Ilirian GJIKA
1. Me një popullsi prej 100 000 banorësh, Elbasani sot ai është një nga qytetet më të mëdha dhe më të rëndësishme të Shqipërisë. I shtrirë në fushën me të njëjtin emër, në “qendër’’ të hapësirës shqiptare, Elbasani është vendosur përgjatë luginës së mesme të lumit Shkumbin, në një lartësi prej 120 m mbi nivelin e detit. I përmendur jo vetëm si një qytet industrial apo kryqëzim i rëndësishëm rrugësh, ai është edhe një qendër universitare, edhe me kontribute të tjera në fushën e kulturës, nga ku mund të përmendim një sërë figurash intelektuale si Aleksandër Xhuvani, Hasan Ceka, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Fatos Kongoli etj. Kënga popullore qytetare, banjat termale të llixhave, festimet e Ditës së Verës, gatimet dhe ballokumja e kanë bërë atë të njohur brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë që jeta zhvillohet pa ndërprerje që nga viti 1466, koha kur një nga njerëzit më të fuqishëm të botës së atëhershme vendosi gurin e tij të parë.
2. Si vendbanim, ky qytet përmendet për herë të parë në shekullin II, me emrin Scampis dhe shërbente si stacion i rrugës antike “Egnatia”, e cila lidhte Perëndimin me Lindjen. Me këtë emër ai do të përmendet edhe në itineraret romake të udhëtimit, përgjatë shekujve III dhe IV. Ndërsa në vitin 476 historiani bizantin, Malkusi, e cilëson atë si “qendrën më të rëndësishme midis Durrësit dhe Ohrit, nëpërmes të cilit kalonte rruga “Egnatia”. Po ky historian na përmend se këtë vit qyteti u pushtua nga Teodoriku, prijësi i ostrogotëve barbarë. Në shekujt V-VI, Skampini do të përmendet si qendër peshkopale, i cili bënte pjesë në provincën e Epirit të Ri me qendër Durrësin. Në analet e historisë së kësaj periudhe përmenden peshkopët Artemius, viti 459, dhe Troins në vitin 519 (Acta Albaniae, I. 40.) Ndërkohë që kalaja e Skampinit duhet të jetë ndërtuar për herë të parë në shekullin IV, në kohën e Perandorit Kostandin i Madh. Ajo i shërbente një qyteti-kështjellë, funksioni kryesor i të cilit ishte ruajtja e rrugës “Egnatia”, si arterie me rëndësi të veçantë komunikimi. Planimetria e saj ishte në formën një katërkëndëshi pak a shumë të rregullt me përmasa 308 x 348 m. Kalaja kishte në të katër cepat kulla të mëdha, të cilat shoqëroheshin në çdo 40 metër nga 22 kulla të tjera në formë U-je ( Gj. Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, Tiranë 1981, f. 110). Fortesa ishte e pajisur me dy hyrje kryesore, të cilat u korrespondonin të dy anëve të rrugës “Egnatia” dhe ishin të mbrojtura nga dy kulla, që ndodheshin në murin perëndimor dhe lindor të saj. Një tjetër hyrje ndodhej në murin jugor, ndërsa një kanal tri metra i gjerë qarkonte të gjithë kështjellën.
Nuk dihen shkaqet se përse ky qytet-fortesë nuk përmendet më nga historia pas shekullit VI, të cilën ai do ta rifillojë në vitin 1466. Pas rrethimit të dytë të Krujës nga sulltani turk Mehmeti II, qyteti do të rindërtohej në formën e një kështjelle me emrin Il-Basan (vend që sundon). Gjatë viteve të pushtimit turk (1479-1912), Elbasani u kthye në një qendër sanxhaku me një ekonomi tregtare-zejtare që kishte ndikim në të gjithë Shqipërinë e Mesme. Ndërsa në periudhën e Rilindjes Kombëtare Elbasani dha një kontribut të madh, duke nxjerrë nga gjiri i komunitetit të tij një sërë personalitetesh të shquara, ku mund të përmendim Kostandin Kristoforidhin. Në vitin 1904, pasi vizitoi Elbasanin, udhëtarja angleze Miss Edith Durham shkruante në kujtimet e saj se “patriotizmi në këtë krahinë është i zjarrtë dhe qëndron mbi të gjitha doktrinat fetare”… Në Elbasan prekesh nga përpjekjet për dije dhe kulturë.
