Delvina KËRLUKU
Dennis J. Farrington u lind në vitin 1947, në Portin Ellesmere, në veriperëndim të Anglisë, zonë kjo e dëmtuar nga bombardimet gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë luftë i janë vrarë të dy gjyshërit. Ndërsa, babai i tij u solidarizuar në misionin e paqes. Pas një fëmijërie të vështirë, ai përfundon shkollën fillore dhe të mesme në vend. Studimet Universitare i përfundon në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin Kent, në vitin 1969. Doktoraturën do ta nis në FSHN, ku edhe do të transferohet në Irlandën e Veriut. Gjatë viteve 1882 – 1986 do të përfundojë fakultetin: Arsimimi, ku specializohet në fushën “Menaxhimi arsimor”, në “Open Univeristy”, në Milton Keynes – Angli. Një kohë do të jetë i angazhuar si nëpunës në Qeverinë e Anglisë – Londër. Për pesë vite deri më 1986 do të jetë drejtor i burimeve njerëzore, në Sekretariatin Administrativ te Universiteti Hull, në Kingston-Upon-Hull, Angli. Pesëmbëdhjetë vite, deri më 2001 do të jetë sekretar te “Universiteti Stirling”, në Skoci, Mbretëria e Bashkuar. Një periudhë të gjatë kohore ka ushtruar misionin për reformat e reja në arsim dhe zhvillimin e arsimit dhe shkollave në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Ukrainë, Moldavi, Armeni, Kazakistan -në Nepal, Bhutan, etj. Në Maqedoni vjen me të njëjtin mision, për avancimin e arsimit. Nga Nëntori i vitit 2001 në Universitetin e Evropës Juglindore, Tetovë, do të ushtroje vendin e punës si sekretar i përgjithshëm, ushtrues i Dekanit të Drejtësisë, ushtrues Prorektori, që nga viti 2008 kryetar i Bordit etj.
KOHA: Z, Farrington, keni ardhur në Maqedoni të ndihmoni përparimin e arsimit. Sa ka pasur regres dhe sa ka ecur në rrugën e progresit, gjatë periudhës që Ju operoni, në vendin tonë?
FARRINGTON: Unë kam ardhur në Maqedoni në vitin 2000 me kërkesë të Komisarit të ë për arsim të lartë, Maks van der Shtul, kështu që janë kërkuar njerëz prej vendeve të ndryshme, për të zgjidhur çështjen e arsimit të lartë të shqiptarëve në Maqedoni, sepse në vitin 1994 kishte disa tentime për të pasur një ligj të ri për arsimin e lartë. Kështu që, Këshilli Evropian dhe agjencitë tjera kishin refuzuar propozim ligjin e përgatitur, sepse propozimi nuk ofronte bazë të qëndrueshme se do të zgjidhte çështjen e arsimit të lartë për shqiptarët. Ne të gjithë e dimë historinë e Universitetit të Tetovës dhe lidhjet me Universitetin e Prishtinës, i cili nuk njihej nga autoritetet serbe gjatë asaj kohe dhe të dyja ishin universitete paralele. Gjithashtu, në vitin 1999 – 2000, ne filluam të punojmë në Kosovë me Këshillin e Evropës në përpilimin e Ligjit për arsim të lartë. Në të njëjtën kohë, deshëm që të zgjidhim problemin edhe me Universitetin e Tetovës dhe çështjen e arsimit të lartë të shqiptarëve këtu. Atë çka ne me të vërtetë deshëm, ishte që të tentojmë që Universitetin e Tetovës ta sjellim në qendër të diskutimit dhe të bindim Qeverinë e Republikës së Maqedonisë për të autorizuar arsimin sipëror në gjuhën shqipe, si e drejtë e njeriut dhe si e drejtë e etnitetit shqiptar për ta sjellë atë në sektorin publik. Gjatë asaj kohe kishte disa negociata mes Këshillit të Evropës, OSBE dhe institucioneve tjera, por nuk kishte ndonjë konkluzion, sepse edhe nuk kishte vullnet të mirë në mesin e udhëheqjes së Universitetit të Tetovës, Bashkësisë Ndërkombëtare dhe Qeverisë së Maqedonisë. Gjëja e parë që bëmë pastaj, ishte takimi me Komisionin, i cili merrej me përpilimin e Ligjit për arsim sipëror. U takuam dhe diskutuam çështjen në Klubin e deputetëve. Zotërinjtë nga pala maqedonase ishin kundër çdo sugjerimi që kishte të bëjë me akreditimin e arsimit të lartë për shqiptarët në Maqedoni, me arsyetimin se kjo do të ndikonte në ndarjen e Maqedonisë. Edhe