Urim HASIPI
Tetovë, 28 prill – Policia në Tetovë ka qasje selektive ndaj qytetarëve shqiptarë, sidomos në shqiptimin e gjobave. Këto vërejtje i bëjnë qytetarët, duke shprehur revoltën e tyre. Së këndejmi qytetarë të Tetovës dhe rrethinës vazhdimisht ankohen se pjesëtarët e policisë, bëjnë presion ndaj këmbësorëve në rrugën e Ilindenit te Xhamia e Pashës, shkruan gazeta KOHA. Ata janë ankuar se gjobat në këtë pjesë shqiptohen në baza etnike dhe se këta pjesëtarë janë shumë tolerant ndaj pjesëtarëve tjerë etnik maqedonas kur vjen në shprehje gjoba. “Kohëve të fundit, sidomos në pjesën te Xhamia e Pashës, ka kontrolle të përditshme të policisë ndaj këmbësorëve shqiptarë. Policët kanë sjellje arrogante ndaj qytetarëve shqiptarë dhe nuk janë të këtillë me qytetarët maqedonas”, thotë një qytetarë nga Tetova.
Nga Policia e Tetovës kanë mohuar këto akuza që janë në drejtim të pjesëtarëve të saj. Ata inkurajojnë qytetarët që të paraqesin rastet e këtilla. “Nëse ndonjë nga këmbësorët që kanë kryer kundërvajtje, vlerësojnë se janë të dënuar në mënyrë të padrejtë ose pa bazë, mund të dorëzojë parashtresë deri te Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë kundër pjesëtarëve të policisë që kanë qenë në kontrollet dhe parashtresa pastaj do të procedohet te kontrolli i brendshëm, e cila do të shqyrtohet. Nëse vërtetohen çfarëdo lëshime të pjesëtarëve të policisë, atëherë në mënyrë adekuate do të reagohet”, thotë për KOHA, zëdhënësi i Policisë së Tetovës, Marjan Josifoski.
Në ndërkohë, profesori universitar, Bashkim Selmani, thotë se shteti mbush arkat e saj nga dënimet që u shqiptohen shqiptarëve. Madje, sipas tij, qytetarët shumë pak janë të informuar për të drejtat e tyre. “Ndodh që brenda qytetit, sidomos në vendbanimet e Maqedonisë Perëndimore të kemi nga tre apo katër patrulla policore në komunikacion, kurse në Maqedoninë Lindore një patrullë që vepron në tre apo katër qytete. Ndalesat e shpeshta sidomos edhe në hyrje, por edhe në dalje të qytetit dhe dënimet e shqiptuara në këtë drejtim janë kundër Kodeksit Etik të Policisë, që Maqedonia e ka nënshkruar në vitin 2004, 2008 dhe 2012. Nëse një qytetarë njëherë është ndaluar nga një patrullë policore, atëherë ai nuk ka pse t’i nënshtrohet edhe një kontrolli tjetër, por këtë qytetarët nuk e dinë, por edhe policia nuk e respekton këtë rregull”, thotë profesori universitar Bashkim Selmani. Ai nënvizon se problem është se nëse dënimi është shumë i vogël dhe nëse qytetari nuk e paguan në kohë, atëherë vlera e gjobës përmes procedurës së përmbarimit arrin shuma të mëdha të papërballueshme për qytetarët. Sipas qytetarëve, gjobat shqiptohen nga 300 euro dhe pjesëtarët e policisë, kryesisht të rinj, gjobat i shqiptojnë vetëm për shqiptarët, pasi që në këtë pjesë më shumë qarkullojnë pjesëtarët e komunitetit shqiptar. Në zonat ku maqedonasit jetojnë nuk ka kontrolle të kësaj natyre, por policia fton të gjithë ata që kanë vërejtje të njëjtat t’i paraqesin menjëherë. “Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, në të gjitha aktivitetet që i zhvillon ka qasje profesionale dhe jo selektive, sepse të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, fetare politike, sociale janë të barabartë para ligjit në të gjithë sferat si edhe në sferën e komunikacionit. Kjo do të thotë se nëse qytetarët kanë vërejtje për qasje selektive mundet në çdo kohë të vijnë në polici dhe të paraqesin ankesat e tyre”, deklaroi Marjan Josifoski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.
Nga Policia e Tetovës insistojnë se edhe në të ardhmen do të përfshihen këmbësorët, me qëllim që të ngritët vetëdija dhe kultura e tyre në komunikacion, sepse edhe më tej në Tetovë dhe rrethinë, është shumë i madh numri i këmbësorëve që në mënyrë të parregullt kalojnë rrugën ku ju konvenon atyre dhe nuk respektojnë e shenjat e komunikacionit si dhe urdhrat e pjesëtarëve të policisë dhe në këtë mënyrë ata janë të rrezikuar që të aksidentohen.
”Vetëm gjatë këtij muaji janë regjistruar me dhjetëra aksidente ku kanë qenë të përfshirë këmbësorët. Pikërisht edhe për këtë shkak janë këto kontrolle, sidomos në aspektin preventiv”, tha Josifovski.. Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë këtë muaj ka përforcuar kontrollet dhe brenda kësaj jave janë vërtetuar 13 kundërvajtje të kryer nga këmbësorët dhe pjesa dërmuese e tyre do të ftohen në orë edukative.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara