Adem XHELADINI
Kërçovë, 19 prill – Mbi 40 pjesëmarrës të fushës së kërkimeve etnologjike kanë marrë pjesë dje në Konferencën shkencore “Etnokultura në trevën e Kërçovës”, të organizuar nga Shoqata e Etnokulturës Shqiptare “Etnoalb” nga Shkupi. Fillimisht në praninë edhe të auditorit të interesuar të Kërçovës, organizatorët ishin përkujdesur që përmes një programi me pika artistike ta bëjnë hyrjen dhe hapjen e punimeve të kësaj konference dyditore, shkruan gazeta KOHA. Kësisoj, në ambientet e QT “Arabella”, përpos hulumtuesve shkencorë të etnokulturës shqiptare, janë prezantuar edhe vëllezërit Dervishi, Grupi i valleve të burrave të Kërçovës, si dhe një grup i vajzave nga shkolla fillore e qytetit të Kërçovës. Përpos kësaj, në skenë kanë spikatur edhe melodi me kavalla nga Qemal Kadriu, Mexhait Ramadani dhe Ardian Osmani, të cilët kanë shfaqur pika me interes për auditorin, dhe të cilat u mirëpritën nga të pranishmit. Për t’u dëshiruar mirëseardhje pjesëmarrësve të kësaj konference, fjalën e hapjes e mori kryetarja e Shoqatës “Etnoalb”, Bukurije Mustafa, e cila theksoi se”Etnoalb është një shoqatë e re, që në vete ngërthen një grup entuziastësh që morën mbi supe barrën e hulumtimit në fushën e etnomuzikologjisë dhe etnokulturës. Kërçovën e kemi zgjedhur si trevë e pasur e etnokulturës shqiptare dhe kësisoj do të vazhdojmë me hulumtimin dhe afirmimin e vlerave etno-kulturore dhe për këtë nevojitet një periudhë me e gjatë kohe”, ka theksuar mes të tjerash, Bukurije Mustafa, duke iu drejtuar auditorit të pranishëm.
Ndërkohë, Agron Xhagolli, nga Instituti i Folklorit në Tiranë ka theksuar se “ndodhem për herë të tretë në Kërçovë, hera e parë gjatë vitit 1998 dhe së dyti më 2003 kur së bashku me kolegë nga Instituti i Folklorit në Tiranë ishim për hulumtime në këtë trevë dhe kjo është hera e tretë që po ndodhem këtu, por kësaj radhe në kuadër të kësaj konference tejet të rëndësishme për shpalosjen e vlerave etno-kulturore”, ka thënë mes të tjerave ai. Kurse, studiuesja Drita Halimi-Statovci, nga Katedra e Etnokulturës dhe Antropologjisë pranë Universiteti të Prishtinës, theksoi se “ky takim që ka të bëjë me trashëgiminë etnokulturore shqiptare do të ndikojë që të shpalosen shumë tema të rëndësishme dhe kësisoj të nxirren në sipërfaqe të dhëna të rëndësishme nga hulumtimet në terren, të cilat më pas do të shërbejnë si dëshmi për vlerat e pasura etnokulturore të shqiptarëve të Kërçovës, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi. Me një konferencë si kjo nderohet jo vetëm lashtësia, por kësisoj ne nderojmë edhe vetë qenien tonë, vlerën tonë”, tha mes të tjerash Drita Halimi-Statovci nga Instituti i Etnokulturës dhe Antropologjisë në Prishtinë. Përndryshe, gjatë dy ditëve me temat e tyre u shfaqën Agron Xhagolli, Zymer Neziri, Zeqirja Neziri, Bardhosh Gaçe, Hamit Xhaferi, Avzi Mustafa, Izaim Murtezani, Feti Mehdiu, Vebi Bexheti, Bekim Ramadani, Osman Adili, Edlira Çerkezi, Mustafa Ibraimi, Daim Dalipi, Arsim Canolli, Tahir Zajazi, Bukurije Mustafa, Hirijet Ziberi, Ilmi Veliu, Nexhat Mehmedi, Arijana Seiti, Erodita Qorrkadiu dhe Jehona Ajradini, të cilët shpalosën tema që nga vlera etnokulturore e këngëve të kreshnikëve, e deri edhe te arti i tatuazhit dhe vlerat e veshjeve të Kërçovës. Punimet e prezantuara pritet që së shpejti të botohen në një libër të veçantë dhe i cili do të paraqesë një vlerë e dokumentuar nga ku studiuesit e ardhshëm, do ta kenë më të lehtë qasjen për të hulumtuar vlerat e shumta etno-kulturore të rrethinës së Kërçovës. Pas përfundimit të takimit, pjesëmarrësit realizuan edhe një vizitë në fshatin malor dhe historik të Qafës, ku vizituan edhe përmendoren e Sulltanës së Qafës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara