Evis HALILI
Shkup, 26 mars – Edhe pse kanë kaluar më shumë se pesë vjet, që kur procesi i ndryshimit të emrave të disa prej rrugëve kryesore në Komunën e Çairit mori miratimin e Qytetit të Shkupit, emërtesat e reja i gjen vetëm në disa tabela, por jo edhe në dokumentet zyrtare, shkruan gazeta KOHA. Madje, ndryshimet e emrave të disa rrugëve nuk i gjen as në vetë “google map” e faqes zyrtare elektronike të komunës ku qëndrojnë emrat e vjetër, si Llazar Tërpovski, Sevastopollska, Dërvarska e të tjera. Banorët e kësaj komune korrespondencën zyrtare, faturat për shërbimet e ndryshme i kryejnë me adresat e vjetra, pavarësisht se tabelat në rrugët ku jetojnë kanë ndryshuar. Në lagjen e Topanës jo vetëm faturat e ujit, energjisë elektrike…, vijnë në emrin e dikurshëm Llazar Tërpovski, por edhe fatura të tjera që mbajnë vulën e komunës vijnë me adresën e vjetër. “Është irritues fakti që në tabelën në rrugë shkruhet Ferid Murati, ndërsa në dokumente asgjë s’ka ndryshuar, ka mbetur po emri i vjetër. Kjo situatë bëhet akoma edhe më e pakuptueshme kur vetë komuna në komunikimin zyrtar përdor emrin e vjetër”, thonë banorë që jetojnë në rrugën që mban emrin e nobelistit Ferid Murati. Zyrtarisht ka ndryshuar vetëm një rrugë – ish Vodnjanska, që gjendet jashtë Komunës së Çairit dhe e cila tani mban emrin e shenjtores shqiptare – Nënë Tereza. Emrin e zëvendësuar e gjen jo vetëm në tabelë, por edhe në “google map”. Në komunë nuk japin asnjë shpjegim, jo vetëm për ngecen e procesit të vendosjes së emrave, por edhe me vetë zyrtarizmin e tyre. Zair Bekteshi, kryetar i Këshillit të komunës nuk është i qartë lidhur me këtë çështje. I pyetur se deri ku janë me vendosjen e emrave të rinj nëpër rrugë, ai pohon shkurt se ndryshimet mund të shihet në portalin e Qytetit të Shkupit. “Procesi vazhdon sipas procedurës, ne propozojnë një grup emrash dhe këshilli i miraton”, thotë Bekteshi. Nëse do të respektoheshin procedurat, grupi i punës i përbërë nga këshilltarë të komunës duhej që brenda këtyre viteve, pavarësisht dhënies së pëlqimit nga Qytetit i Shkupit, duhej të kishte bërë një skemë të shpërndarjes së emrave të rinj. Lista me emrat e rrugëve, bulevardeve, urave e të tjera që duhej të ndryshonin brenda territorit të kësaj komune është e gjatë. Mes tyre mund të veçohen ato të “Dardania”, “Dervish Hima, “Tirana”, “Viktimat e Bllacës”, “Iliria”, “4 Dhjetori”, “Lidhja e Pejës – Besa Besë” , “Nacional Demokratët Shqiptarë” “11 Marsi”, e të tjera. Por vetëm pak emra prej 45 të propozuar kanë ndryshuar. “13 Gushti Marrëveshja e Ohrit”, në vend të “Roman Kaskalçevi”, ish “Rifat Burxheviç” me “Ismail Kadare”, rruga “Sevastopolska” u ndryshua me “Kumbaraj”, rruga “Virgino” në “Fan Noli” dhe “ Dërvarska” në Çarshi u zëvendësua me “Azem Hajdari”. Emri i Nënë Terezës që gjendej në listën e emrave shqiptarë ishte i vetmi që doli jashtë kësaj komune, duke u zëvendësuar rrugën “Vodnjanska”. Propozimet janë bërë nga këshilltarët e BDO-së në Qytetin e Shkupit, ku po ashtu është miratuar edhe lista me emrat e rinj të propozuar nga VMRODPMNE, në frymën e projektit “Shkupi 2014”. Ndryshimet e emrave të rrugëve kanë konfrontuar vazhdimisht këshilltarët, kryesisht ato të LSDM të cilët kanë qenë kategorikisht kundër emërtesave të reja.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara