Emin AZEMII
A mundet një njeri të jetë ekspert për shumëçka: edhe për politikë, edhe për ekonomi, edhe për kulturë, edhe për sport, edhe për korrje-shirje, edhe..edhe…
Dikush këtë “shkencë të gjithçkasë” do ta shpjegojë me faktin se te ne mund të mungojnë ekspertët e fushave të caktuara, prandaj, si kompensim, na paraqiten njohës enciklopedik të çështjeve që fillojnë nga politika e mbarojnë te tredhja e mizave. Një tjetër mund të thotë se ka shumë individë që janë tretur nëpër labirinthet e politikës (nëpër borde e apanazhe) dhe duke qenë argatë të politikës, ata e kanë vështirë ta thonë mendimin e tyre kompetent (kuptohet, nëse e kanë). Por, ka edhe të atillë që mendojnë se jo që mungojnë njerëz të ditur te ne, por atyre iu mungon guximi (kurrizi) qytetar për të shprehur publikisht një mendim, i cili dikujt mundet të mos i pëlqejë. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe individë që janë “kandidat potencial” për ndonjë angazhim dhe oportuniteti publik (e jo ndonjë meritë profesionale) është garanca e vetme që iu siguron atyre të jenë burokrat të ndonjë institucioni.
“Suma sumarum” do të thoshim se mendimi publik (me përjashtime) te ne vuan pasojat e një paqëndrueshmërie intelektuale, morale, e pse jo edhe qytetare. Dikush do ta kuptonte mbrapsht këtë konstatim, nëse nuk i ndajshtohen edhe shkaqet që e kanë sjellë mendimin tonë publik në këtë gjendje. Parasegjithash, do të ishte gabim të fajësohen intelektualët, ata që janë (dhe janë pak), nëse nuk studiohen pak a shumë rrethanat në të cilat veprojnë ata. Pastaj, do të ishte luks i madh të pretendojmë se me këtë traditë të shkurtër arsimimi (universitar) këtu në Maqedoni, do të arrijmë majat e mendimit publik e shkencor, me sens konkurrues me të tjerët, për çështje e fusha të caktuara. Dhe, krejt i veçantë na paraqitet një problem që ka të bëjë me mendimtarët që gdhihen si intelektualë shqiptar e ngrysen si maqedonas.
Krejt kjo dikotomi rrethanash e faktorësh e bëjnë të pamundur “kondenzimin” e mendimit publik (që rezonon shqip) në qarqe e institucione të caktuara dhe për pasojë – mungesa e elitës intelektuale na paraqitet si produkti më deficitar i shoqërisë sonë.
Por, nuk janë pa faj edhe vetë intelektualët (ata pak që janë), të cilët nuk arritën të organizohen në një mekanizëm veprues që do ti vinte në lëvizje idetë e tyre. Mund ta marrim me mend edhe përgjigjen e tyre, por nuk është vonë të provohet, të paktën prezencën e tyre të shpërndarë ta përqendrojnë në një FORUM a INSTITUT, i cili do të detektonte, në radhë të parë të kualifikuarit e fushave të caktuara dhe pastaj do të hartonte një Program aksional, me tema e ide konkrete, afatshkurtra e afatgjata.
Tani, kur po jetojmë në një “fshat global”, ku komunikimi nuk paraqet kurrfarë problemi, do të ishte e pafalshme që mendimin tonë publik të mos e menaxhojmë brenda mekanizmave adekuatë veprues dhe në funksion të prishjes së kësaj skeme të rrejshme që e ka krijuar politika se vetëm ajo është kompetente të flet për çështje madhore. Në kuadër të këtij menaxhimi gjithsesi nuk do të duhej të mungonte edhe “inventarizimi” i potencialit shkencor e akademik me prejardhje nga hapësira shqiptare e Ballkanit që ndodhet në shtetet e ndryshme të botës, i cili pa mëdyshjen më të vogël do të pranonte të jetë pjesë e ndonjë mekanizmi veprues këtu në Maqedoni, duke ofruar përvojat dhe dijet e tyre të avancuara që tash më po i zbatojnë nëpër klinika, institute, zyra avokati, studio projektimi e laboratore të ndryshme të botës.
Një popull që e ka gjithë këtë potencial nëpër botë dhe nuk e angazhon për projekte e ide të caktuara, është i destinuar të nënshtrohet dhe nënçmohet ndaj atyre që prej balte mundohen të nxjerrin kuadro e histori të shpifura. Vetëm ky mund të jetë ilaçi që do të asgjësonte gjithologët e lagjeve tona që po na e zënë frymën. (koha.mk)