Në librin e tij “Dheshkronja” siç e quante Sami Frashëri, Gjeografia, botuar në vitin 1888, ky personalitet i Rilindjes sonë Kombëtare shkruante: “Elbasani është një qytet i madh mbi Shkumbinë, kërthiz’ë e Shqipërisë, në mes të Gegërisë e të Toskërisë, me tregëri të madhe e me mjeshtëri pushkësh, me 11 000 njerëz, gjithë tregtarë e punëtorë të mirë”…Jo pa qëllim këtu u mblodh në shtator të vitit 1909 Kongresi i Elbasanit, i cili me vendimet e tij hodhi bazat e arsimit shqiptar, ku midis tyre mund të veçojmë hapjen e shkollës “Normale”. Por, natyrshëm për lexuesin lind pyetja. Cili ishte njeriu që e themeloi këtë qytet? A ishte ai një njeri i zakonshëm? Për t’i dhënë përgjigje asaj, po citojmë diçka nga jetëshkrimi i tij. Mehmeti II lindi në vitin 1432 në Adrianopojë, kryeqyteti i atëhershëm i Perandorisë Osmane. Ai ishte i biri i Sulltan Muratit II, i cili vdiq në vitin 1451, pas rrethimit II, të Krujës. Mehmeti II trashëgoi nga i ati një shtet të fuqishëm, që kërkonte të vendoste hegjemoninë e tij në Evropë. Ndërkohë që synimi kryesor i tij ishe pushtimi i Kostandinopojës (G. Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, Tiranë, 1997, f. 394). Në prill të vitit 1453, Mehmeti II grumbulloi një ushtri të fuqishme përreth mureve të Kostandinopojës. Rrethimi zgjati 54 ditë, ku 7000 mbrojtësit e qytetit përballuan disa faza të sulmit osman. Në maj 1453, ushtria turke arriti të thyente qëndresën, duke hyrë në Kostandinopojë. Pas ditës së tretë, Mehmeti II hyri triumfalisht në qytet, duke e shpallur atë kryeqytetin e ri të Perandorisë Osmane, me emrin Istambul. Me këtë akt Mehmeti II mori epitetin Fatihu (pushtuesi), duke i vazhduar më tej synimet e tij për ekspansion të mëtejshëm. Perandoria turke pushtoi shpejt zotërimet bizantine në Ballkan, si: Athinën (1456), Morenë (1460), Trapezundin në Azinë e Vogël (1461), Serbinë (1459), Bosnjën (1463) etj. Shteti turk nën drejtimin e tij mori një shtrirje të gjerë nga Mesopotamia në lindje, deri në Adriatik në perëndim. Ndërkohë, Mehmeti II e vazhdoi politikën pushtuese të ndjekur nga i ati Murati II (1421-1451). Në vitet 1455-1464 (P. Thëngjilli, Historia e Perandorisë Osmane, Tiranë, 1997, f. 24), ai organizoi disa fushata nën drejtimin e gjeneralëve të tij si: Isa Bej Evrenozi dhe Ballaban Pasha. Personalisht Mehmeti II drejtoi dy fushata për pushtimin e kryeqendrës së qëndresës shqiptare, Krujës. Të dyja rrethimet e Krujës, në vitet 1466 dhe 1467, përfunduan me dështimin e tij. U deshën 12 vjet të tjera që Mehmeti II të thyente përfundimisht qëndresën shqiptare me rënien e Krujës në vitin 1478 dhe Shkodrës në vitin 1479. Në qershor 1478 trupat osmane (Histori e Popullit Shqiptar, Tiranë, 2002, f. 470) hynë sipas marrëveshjes në qytetin e Krujës. Kushti ishte dorëzimi i kështjellës me qëllim që të lejohej popullsia të largohej e lirë. Por Sulltan Mehmeti II nuk e mbajti premtimin. Ushtria turke vrau të gjithë meshkujt e rritur, ndërsa gratë dhe fëmijët i shiti si skllevër. Në vitin1478, sulltan Mehmeti II organizoi sulmet në Evropën Qendrore në drejtim të Austrisë, por pa pasur ndonjë sukses serioz (Historia e Perandorisë Osmane, f. 25 ). Por përpjekja më kërcënuese për Perëndimin ishte ajo që bëri Mehmeti II në vitin 1480, kur urdhëroi pushtimin e Otrantos. Flota osmane prej 281 anijesh zbarkoi nga Vlora në Itali 100 000 veta. Ndërkohë që mendonte t’i jepte një tjetër impuls kësaj fushate, duke zbarkuar 200 000 trupa të tjera turke në Itali. Mehmeti vdiq në mënyrë të papritur në vitin 1481, duke i dhënë mundësi Mbretërisë së Napolit që t’i jepte fundofensivës turke. Kështu vdiq Sulltan Mehmeti II, pushtuesi i Kostandinopojës dhe Krujës, krijuesi i vërtetë i Perandorisë Osmane (po aty, f. 25), i cili mbante titujt: Sovran i Anadollit dhe i Rumelisë dhe Zot i Detit Mesdhe dhe Detit të Zi.
