stinë kur Serbia për një grusht serbësh të Kosovës ndanë shumën prej 650.000 eurove për çdo ditë të Zotit. Dhe kjo nuk është e tëra. Si të bashkohemi, kur mediet nacionale në Shqipëri edhe qytetin e Kongresit të alfabetit shqip e quajnë Bitolje, kurse mua dhe ty Delvina na pandehin për maqedoncë. Si të bashkohemi kur në Kosovë u ofrohet hapësirë e paskajshme mediale trumbetuesve të kombit kosovar dhe gjuhës kosovarishte, kur në mediet publike të Kosovës, bastardohet me allahile gjuha shqipe, shenja e vetme që ruan shpresën për të qenë dhe mbetur NJË, kur në parlamentin e Kosovës janë instaluar mercenarët që fyejnë hapur heroin kombëtar të shqiptarëve, tok me emblemat tjera që kanë kapërcyer kufijtë e vorbës sonë të ngushtë kulturore, ekonomike, politike… Pjesë e kësaj loje janë bërë dhe ca letrarë, ekspertë, analistë, që bëjnë kishe nuk i shohin temat dekompozuese të substancës etnike. Për mua këto nuk janë shenja të mira, ndaj kam nisur të ndjehem si një donkishot që, me shatiçen e tij, tenton të ndryshojë kahen e rrjedhës së turbullt të lumit të vërshimtë. Besoj pajtohemi se, në krahasim me këto që përmenda, grupet e interesave meskine mund të llogariten si dëme kolaterale…

KOHA: Në kujtesën tuaj gjithsesi kanë zënë vend edhe përjetimet nga koha e fëmijërisë. A ju kujtohet mësuesi i parë, libri i parë që keni lexuar, pastaj shkrimi i parë që keni botuar. Kush ishte “fajtor” që ju t’i përkushtoheni letërsisë?

SULEJMANI: Mësuesi im i parë ka qenë Babai im. Falë Atij, rashë herët në kontakt me librin. Më kujtohet si sot, kur, për ditëlindjen time të 8-të, më dhuroi librat e ilustruar: “Maçori me çizme”, “Borëbardha”, “Ariu ne mal” dhe nja dy-tri perla të tjera të asaj moshe, të cilat i merrja kudo me vete për t’i lexuar edhe me të tjerët. Krahas tyre, fantazinë time prej fëmije e ushqenin dhe rrëfimet fantastike të Nanës Vojl (mjerkës së Babait, që kishte mbetur herët pa nënë) dhe të Dadës së paharruar (motrës sime të madhe, që nuk jeton më). Që të dyja i rrëfenin me elegancë baladat shqiptare mbi “Gjergjelezalinë” “Motrën me nant vllazën”, “Urën e detit” dhe mrekulli të tjera që mbanin zgjuar kërshërinë dhe shpirtin tim prej fëmije. Më vonë, kur “u sëmura” nga sindromi i leximit, vëllai im i madh dhe shpirtlirë, më rriti fillimisht me veprat e Mark Krasniqit, Rexhep Hoxhës, Tajar Hatipit e Mato Lovrakut, kurse më pas me tragjeditë e Shekspirit të përshtatura në prozë nga Çarls e Meri Lamb, me romanin e famshëm të Xhonatan Suiftit “Udhëtimet e Guliverit”, me kryeveprën e Viktor Hygoit “Kozeta dhe Gavroshi” , me romanin aq të kërkuar të Daniel Defosë “Robinson Kruso” dhe në veçanti me kryeveprën e rinisë sime të hershme “Konti i Monte Kristos” të Aleksandër Dymasë, të cilin mund ta kem lexuar mbi 20 herë, sepse isha i çmendur pas tij… Më duket se iu përgjigja disi pyetjes suaj lidhur me mësuesin tim të parë, librin e parë dhe “fajtorët” që më lidhën me botën univers të letërsisë. Kurse, shkrimin e parë, që e ruaj akoma si relikte, e kam botuar në gazetën FLAKA kur isha klasa e V. Fjala është për anekdotën në vijim: Mësuesi i gjuhës amtare kërkoi nga Fatmiri analizën morfologjike të fjalisë: BABI LANË TESHA. Dhe ai nisi të përgjigjet: – Fjala “babi” është përemër… – Prit, prit, e ndërpreu mësuesi. – Sqaroje përse fjala “babi” është përemër? – Sepse ka zënë vendin e nënës, u përgjigj Fatmiri.

KOHA: Çfarë paraqet për ju Tetova?

SULEJMANI: Tetova është vendlindja dhe bota e madhe e fëmijërisë sime. Është qyteti i traditave të fisme, bastioni i kryengritësve të Dervish Carës, i demonstratave të bujshme të vitit 1968, qyteti i universitetit të parë shqip në këto hapësira, qendra e lëvizjeve të para demokratike, selia e subjekteve të para politike shqiptare, arena e betejave të vitit 2001, qyteti me kapacitete të gjalla për të vënë në lëvizje sendërtimin e aspiratave kombëtare…Tetova është djepi që lindi dhe rriti personalitete të njohura të rezistencës, kulturës, artit dhe shkencës shqiptare si: Mehmet Gega, Rafi Halili, Sadudin Gjura, Jusuf Rexhepi, Arbën Xhaferi, Murat Isaku, Abdylazis Islami, Fadil Sulejmani, Remzi Nesimi, Murtezan Arifi e shumë burra të tjerë, që i dolën hakut vetes dhe Atdheut. Jo rastësisht ndaj Tetovës janë ndërsyer me kohë dhe inate, paragjykime e përçmime të padrejta, edhe përkundër të dhënës se në të janë bërë aktivitete ku një dajm kanë qenë të kyçur barabarësisht të gjithë shqiptarët e këtyre hapësirave.

KOHA: UT-ja, ku ju jeni dekan në Fakultetin filologjik, padyshim është institucioni më i rëndësishëm i shqiptarëve të Maqedonisë, sepse, siç dihet, u ngrit dhe u jetësua me shumë mund, mbase edhe me gjak. Sa ne, si shoqëri, e respektojmë këtë institucion të lartë arsimor?

SULEJMANI: Ke të drejtë Delvina. Universiteti i Tetovës është vërtet institucioni më i rëndësishëm arsimor i shqiptarëve të Maqedonisë, që përpiqet dita më ditë të konsolidohet për ta kryer sa më denjësisht misionin e tij emancipues dhe kombëtar. Në këtë udhë ai ndeshet me ndërskamca të shumëllojshme që përpiqen t’ia ndalin hovin. Ai edhe pas veprimtarisë 22 vjeçare, edhe pas zyrtarizimit të tij përpara një dekade, vazhdon të punojë në kushte më të pafavorshme se cilido institucion tjetër i arsimit të lartë në këtë vend, sepse gati 60 % e stafit mësimdhënës janë bashkëpunëtorë të jashtëm. Sa i përket punës së respektit, mendoj se populli vazhdon ta respektojë si institucion ku sot ndjekin studimet mbi 15.000 studentë nga vendi dhe rajoni. Por, ka dhe të tillë që nuk e duan dhe që e sulmojnë vend e pa vend, duke e njollosur njësoj si ata që vranë dje martirin e universitetit dhe arsimit shqip. Po e ilustroj këtë me njërën prej shpifjeve të ardhura nga qendrat e caktuara, që vihen në lëvizje veçmas gjatë afateve të regjistrimit të studentëve të rinj. Fjala është për rastin e para dy viteve kur në mediet maqedonase u publikua lajmi, sipas të cilit, në nivel vendi ka afër 2000 magjistratura dhe doktoratura falce. Këtë sihariq, mediet e vërdhemta shqiptare ia mveshën të gjithin UT, duke përsëritur me javë të tëra lajmin e 2000 doktoraturave dhe magjistraturave të vjedhura të mësimdhënësve shqiptarë. Se sa absurde ishte akuza flet e dhëna se UT akoma nuk ka aq profesorë të punësuar në 11 fakultetet e tij. Mos të keqkuptohemi: askush nga stafi i sotëm drejtues i UT nuk synon të minimizojë problemet reale me të cilat ballafaqohemi, por është evidente se po punojmë për ngritjen e institucionit me gjithë kapacitetet e mundshme. Së këndejmi, janë të mirëseardhura vërejtjet dhe kritikat qëllimmira që nuk pretendojnë ngulfatjen e institucionit, por përmirësimin e punës së tij.