në disa raste të tjera, madje edhe tani, e dëgjoj atë se nëse u jepen të drejtat shqiptarëve, do sjellë deri te ndarja e shtetit. Thanë se nuk do të lejojnë asnjë universitet në gjuhën shqipe. Diskutimet dhe negociatat e mëtutjeshme ishin me kryeministrin dhe ministrin e Arsimit në atë kohë, prof. Gale Galev nga Universiteti i Shkupit, Arbën Xhaferi dhe njerëz të tjerë dhe erdhëm në idenë që të themelohet një universitet joshtetëror në afërsi të Tetovës, që do të siguronte arsim sipëror dhe kualitativ i akredituar në gjuhën shqipe, por njëkohësisht do të ishte i hapur edhe për të tjerët, sepse qëllimi që nga dita e parë ishte kualiteti. Në fund, ky sugjerim u pranua dhe në veçanti prof. Galev, na ndihmoi shumë, që kjo të kalojë në Qeveri dhe në Parlament. Kështu, në vitin 2000 u miratua Ligji i ri për arsim sipëror dhe Këshilli i Evropës dhe unë si pjesë e tij, kishim ndikim se si ai ligj është përpiluar, që lejoi arsimin sipëror në gjuhën shqipe. Ne pastaj caktuam mjete për ndërtimin e atij universiteti jo shtetëror dhe tashmë është e njohur ajo që ndodhi më pastaj. Por, Universiteti i Tetovës nuk deshi të jetë pjesë, sepse dëshironte që të njihet si universitet shtetëror. Ideja me Qeverinë e atëhershme ishte që UEJL të ishte bartëse e Universitetit të Tetovës, por me ardhjen e qeverisë së re, në vitin 2004, u vendos që të themelohet Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe që atëherë kemi dy universitete paralelisht. Në ndërkohë janë dhënë sugjerime të shumta për ndryshime në Ligjin për arsim sipëror në Maqedoni, që të jetë më fleksibil dhe që të lejojë universitetet me inovacione dhe t’u sigurohen studentëve aftësi që ju duhen për botën moderne. Të gjitha shtetet evropiane bëjnë rishqyrtimin e sistemit për arsim sipëror, kështu që edhe Maqedonia duhet të bëjë të njëjtën gjë, sepse nëse mbeteni me sistemin e vjetër të ngurtë, rezultatet do të jenë tronditëse dhe te banorët do të kenë rezultate që do të shkaktojnë vuajtje. Resurset njerëzore duhet të trajnohen dhe aftësohen, që të merren me botën dhe punët e arsimit, të cilat ekzistojnë, pasi që sot, punët bëhen nga robotë dhe kompjuterë, kështu që ata duhet të aftësohen më gjerësisht në disiplina më specifike. Sistemi nuk mund të shkojë më mbrapa sesa është, por nuk ka bërë progres të mjaftueshëm. Janë bërë shumë tentime për t’u përmirësuar, si për shembull, projektet me Bashkimin Evropian, në lidhje me sigurimin e kualitetit dhe të gjitha gjërat moderne që i kemi të njohura. Maqedonia është pjesë e procesit të sistemit arsimor të Bolonjës, por nuk merr pjesë aq shumë aq sa marrin shtetet tjera dhe mendoj se pasi të themelohet Qeveria e re do t’i kthehemi diskutimeve që i kemi pasur para dy viteve me z. Gruevski dhe ekipin e tij të ministrave që të kemi një konferencë ndërkombëtare, për të diskutuar formën e arsimit në Maqedoni dhe Ligjin e ri për arsimin sipëror. Atëherë kishte vullnet për të diskutuar për një gjë të këtillë, por situata politike u ndryshua. Z. Gruevski, nuk është më kryeministër dhe asgjë nuk mund të bëjmë derisa nuk kemi qeveri stabile. Mund të diskutojmë, por nuk mund të bëjmë gjë. Reformat në arsimin sipëror duhet të jenë në tri shtylla: Njëra është reformat në Ligjin mbi arsimin sipëror, i cili duhet të jetë më pak mikromenaxhues, shtylla e dytë është sistemi i fondacionit, që është që prej para pavarësimit të Maqedonisë, gjegjësisht reforma e fundit është bërë viteve të 80-ta, dhe kjo duhet të ndryshojë, kështu që ka një projekt nga Banka Botërore, për momentin, që kërkohet një zgjedhje dhe shtylla e tretë është sigurimi i kualitetit, sepse ekzistojnë disa norma ndërkombëtare për kualitetin e universiteteve. Maqedonisë i mungon vlerësim i jashtëm i universiteteve. Në Maqedoni nuk ka Agjenci për vlerësimin e kualitetit të universiteteve, sikurse kanë shtetet fqinje, veçanërisht Kosova, e cila ka Agjenci për vlerësimin e kualitetit të universiteteve që funksionon mirë, kështu që duhet të ketë reforma edhe në atë fushë. Ekzistojnë shumë ekspertiza që do të mund të ndihmonin. Këtyre ditëve UEJL është vizituar nga një delegacion i Asociacionit të universiteteve evropiane, për të bërë vlerësimin e institucionit, nëse i është përshtatur normave evropiane. Ky nuk është Bashkimi Evropian, por është institucion evropian për arsim të lartë, që është më i madh se BE, i cili ka 47 shtete anëtare, për dallim nga BE që ka 27 shtete anëtare. Vizitorët janë nga vende të ndryshme të Evropës dhe Turqisë. Baza kryesore është se reformat janë të nevojshme.
KOHA: Ju vini nga Britania e Madhe, vend ky i pasur në çdo sferë të jetës. Sa larg është Maqedonia në aspektin e arsimimit dhe standardin e jetës në përgjithësi?
FARRINGTON: Nuk ka krahasim të tillë. Nuk mundet aspak të krahasohen këto dy vende. Mbretëria e Bashkuar ka katër vende anëtare dhe jo katër shtete, Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda Veriore. Të gjitha këto katër shtete kanë sistem ndryshe të arsimit sipëror, sisteme të veçanta të fondacionit. Në Angli studentët paguajnë prej 10 deri në 11 mijë euro në vit. Këto para huazohen dhe pastaj i kthehen shtetit në periudhë prej 30 viteve. Derisa studenti të mbarojë studimet mund të harxhojë rreth 75 mijë euro, të cilat duhet t’i kthejë brenda 30 viteve. Kështu, në Angli pagesa e studimeve ka kaluar prej në atë shtetërore në atë private, ku studenti paguan, por jo gjatë studimeve ose para se të fillojë studimet. Pagesa bëhet pasi të kryhen studimet, në periudhë prej 30 viteve, ashtu që nëse keni një punë të mirë, mund të paguani shpejt, por nëse nuk keni ndonjë punë të mirë, nuk do të paguani gjë derisa të keni limit të pagës 24000 euro në vit, që është një pagë mesatare në Angli. Sistemi në Maqedoni është shumë më ndryshe, sikurse në disa vende të tjera, pagesa në universitetet shtetërore është më e ulët. Skocia është e ngjashme me vendet tjera. Maqedonia nuk është e jashtëzakonshme në atë aspekt, por është e vështirë të kesh kualitet të arsimit të lartë, nëse nuk ka fonde të veçanta. Po presim raportin e Bankës Botërore, por e vetmja gjë për të ndikuar në të është që të ketë një sistem të pagesave. Është shumë vështirë për të bërë një krahasim mes dy vendeve, por krahasimi mund të bëhet me vendet që kanë histori të ngjashme, si me Slloveninë, Kroacinë. Për shembull, Sllovenia sipas të dhënave të fundit, jep të holla publike në arsimin sipëror tre ose katër herë më shumë sesa Maqedonia për kokë studenti, si për shembull, nëse Maqedonia jep qindra euro për një student në universitetet shtetërore, Sllovenia jep mijëra euro për një student, por kjo është sepse Sllovenia është bërë anëtare e BE-së para disa viteve dhe se ka përfituar shumë nga anëtarësimi. Ne kur filluam këtu menduam se Maqedonia do të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2010, sepse ishim dëshmitarë të fishekzjarrëve kur Maqedonia filloi procesin e negociatave në vitin 2005, por më pas, çdo gjë u ndal dhe Maqedonia nuk arriti të përfitojë nga ajo. Nëse Maqedonia dëshiron t’i bashkohet BE-së ose jo është çështje e Maqedonisë, pasi që siç e dini, vendi im po largohet nga BE si rezultat i votës së lirë demokratike. Mendimi im është se nëse Maqedonia dëshiron t’i bashkohet BE-së, duhet të bëhet me votë të njëjtë të lirë dhe demokratike, dhe është e qartë se shumica e banorëve të vendit tuaj dëshirojnë t’i bashkohen BE-së, e kjo mund t’i ndihmojë arsimit sipëror, sepse mund të ketë më shumë para dhe më shumë mundësi për mobilitet, kur të jeni pjesë e BE-së.
