Fatos RUSHITI
Shkup, 13 tetor – Dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale – partitë politike shqiptare pretendojnë fitore në disa prej komunave rurale që në rrethin e parë. Në disa prej komunave si në Çair, Tetovë, Gostivar, Dibër dhe Strugë po zhvillohet një garë më e ashpër në opinion, ndërkaq në komunat tjera – gara ka qenë më pak e zëshme mes kandidatëve për kryetar të komunave, shkruan gazeta KOHA. Vëmendje të madhe po merr gara për Tetovën mes katër kandidatëve që duket se nuk kanë shumë dallime mes vete, sipas sondazheve partiake dhe atyre nga organizatat joqeveritare. Në Tetovë, partitë garojnë me eksponentë më të lartë të tyre – BDI me nënkryetaren Teuta Arifi, Lëvizja BESA pretendon fitore me kryetarin e saj Bilall Kasami, PDSH po ashtu ka pretendime serioze për të shkuar në rreth të dytë me nënkryetarin Bardhyl Dauti, dhe po pretendime të mëdha ka edhe Aleanca për Shqiptarët përmes anëtarit të Kryesisë qendrore, Adnan Neziri. Garë e ashpër po zhvillohet edhe në Gostivar mes nënkryetarit të BDI-së, Nevzat Bejta që mban për katër vite karrigen e të parit të kësaj komune, Sekretarit të përgjithshëm të ASH-së, Arben Taravari, por krahas tyre pretendent serioz për të shkuar në rreth të dytë llogaritet edhe Asaf Ademi i Lëvizjes BESA. Lufta për të fituar Strugën ka marrë vëmendjen e opinionit për faktin se pretendenti serioz për të fituar prapë këtë komunë është vetë kryetari i ASH-ë, Ziadin Sela, ndërsa BDI kërkon më çdo kusht ta rikthejë Strugën me Ramiz Merkon, ish-kryetarin e parë shqiptar të kësaj komune dhe njërin ndër eksponent më të fortë të BDI-së në Njësinë e pestë zgjedhore.
ÇAIRI MERR EPITETIN E GARËS SË FORTË
Me interes të madh po pritet edhe rezultati në Dibër, komunë kjo ku për tre mandate fiton BDI, ndërsa kryetari aktual, Ruzhdi Lata, ishte protagonist i debateve të forta me kundërkandidatë e tij nga Lëvizja BESA, Xhemal Çupi dhe atij nga ASH, Arben Agolli. Po nga të gjitha këto duket se epitetin e garës më të fortë politike e ka marrë Komuna e Çarit, për faktin se nga njëra BDI është në koalicion me LSDM-në dhe bën luftë të mos lëshojë komunën. Nga ana tjetër, Lëvizja BESA – Çairin e llogarit si bazë kryesore të sajën nga ku dhe kanë dale pothuajse eksponentët e lartë partiak, njëri ndër ta Zeqirija Ibrahimi është zgjedhur ti prijë garës për kryetar kundrejt rivalit të BDI-së, Visar Ganiu, atij të ASH-së Faruk Abdiu dhe kandidatit të PDSH-së, Idriz Orana. Me interes të theksuar po pritet se kush do të fitojë në Likovë, ku BDI ka simbolikën partiake nga konflikti i vitit 2001 dhe ka kandiduar Erkan Arifin, ndërsa Lëvizja BESA pretendon fitore të sigurt që në rrethin e parë me anëtarin e Kryesisë qendrore, Shaban Zendeli. Kur jemi tek pretendimet për fitore në komunat shqiptare, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pret fitore që në rrethin e parë në së paku pesë komuna shqiptare, ndërsa në të tjerat pretendon të fitojë në të gjitha komunat ku aktualisht partia e tij udhëheq, në disa prej tyre prej tre mandatesh si Likova, Kërçova, Çairi, Tearca, Bogovina, Zhelina. Synimet për fitore, duke u bazuar në klimën pozitive që mbizotëron në elektoratin e tij, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti i shfaqi gjatë një interviste dhënë agjencisë kosovare të lajmeve Kosovapres. “Më 15 tetor pres një kthesë pozitive dhe shihet ajo gjatë takimeve që kam unë me elektoratin, gjate takimeve që kam me votues, simpatizues, simpatizantë të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe ka një kthesë të mirë krahasuar me zgjedhjet e 2016-ës, zgjedhjet parlamentare që ishin, tani kemi një frymë shumë pozitive. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 ishin një stuhi goxha e rrezikshme që për pasojë – humbëm gati tetë mandate dhe nuk i fitoi asnjë parti politike shqiptare ato tetë mandate, por pas çdo stuhie ka edhe viktima, ka edhe pasoja. Si duket, ne e mbijetuam këtë stuhi, qytetarët e kuptuan që Bashkimi Demokratik për Integrim është i interesuar për avancimin e çështjeve në Maqedoni, në të gjitha fushat, si në fushën për zhvillim të brendshëm, si në afrimin e komuniteteve dhe në veçanti në afrimin e komunitetit shqiptar”, tha Ahmeti. Kreu i BDI-së thotë se aktualisht partia e tij udhëheq me 16 komuna, nga 18 sa janë gjithsej komuna shqiptare në Maqedoni. Ndërkaq, Ahmeti pretendon se pas 15 tetorit, BDI do të ruajë këtë numër të komunave që do të udhëheq. Madje, ai vlerëson se në së paku pesë komuna – do të fitojnë që në raundin e parë, derisa në të tjerat presin të fitojnë në raundin e dytë. Mirëpo, Ahmeti thekson se shqiptarët në Maqedoni nuk kanë nevojë më shumë se dy parti politike që do t’i mbronin interesat e tyre në institucionet e Maqedonisë. Sipas tij, nga stuhia e vitit të kaluar, më së shumti pësuan shqiptarët. Megjithatë, Ahmeti vitin 2016 e quan një mësim të mirë për shqiptarët, duke e parë shqiptarët se nga gjithë ato shpifje, ajo propagandë që bëhej kundër BDI-së deri në ekstrem, deri në devalvim në këto treva, ishte vetëm të fitojnë një copë pushteti. Sepse, ai shprehet i gatshëm që nëse ka prova – të hapet dosje hetimore për partinë që ai drejton, nëse ka keqpërdorur besimin e qytetarëve. Përçarja e shqiptarëve, sipas Ahmetit, po ndodh për shkakun e ambicieve personale të disa njerëzve, por edhe investim të shërbimeve të huaja, sidomos Rusisë e cila është prezente në Maqedoni. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, megjithatë ka bërë thirrje për zgjedhje të qeta dhe dalje sa më masive të qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.
ASH THOTË SE DO JETË SURPRIZA E 15 TETORIT
Pretendime për fitore në të gjitha komunat shfaqi dhe nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi. Lëvizja BESA hyn në këto zgjedhje me pretendime që ti fitojë në të gjitha komuna ta shqiptare”, kështu tha shkurt Zeqirja Ibrahimi gjatë një konference për shtyp ku denoncoi shkeljet e privatësisë së tij nga binomi militant siç tha ai të BDI-së. Fitore që në rrethin e parë në shumicën prej komunave shqiptare pretendon edhe Aleanca për Shqiptarët, ndërsa në rrethin e dytë llogarisin në fitore në mbi 15 komuna shqiptare. “Aleanca për Shqiptarët do të jetë surpriza në zgjedhjet lokale të 15 tetorit, duke sfiduar oponentët politikë edhe në komunat ku ata llogarisin në fitore të sigurt edhe përkundër asaj që kanë kandidat të dobët në garë. Në rrethin parë, shanset e mëdha i kemi të fitojmë në Strugë, Dibër, Gostivar, Vrapçishtë dhe Bogovinë. Në rrethin e dytë shpresojmë të marrim Tetovën, Tearcën dhe të gjitha komunat tjera ku do të jemi në garë”, thotë për KOHA, Flakron Bexheti, anëtar i Kryesisë qendrore i ASH-së. Ai, këtë fitore e bazon në dy fakte, e para në rënien permanente të mbështetjes së BDI-së në elektoratin shqiptar, duke përmendur këtu dhe shkakun se është në koalicion me një parti maqedonase dhe dyta – që Lëvizja BESA nuk i përfaqëson në tërësi interesat e elektoratit shqiptar në Maqedoni. “Nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, BDI ka tendenca të rënies së vazhdueshme në përkrahjen e qytetarëve shqiptarë, kurse partitë tjera nuk kanë lëvizur pozitivisht, ndërsa vetëm Aleanca ka ngritje të madhe në elektorat. Nuk është e rastit që edhe anketa e fundit na nxjerr vetëm 1 për qind pas BDI-së dhe po 1 për qind para BESËS. BDI ka lidhur koalicion me një parti maqedonase dhe ka pasur zero rezultate në të gjitha komunat, bile disa kanë pasur dhe afera korruptive. Lëvizja BESA assesi nuk mund ti përfaqësojë të gjithë shqiptarët në pushtet lokal, andaj alternativa është të votohet ASH për një fitore surprizë në këto zgjedhje”, thekson Flakron Bexheti nga ASH.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.