KOHA: T’i kthehemi edhe një herë letërsisë shqiptare, me theks të veçantë ajo që krijohet këtu në Maqedoni. Pse kjo letërsi është kaq “e vetmuar” dhe pse akoma nuk kemi arritur që atë, së paku, ta vlerësojmë me ndonjë çmim që do të mbante emrin, bie fjala të Murat Isakut, Abdylazis Islamit etj. E themi këtë pasi një vlerësim i tillë nuk mungon në Kosovë e Shqipëri?

SULEJMANI: Pa u ndalur në rrethanat e së shkuarës, që besoj janë të njohura edhe për lexuesit e gazetës KOHA, them se letërsia shqipe që krijohet në Maqedoni, për nga vlerat, nuk është larg veprave të krijuesve të dy shteteve të sotme shqiptare. Po jap me këtë rast vetëm emrat e disa krijuesve të mirënjohur letrarë (poetë, prozatorë, dramaturgë, eseistë, kritikë letrarë, studiues…), për të lëne të lirë gjykimin e lexuesve rreth cilësisë së veprave të tyre, duke nisur me: Murat Isakun, Abdylazis Islamin, Luan Starovën, Ali Aliun, Agim Vincën, Xhabir Ahmetin, Resul Shabanin, Murtezan Arifin, Nehas Sopajn, Kim Mehmetin, Linditë Ahmetin, Shazim Mehmetin, Salajdin Salihun, Lulëzim Hazirin, Refet Abazin, Ahmet Selmanin, Xhelal Ademin, Delvina Kërlukun, Numan Mustafën, Lira Bojkun, Arlind Farizin, Vjollcë Berishën dhe shumë të tjerë, që me vepra konkrete po e ndryshojnë për të mirë imazhin e krijuesve shqiptarë në Maqedoni. Arsyeja përse kjo letërsi është akoma “kaq e vetmuar”, duhet kërkuar në komunikimin e munguar kulturor brendashqiptar, për të cilin flitet gjithandej viteve të fundit, pa gjetur mekanizmat për tejkalimin e absurdeve kulturore shqiptare. Lidhur me çmimet letrare, ndërkaq, vërtet është koha të themelohet një i tillë pikërisht me emrin e ndonjërit prej doajenëve të letërsisë shqipe në Maqedoni. Jam i bindur se do të mirëpritet.

KOHA: Në një ditë maji ju kam takuar në urën e gurit, në Shkup, në bisedën e shkurtër Ju thatë se ‘përcolla nipin, larg…’, ndërsa ecët dorështrënguar me bashkëshorten. Për ku ikin djemtë tanë?

SULEJMANI: Plagë e vjetër kjo temë dhe e dhimbshme sa s’bëhet, po akoma më e padurueshme është situata kur të rinjtë nuk kanë mundësi të ndërtojnë jetën aty ku u ka rënë koka. Ditën për të cilën flisni ju përcollëm në Norvegji nipin, me shpresën se do të arrijë të sigurojë një punë atje ku punojnë prej vitesh edhe 12 anëtarë të familjes sonë. Ishte një ndarje e pashmëngshme që lëndon njësoj shpirtrat e atyre që ikin dhe atyre që mbeten këtu, një copë e trishtë përditshmërie e lidhur për rrugëtimin njëkahësh që duhet ndërprerë para se ta mbyllim përfundimisht derën e votrës sonë të vetme të cilën Zoti e krijoi për ne.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të Ngjajshme