Shkup, 21 shtator – Skuadra e Shkupit pas gjashtë javësh të Kampionatit të Maqedonisë, si duket ka kapur ritmin e vërtet të lojës duke shënuar tri fitore të një pas njëshme edhe atë ndaj ekipeve që viteve të fundit kanë treguar futboll të mirë, Rabotniçkit, Sileksit dhe së fundmi “Skopjes”. Por, ajo që ka gëzuar stafin dhe kryesinë e klubit, të gjithë përforcimet që kanë ardhur në klub janë përshtatur shpejt me ekipin dhe nga java në javë kanë treguar rritje të formës. I fundit që iu bashkua FC Shkupi është malazezi Ivan Fatiç, i cili ndaj ‘Skopjes’ kishte debutimin e tij të parë zyrtar në fanellën e Shkupit duke u inkuadruar nga banka rezerve. Pas përfundimit të ndeshjes dhe pas debutimit të tij të parë në fanellën e FC Shkupi, Fatiç ka folur për përshtypjet e tija të para, duke u shprehur i kënaqur me dhe paraqitjen e tij pas gjashtë muajve pauzë.
“Para se gjithash ndjehem mirë për ekipin që po fiton dhe po shënon rezultate të mira. Sigurisht se ndjehem mirë edhe për veten, pasi që ndaj ‘Skopjes’ kam luajtur ndeshjen e parë pas plot gjashtë muajve. Sa i përket klubit, mundë të them se kam ardhur në një familje që më ka pranuar maksimalisht mirë dhe ashtu siç duhet”, tha për faqen e klubit Fatiç. Në pyetjen se sa e kishte vështirë adaptimin në formacion dhe ndihmën nga stafi i ekipit, malazezi tha se tani më aj Shkupin e ndjen si shtëpi të tij.
“Sa i përket asaj se si u ndjeva unë në ndeshjen debutuese, mundë të jem i kënaqur, sepse çdo fillim është i vështirë, por ashtu sikurse ecte loja ndjehesha mirë e më mirë. Me rëndësi është të vazhdojmë me rezultate të mira dhe të besojmë në sukses. Do të doja të shtoj edhe atë që dua nga zemra të falënderoj të gjithë njerëzit në klub dhe tifozët, trajneri për pritjen tepër korrekte dhe maksimumin që ka dhënë për të më përgatitur sa më shpejtë për ndeshje. Rol të madh këtu ka luajtur edhe kapiteni Suat Zendeli, por nuk mund edhe të mos e përmend Omer Bunjakun të cilin tani e dua sikurse vëlla timin. Me një fjalë dua të them se ndjehem si në shtëpi. Shpresoj që vetëm të kemi shëndet dhe mendoj se ky klub meriton më shumë se sa të luftojë për mbijetesë”, përfundoi malazezi i Shkupit Ivan Fatiç.
Në ndërkohë futbollistët pas fitores ndaj ‘Skopjes’ kanë vazhduar punën për ndeshjen e radhës, e cila do të luhet të dielën (24.09.2017), në Tetovë kundër skuadrës së Renovës.