KOHA: Si e keni njohur Maqedoninë para se të vini këtu dhe a përputhej perceptimi i juaj me realitetin?
FARRINGTON: Kah fundi i viteve të 90-ta unë kam qenë i angazhuar së bashku me Këshillin e Evropës në përpilimin e një udhërrëfyesi për Ligjet për arsim sipëror për vendet e Evropës. Ka pasur misione të anëtarëve të Komisionit Evropian në Maqedoni, ekip të ekspertëve, të cilët përpilonin raporte dhe këto raporte kanë qenë tepër kritike në lidhje me çështjet e shqiptarëve në Maqedoni. Unë nuk kam qenë në Maqedoni, por bazohesha në raportet që vinin për të bërë punën time, por gjatë asaj kohe kam qenë në vendet e ish Jugosllavisë dhe në Shqipëri. Në realitet, pata filluar në Shqipëri. Kisha qenë në Slloveni, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë. Herën e parë në Maqedoni kam ardhur në vitin 2000, pak para se të kishte përfunduar lufta në Kosovë dhe isha rrugës për të shkuar në Prishtinë nga aeroporti i Shkupit. Por, unë asnjëherë nuk kam qenë këtu, as nuk e dija se ku ishte ky vend. Në realitet, m’u desht ta shoh në hartë se ku po shkoja. Unë e dija që Maqedonia ekzistonte, pasi që prindërit e mi ishin në këto anë gjatë kohës së Jugosllavisë dhe gruaja ime më kishte thënë se në kohën kur kishte qenë studente, me tren kishte kaluar këndej për të shkuar në Selanik. Kështu që prindërit e mi dhe gruaja ime kanë qenë këtu para meje. Pastaj, prej aeroportit me taksi kam arritur në kufi me Kosovën. Ishte një përvojë e vërtetë, pasi që udhëtoja në mes të natës dhe kështu arrita në Prishtinë. Pastaj, u desh të punoj një kohë të gjatë në Kosovë në Ligjin për arsim sipëror. Pas një kohe, këshilltarët e Maks van der Shtul më ftuan dhe ju thash se mund t’ju bashkëngjitëm projektit. Kështu, unë nuk dija asgjë për Maqedoninë derisa arrita në Shkup, por u deshtë të lexoja raportet e misioneve që ishin gjatë viteve të 90-ta. Siç thash, kishte tentime për të përpiluar një ligj për arsimin sipëror gjatë viteve të 90-ta, që nga pavarësimi i shtetit, por ato propozime nuk përmbushnin kërkesat e komunitetit ndërkombëtar, pasi që nuk përfshiheshin shqiptarët në ato propozime. Siç kam theksuar edhe në raportet e mia, nuk konsideroj që shqiptarët janë pakicë, ashtu siç nuk i konsideroj republikanët dhe katolikët pakicë në Irlandën Veriore, pasi që nëse përbëni 30 për qind të popullatës nuk mund të jeni pakicë. Mund të jeni grup më pak se shumica, por jo pakicë. Pakicë janë popujt si romët dhe grupet tjera, të cilat gjithashtu duhet të mbrohen, po pala maqedonase në anën tjetër të tavolinës, shqiptarëti konsideronin si pakicë. Para se të dukem këtu, perceptimet e mia për Maqedoninë bazoheshin në raportet që i lexoja, e realiteti ishte në momentin kur aterrova në aeroport, që ishte ngjashëm si në Prishtinë dhe Tiranë. Në atë kohë kushtet ishin të varfra, por gjërat kanë përparuar brenda 17 viteve.
KOHA: Ju keni kontribuar për çështjen e edukimit dhe arsimimit, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë, madje keni arritur deri në Azerbajxhan e Kazakistan. Çfarë e dallon këto vende nga njëri, tjetri?
FARRINGTON: Duke filluar nga ish shtetet sovjetike, së pari isha në Rusi, Ukrainë, Bjellorusi, Azerbajxhan, Armeni, Kazakistan. Këto shtete kanë histori të njëjtë, pasi që kanë dalë nga i njëjti shtet komunist, i cili ka ekzistuar që nga viti 1917 ose 1918. Ato shtete u shndërruan nga një sistem centralist, në një sistem modern. Interesant është fakti se përpara Bjellorusia kishte një universitet të madh të pylltarisë, ku studentët nga i gjithë Bashkimi sovjetik studionin aty. Edhe pasi Bjellorusia u bë e pavarur, vazhdon të ketë universitetin e madh të pylltarisë, por me numër jo të mjaftueshëm të studentëve. Ata nuk kanë pasur edhe koncept të lirisë akademike ose autonomisë institucionale, dhe çdo gjë ishte e re për ata. Edhe në Shqipëri kur arritëm për herë të parë, nuk kishin fjalë për të përshkruar parimet që neve mundoheshim t’i shpjegojmë. Duhej të bëja dallimin mes “chairman” dhe “president”, që në gjuhën shqipe është një fjalë “kryetar”. Pasi Shqipëria posa kishte dalë nga sistemi totalitar, ishte e vështirë që të binden, gjërat nuk mund të dirigjohen vetëm nga qendra. Çdo gjë u bë hap pas hapi, duke prezantuar autonominë dhe progresin gjatë asaj kohe dhe për të zvogëluar orientimin centralist të universiteteve. Ne bëmë punën tonë pasi që kishim profesorë nga Gjermania dhe Holanda, që kishin një histori të gjatë në lidhje me autonominë akademike. Shqipëria si duket ka pëlqyer këtë dhe tani Universitetet në Shqipëri po punojnë sikurse në vendet tjera. Sa i përket Maqedonisë, edhe ky vend vinte nga një ish vend socialist, si Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ishte ajo ndjenja se pavarësimi i fakulteteve ishte problem i madh për atë sistem të Jugosllavisë. Sistemi fillimisht u prezantua në Kosovë, Bosnjë, dhe pastaj në Maqedoni, Serbi dhe vende të tjera të ish Jugosllavisë. Megjithatë, ende është ajo ndjenja se fakultetit nuk i jepet shumë rëndësi, duke mos ditur se fakulteti është nëndegë e universitetit. Eksitojnë dallime mes dy grupeve të shteteve, njërit grup të shteteve që vijnë nga Bashkimi Sovjetik dhe tjetri grup i shteteve nga ish Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Që të dyja grupet kanë dallime dhe qasje të ndryshme. Këshilli i Evropës ka dhënë maksimumin që t’u jepet autonomi e plotë universiteteve, si dhe njëkohësisht përgjegjësitë që dalin nga ajo autonomi për universitetet për të ridefinuar rolet e trupave udhëheqës, drejtorive, rektorateve të universiteteve dhe për të ridefinuar marrëdhëniet mes ministrisë, gjegjësisht qeverisë dhe universiteteve. Kështu që secili shtet ka ligjet dhe rregullat e ndryshme, secili shtet ka kushtetutën e vet dhe disa në disa shtete universitetet janë plotësisht të pavarura. Edhe Maqedonia ka Kushtetutën e vet, në të cilën universitetet janë autonome dhe autonomia e tyre është e rregulluar me ligj.
KOHA: Çdo politikë kur transferohet nga një vend në një tjetër, kalon përmes filtrave të caktuar të perceptimit të agjentëve që ndihmojnë importimin e saj si dhe filtrave të tjerë që aplikohen në përshtatjen dhe zbatimin e reformës. Kjo do të thotë që reforma mund të mos zbatohet në tërësinë e vet, por vetëm ato elementë që i interesojnë grupeve më të fuqishme të interesit? Flasim për reformat në arsim, që ju i zbatoni!
FARRINGTON: Kur ne filluam, deshëm që të arrihet autonomia më e lartë e mundshme. Dhe, sa më shumë të jetë e mundur të largojmë ndikimin e politikës nga universitetet, por shumica e njerëzve nuk besonin një gjë të tillë dhe nuk besonin se Maqedonia ose Kosova kanë universitete që nuk janë të ndikuara nga politika. Më herët na thoshin se janë nën kontroll të PDSH-së, ose emëronin njerëz në bazë të nepotizmit. Këto gjëra kanë ndodhur. Ne ishim nën sulm të vazhdueshëm nga ish udhëheqja e UT-së, jo ajo e tashmja, por udhëheqja e dikurshme. Ishte e vështirë për t’i bindur njerëzit se ne jemi dhe mbetemi apolitik dhe nuk marrim referenca nga njerëzit që i njohin. Më duhet të them se shumica e kolegëve tanë në Universitetet e Tetovës dhe Shkupit, e ndajnë atë shqetësim dhe kanë përfituar nga ajo, sepse ndihen të mbrojtur nga ndikimi politik dhe kanë ndjenjën për inovacione dhe për prodhim të ideve të reja, pa pasur ndikim nga ndonjë parti politike. Por, nuk është e mundshme dhe nuk e shoh të dukshme se një gjë e tillë mund tërësisht të eliminohet nga koka e njerëzve brenda një periudhe kaq të shkurtë, sepse jeni në një shtet që dikur ka qenë nga ish vendet jugosllave dhe më herët nga Perandoria Osmane, ku njerëzit i kanë kryer punë njëri tjetrit, e ky është një mentalitet krejtësisht tjetër që është ndryshe nga ai në Mbretërinë e Bashkuar. Kështu që ka njerëz që nuk i shohin interesat e përgjithshme para interesave të veta. Ekziston një numër i vogël që mund të jenë ndikues politikisht. Ne çdoherë duhet t’u themi të gjithëve se jemi këtu për qëllimet që i kemi shfaqur që kur kemi ardhur, se jemi të hapur për të gjithë, nuk jemi veprues politik, nuk kemi ardhur për përfitime personale, nuk kemi ambicie për të kontrolluar botën dhe shpresojmë që do të mund të bindim të gjithë për atë, por jo çdokush është bindur. Fryma jonë është të ndjekim normat ndërkombëtare evropiane të edukimit, do të jemi autonom, nuk do të kërkojmë ndonjë nderë politike dhe do të mbetemi të pavarur sa më tepër të jetë e mundur. Kjo do të jetë në interes të studentëve dhe të stafit tim, posaçërisht në interes të studentëve, sepse studentët do të mund të jenë dëshmitarë se pjesëtar i ndonjë partie politike nuk do të mund t’i paraqitet dekanit të fakultetit që t’i jepet studentit të tyre dhjetë, sepse një gjë e tillë do të jetë e papranueshme. Nuk do të funksionojë ashtu. Unë besoj se gjërat do të përmirësohen, jam i bindur se po. Deri në vitin 2020, kur do të largohem, në Maqedoni do të duhet të kemi strukturë të re të arsimit sipëror, ligj të ri të arsimit sipëror, sistem të ri të fondeve dhe të gjitha universitetet do të mund të trajtohen si të pavarura. Nuk do të them se do të jetë numri i njëjtë i universiteteve, se ka numër të madh të universiteteve, pasi që është një vend i vogël. Ndërsa tani keni themeluar dy universitete të reja, keni themeluar një universitet që po vepron, Universiteti “Nëna Tereza”, dhe kërkesa për lokacione për këto universitete nuk është e qartë. E dimë se tani ka më shumë vende të zbrazëta në universitete dhe fakultete sesa ka njerëz që dëshirojnë të jenë në universitete dhe kjo është skeptike, kështu