Ai konsiderohej si sundimtari mysliman më me prestigj dhe e paraqiste veten si i vetmi trashëgimtar i Perandorisë Romake, pasi kishte pushtuar Kostandinopojën (po aty. f. 64). Duke bashkuar traditat e Lindjes dhe të Perëndimit, qytetërimin bizantin, arab dhe turk, ai synoi që ta bënte Stambollin qendrën e një perandorie botërore. Pikërisht ky njeri i jashtëzakonshëm në fillim të pranverës së vitit 1466 në krye të një ushtrie të përbërë prej 150 000 vetësh, u nis nga qyteti i Manastirit me trupat ushtarake në drejtim të Krujës, duke ndjekur trasenë e rrugës “Egnatia” përgjatë luginës së Shkumbinit. Pasi përqendroi fushimin në fushën e Tiranës, Sulltani sulmoi kështjellën e Krujës. Lufta zgjati dy muaj dhe në përfundim të saj, pasi nuk arriti dot ta pushtonte atë, Mehmeti II vendosi të siguronte sundimin osman në Shqipërinë e Mesme. Për këtë qëllim ai ndërtoi mbi rrënojat e vjetra të Skampës, kështjellën, të cilën e pagëzoi me emrin Il-Basan (vend që sundon). Kjo kështjellë do të shërbente si bazë mbështetjeje për ushtrinë osmane, për veprimet e tyre të mëtejshme në Shqipëri. Themelimi i Elbasanit atje ku Shkumbini del në fushë, ishte një pikë mbështetjeje, që Kruja të mbahej nën një bllokadë të fortë (A. Buda, Shënime historike, 1, Tiranë, 1986, f. 222) dhe që Skënderbeu të kufizohej në veprimet e tij në veri të Shkumbinit. Kalaja u ndërtua mbi themelet e kastrumit të mëparshëm romak me të njëjtat përmasa 308 x 348 m (Gj. Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, Tiranë, 1981, f. 206) dhe në përbërjen e saj kishte po 26 kulla. Fortesa ruajti me përpikmëri të tria hyrjet, të cilat tanimë quheshin: Porta e Pazarit, Porta e Jeniçerëve dhe Porta e Ahmedajt. Për të rritur “cilësinë” e mbrojtjes, muret rrethoheshin nga i njëjti kanal, 3 m i thellë, i cili mbushej me ujin e përroit të Zaranikës. Ndërkohë që muret ishin të pajisura edhe me bedena, ndërsa kullat kishin edhe frëngji. Si njëra nga kështjellat më të mëdha të ndërtuara nga osmanët, kalaja e Elbasanit kishte edhe një xhami të vogël, ku kryente ritet fetare garnizoni i saj. Njihet sot fakti që pas përfundimit të saj, Mehmeti II (po aty, f. 207) vendosi aty një garnizon të përbërë prej 400 jeniçerësh, të cilët u bënë kështu banorët e parë të qytetit. Mbi ndërtimin e Elbasanit na dëshmojnë edhe njoftimet që na japin në veprat e tyre disa nga historianët e vonë bizantinë si: Kritobuli dhe Dukasi. Në veprën e tij “Historia e Sulltan Mehmetit II” (marrë nga Lufta Shqiptaro-Turke në shek. XV, burime bizantine, Tirane 1967, f. 86-88), Kritobuli na jep këtë përshkrim për themelimin e Elbasanit. “Për këtë ai (Mehmeti) mendoi të bënte tek ilirët një fortesë dhe të ndërtonte atje, në mes të vendit, një kështjellë të fuqishme dhe të linte brenda në të një ushtri të mjaftueshme, e cila të sulmonte e të grabiste vazhdimisht vendin dhe të mos lejonte ilirët që të dilnin asgjëkund jashtë qytetit, ose të zbrisnin nga malet për të punuar, ose të bënin diçka tjetër, por t’i mbante gjithmonë të mbyllur dhe nën vërejtje. Duke përshkruar vendin në kërkim të një pozicioni të përshtatshëm, gjeti gjurmët dhe themelet e një qyteti të vjetër, që gjendej në një pikë të përshtatshme të vendit. Dhe sapo erdhi vera, filloi me nxitim në shumë forca dhe shpenzime dhe me dëshirën e kujdesin e Sulltanit, që gjendej kudo i pranishëm në punimet, duke shpjeguar çdo gjë dhe duke i nxitur të gjithë, një pjesë me fjalë, një pjesë duke i ofruar të holla. Pasi bëri këto, Sulltani, u kthye në vjeshtë në Bizant. Ishte viti 1466 dhe i gjashtëmbëdhjeti i sundimit të tij”.
Gjithashtu për ndërtimin e kështjellës së Elbasanit, në veprën e tij “Historia turko-bizantine” (po aty, f. 107-108), Mihal Dukasi na jep një tjetër dëshmi. “Në kohën që ne qëndronim në Romë, në muajin korrik të vitit 1466, udhëheqësi i të pabesëve (turqve – I. Gj.), erdhi në Shqipëri dhe pasi dëboi sundimtarin e saj, Skandorin (Skënderbeun), robëroi dhe shkatërroi vendin. Dhe mbasi ndërtoi një qytet afër kryeqytetit të quajtur Krujë, me qëllim që të luftonte kundër saj, u kthye në Kostandinopojë”. Ndërkohë që për ndërtimin e kësaj fortese dëshmojnë edhe kronistët turq si: Ibn Kemali, Idriz Bitlisi, Sollakzadeja, Hoxha Sadedin etj. (Lufta Shqiptaro-Turke në shekullin XV, Burime Osmane, Tiranë, 1968). Fortesa e Elbasanit si monument historik, përveç dëshmive, shkrimeve dhe ngjarjeve që lidhen me të, mbart edhe disa mbishkrime interesante dhe që kanë vlera të çmuara, duke e bërë objekt studimesh nga autorë të huaj dhe shqiptarë, nga të cilët do të përmendim Franc Babingerin (Studime historike, 1967, 1, f. 85-102) dhe Vexhi Buharanë (Studime për Epokën e Skënderbeut, Tiranë, 1989. f. 503-526). Të murosura dikur në muret e kështjellës pllakat janë shkruar turqisht me shkronja arabe, ndërkohë që sot gjenden të ruajtura në muzeun e Elbasanit. “Fortesën e ka ndërtuar Mehmet Khani”, – thuhet në të parin, ku jepet saktësisht edhe koha e ndërtimit të saj, prej një muaji (ai u mundua një muaj), nga 17 qershori deri në 17 korrik 1466 (V. Buharaja rreth mbishkrimeve të fortesës së Elbasanit. Studime për epokën e Skënderbeut, Tiranë, 1989, f. 521). Ndërkohë që, mbishkrimi i dytë na tregon se arkitekti i kësaj fortese ishte Jusuf bin Abdullahu, një nga arkitektët turq më të shquar të kohës së tij (po aty, f. 520). Në mbishkrimin e parë që konsiderohet më i rëndësishmi, na jepet përveç ndërtuesit të kështjellës, kohëzgjatjes së punimeve, vitit të ndërtimit edhe trajta më e hershme e emrit të saj: Il-Basan. Kuptimi i kësaj fjale turke është nënshtrues i vendit, vendshtypës, d.m.th, ai që sundon vendin. Këtë emër, i cili në gojën e popullit u përpunua gjatë kohës në Elbasan, e mori qyteti që lindi brenda fortesës. Menjëherë pas ngritjes, fortesa e Elbasanit u shndërrua në një qytet të mirëfilltë, ashtu siç e përmend kronisti turk i shekullit XVI Idriz Bitlisi: “Kështu që brenda një kohe të shkurtër nën hijen e drejtpërdrejtë të Sulltanit u ndërtua këtu një qytet i madh”. Si një njohës i mirë i artit ushtarak, Mehmeti II e ndërtoi këtë bazë si pikëmbështetje për pushtimet e mëtejshme, ashtu siç e vërtetuan më vonë ngjarjet që na çuan në pushtimet e kështjellave dhe qyteteve kryesore të Shqipërisë si: Kruja, Shkodra dhe Durrësi. Ishte pikërisht ky i fundit, që ditën e 17 gushtit 1501 u pushtua nga trupat turke të Muhamet beut, sanxhakbeut të Elbasanit.
3. Sot nga kështjella kanë mbetur vetëm muri dhe porta jugore, gjysma e murit perëndimor dhe tetë nga kullat. E ndërtuar për qëllime ushtarake, kjo fortesë u përdor vetëm gjatë periudhës së pashallëqeve shqiptare, pikërisht në vitin 1785, kur Kara Mahmut Pashë Bushatlliu në luftë me Ahmet Kurt Pashën, sundimtarin e Beratit, pushtoi Elbasanin. Kjo ishte rëndësia e vetme e kështjellës, “kontributi” më i madh i së cilës ishte “rritja” e qytetit të ri-Elbasanit, ku me gurin e parë të themelit, Mehmet Fatihu nuk mendoi kurrë se fortesa që ndërtoi për të frenuar shqiptarët, do të bëhej një ditë qendra e patriotizmit të tyre.