Fituesi i garës së sivjeme për këngën më të mirë të Evropës, Salvador Sobral nga Portugalia i është nënshtruar transplantimit të zemrës dhe momentalisht gjendet për kurim në një spital në Lisbonë. Kirurgët në spitalin Santa Cruz njoftuan të shtunën se muzikanti 27 vjeçar pas operacionit është në gjendje të mirë. “Operacioni kaloi mirë. Ishte mirë i përgatitur. Ai është një person i ri që kupton vështirësitë e këtij operacioni”, tha kirurgu Miguel Abecasis, transmeton gazeta portugeze “Publico”. Bëhet e ditur se rikuperimi do të zgjasë gjatë, ndërsa nëse gjithçka shkon ashtu siç duhet, Sobral do të vazhdojë jetën normale. Sobral triumfoi në Eurosongun e sivjetshëm në Ukrainë me baladën “Amar Pelos Dois”. Këngën ia shkroi motra e tij Luisa.