që duhet të jetë dilemë nëse duhet të hapen universitet në kohën ku ka shumë vende të zbrazëta në universitetet ekzistuese. Arsyen që kam dëgjuar nga Prof. Pollozhani ishte që të hapen fakultete në gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze, të cilat ligjërohen vetëm në gjuhën maqedonase në Universitetin e Shkupit dhe universitetet në Maqedoni. Domethënë, që të sigurohet arsim modern teknologjik për ata që flasin gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze,do të thotë universitet të ri të teknologjisë. Kjo është një ambicie shumë e madhe dhe vërtetë është ambicioze, por që kërkon një investim jashtëzakonisht të madh të parave. Kjo ishte arsyeja se pse UEJL dëshironte që të ndihmojë në zhvillimin e këtij institucioni. Parlamenti vendosi që të themelohet dhe ne duhet të pranojmë miratimin e Parlamentit. Por, ideja ishte që t’u ndihmojmë, që në një farë mënyre të vihet deri në një bashkëpunimi mes tyre dhe neve, derisa të zhvillohen me kalimin e kohës dhe derisa ata kanë fakultet teknologjik e ne nuk kemi, kështu që na u duk e logjikshme të bashkëpunojmë me ata. Bëhen bashkëpunime dhe shkrirje të universiteteve në Asociacionin Evropian të Universiteteve (AEU), shumë shtete kalojnë përmes këtij procesi, si p.sh Norvegjia, Franca, Mbretëria e Bashkuar është një prej tyre, duke i sjellë institucionet së bashku, jo për shkaqe politike, por për shkaqe akademike dhe financiare. Duke përdorur udhëzimet e prodhuara nga AEU, e bëjmë këtë si bazë për diskutimet tona me njerëzit për bashkëpunimin tonë të afërt. Kjo u keqkuptua duke menduar për shkrirje, por kjo është e pamundur, sepse ne jemi universitet me 5000 studentë, ndërsa ata janë me 200 studentë, nuk kanë as objekt të specifikuar dhe janë në suazë fillestare. Ne vetëm kemi dashur të ndihmojmë dhe në asnjë mënyrë të marrim diçka ose të bëjmë diçka për shkaqe politike. Për të themeluar një universitet me fakultete teknologjike, duke supozuar se mund të fitojmë të holla për të ndërtuar veten, mendoj se është jashtëzakonisht shumë vështirë në situatën ekonomike në të cilën gjendet Maqedonia, pasi që do të kushtojë shumë në të holla. Gjatë kalkulimeve që bëra erdha në përfundim se janë të nevojshme miliona euro për themelimin e një fakulteti teknologjik. Ato janë shumë më shtrenjtë se kjo, këto janë vetëm zyra, por që të themelohen vende eksperimentale, zona për tërmete, me të gjitha kontrollet, makinerinë e rënda, madje para disa ditëve isha në Ambasadën amerikane dhe pashë terrenin nga aty dhe ishte në rregull. Tërësisht e mbështes këtë iniciativë, derisa është në kuadër të planit të përgjithshëm për arsim sipëror. Nuk është ide e mirë për të bërë diçka pa konsideruar gjatë tërë sistemit. Unë do t’ju ndihmoj, ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Universitetit “Nënë Tereza”. Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë gjithkujt, por duhet të ketë një lloj force racionale të bazuar në realitet. Është ide e madhe! Z. Gruevski ishte krenar që kishte krijuar fakultete të disperzuara nëpër terë vendin, por ekzistojnë çështje për atë gjë, pasi që bëhet fjalë për kualitetin që duhet të shfaqet. Pajtohem se është ide e mrekullueshme për të inkuadruar banorët nga zonat e largëta në sistemin arsimor, por duhet të shihet edhe aspekti i kualitetit. Kështu që, kur të kemi qeverinë e re, shpresojmë të riaktivizojmë planin që kishim me qeverinë e kaluar, për të bartur një diskutim ndërkombëtar për të ardhmen e rregullores për arsimin sipëror për Republikën e Maqedonisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara