Djaloshi i vogël po rinjihej me babanë e tij pas një mungese gjashtëmuajshe dhe ngjitej në të sikur ai të ishte ndonjë pemë. Djali i vogël përqafonte babanë dhe qëndronte mbi shpatullat e tij, shkruan sot “Koha Ditore”. Më pas, kur një video e protestës u paraqit në televizor, djaloshi mori një shkop dhe kapakun e tenxheres për t’i shërbyer si mburojë, dhe nisi të imitonte vallëzimin e pakënaqësisë në dhomën e ndenjës. Ka shumë kënaqësi dhe lehtësim tash në apartamentin modest të Feyisa Lilesas, maratonistit etiopian që fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike “Rio 2016” dhe që mori famë ndërkombëtare kur kryqëzoi duart mbi kokë sikur t’i kishte të lidhura, pas përfundimit të garës. Ishte shenjë kundër masave shtypëse të qeverisë së Etiopisë ndaj njerëzve të tij.
I frikësuar nga kthimi në shtëpi, pasi druhej se do të burgosej apo vritej apo më nuk do të lihej të udhëtonte, Lilesa 27-vjeçar qëndroi në Brazil pas Lojërave Olimpike, dhe më pas erdhi në SHBA në fillim të shtatorit. Ai mori leje qëndrimi permanent në kategorinë e individëve me aftësi të jashtëzakonshme në shkencë, art, edukim, biznes dhe sport.
Në ditën e Shën Valentinit, bashkëshortja e tij, Iftu Mulisa 26-vjeçare, vajza Soko 5-vjeçare dhe i biri Sora 3-vjeçar, u bashkuan me të, së pari në Miami dhe më pas në Flagstaff të Arizonas, ku Lilesa po stërvitet në lartësi mbidetare për maratonën (vrapim 42 kilometra e 195 metra) e Londrës që mbahet në prill. Vizat e tyre të emigrantëve janë valide deri në korrik, por edhe familja e tij shpreson të marrë “kartonin e gjelbër” për qëndrim permanent.