Nga Qerim LITA
(Vijon prej numrit të kaluar)
- Konsideroj se është mase e saktë thënia ime se vërtetë gjatë viteve 1947, 1948 e 1951 kam qenë nën hetime dhe se jam marrë në pyetje sepse: a) Vetë fakti që nga lënda penale ekziston procesverbali origjinal me të dhënat biografike nga hetimet në vitin 1947, flet qartazi se atëherë nuk jam privuar nga liria që dikush të arrij deri te biografia ime, sepse unë nuk jam ndonjë figurë e shquar, pasi deri te biografia ka mund të arrihej qoftë përmes rrugës së drejtpërdrejtë vullnetare ose me ndërmjetësimin e dikujt. Është fakt i pamohueshëm se një Institucion i tillë elitar e i organizuar, siç ka qenë Drejtoria e Sigurimit për RP të Maqedonisë, asaj kohe nuk më privoi nga liria (viti 1947), për shkak tekeve e pa bazë ligjore, se me siguri se dikush më ka paditur, për çka është gjetur arsyeja ligjore dhe në ligj vepra e inkriminuar që të burgosem. Gjithashtu unë jam në gjendje të propozoj numër të madh të dëshmitarëve, madje edhe vetë rojet të cilët asaj kohe më dërguan nga Gjorçe Petrovi në Shkup në burg. Është e natyrshme që organet e UDB-ës më kanë dëgjuar edhe për veprën penale për të cilën atëherë më burgosën. b) Se gjatë vitit 1948 vërtetë kam qenë nën hetime më shumë muaj, përveç dëshmive të përmendura në pikën 10/I të kësaj lutje, mund të ofroj edhe dëshmi tjera bindëse, para të cilave edhe skeptiku më i madh do të pendohet. Pasi dëshmoj se gjatë vitit 1947 kam qenë më shumë muaj nën hetime, mendoj se e kam dëshmuar ligjërisht edhe ekzistimin e materialit hetimor. Nëse ndodhë që të gjithë i ngrenë duart, e nuk përgjigjen se çfarë ka ndodhur me materialin hetimor, do të thotë se më është e qartë çështja, por nuk guxojnë që në emrin e së drejtës ta dëshmojnë burrërinë e ta mbrojnë një të mjerë, për shkak se nuk dëshirojnë t’i prishin punët me të fuqishmin. Pa marrë parasysh se është më i fuqishëm se unë, ai nuk është me yllin në ballë e të ketë dy shpirtra. Të më ndihmoni që mos të bie në duart e tij dhe si rob privat të më torturojë e kushtëzojë natën. Unë nuk mund të thirrem në dëshmitë e mureve të verbëta të burgut, mirëpo atë e kam futur në grusht, sepse i ka asgjësuar materialet hetimore, ndërsa nga rikonstruimi që eventualisht mund të më ofrohet, ai frikohet nga unë sepse do të thirrem në rrethana tjera. c) Se vërtetë kam qenë nën hetime në vitin 1951, mendoj se flasin bindshëm vendimet për hapjen dhe zgjerimin e hetimit krahas lëndës penale të cilat janë gjetur në Prokurorinë Publike. Këtë mund ta dëshmoj edhe me dëshmi tjera të pakufizuara. Është më se e kuptueshme se unë, për pesë e më shumë muaj, në mënyrë ligjore jam marrë në pyetje, nëse jo për diçka tjetër, por për atë që prokurori publik i atëhershëm i vazhdoi hetimet, sepse siç theksova më parë, ky hetim ishte i dyfishtë. Nuk ka dokument (procesverbal) dhe bëhen përpjekje që gjyqit t’ia paraqesin një procesverbal të falsifikuar e të pa nënshkruar. Është mase e qartë se thënia ime është e vërtetë në lidhje me asgjësimin e procesverbalit. Unë nuk do i nënshtrohesha rrezikut të them diçka, për çka nuk jam i sigurt, sepse kur do të gjendeshin procesverbalet, atëherë do të dilte se gënjej. Unë kam parë diçka dhe e them, unë nuk do ta sulmoja njeriun në duart e të cilit jam.
TË GJITHËVE U ËSHTË E QARTË, MIRËPO TË GJITHË HESHTIN
Secilit nga organet kompetente, hetuesisë, prokurorisë publike dhe gjyqit, i është e qartë çështja, por bëhen shurdhmemec e nuk dëshirojnë ta dëgjojnë zërin e së vërtetës, sepse është i hidhur. E kanë të qartë se jam flijuar nga intrigat e Dimkos, se jam i pafajshëm, mirëpo të më lirojnë mua do të nënkuptonte se do të ishte e domosdoshme të dënohet drejtori Dimko. Do të duhej të jesh një njeri skajshmërisht dashamirës i së drejtës dhe i çliruar nga të gjitha ndjenjat e ulëta e të vendosësh në mënyrë të paanshme në ndodhinë e fatit të interesit midis të fuqishmit e të dobëtit. Që të mund të vendoset e drejta, nevojiten parimet e së drejtës socialiste në të cilat ngarkohen masat, pa marrë parasysh mbështetjen personale të kombësisë, racës, fesë dhe pozitës shoqërore. Prandaj u drejtohem të gjithë Juve lartë e u lus për ndihmë, sepse edhe unë jam njeri, nga gjaku e mishi dhe se edhe unë e shijoj se dikush më do. Nuk ka mundësi që edhe Ju të vlerësoni ngjashëm sikur këta poshtë, nga ju tërë vendi pret drejtësi, prandaj edhe unë. Dërgoni me urgjencë ndonjë njeri në terren, i cili në mënyrë të lirë e pa shërbimin e Dimkos ta inspektojë rastin në popull, e do ta shihni se e dënojnë njeriun e pafajshëm për llogari të pista. Të mos vij që nën ombrellën e gjyqit të mbrohet i forti e të shkelet i dobëti. Ju lartë flisni për ligjshmërinë e drejtësinë, e ndërsa ne u besojmë Juve, u drejtohemi Juve në fatkeqësi dhe presim drejtësi.
ASHPËRSIMI PARAHETIMOR I MARRËDHËNIEVE ME DREJTORIN E BURGUT
- Me kalimin e kohës dhe afrimin e diplomimit në Fakultetin e Drejtësisë në Shkup, unë nën ndikimin e dispozitave liberale të sistemit tonë, bëhesha gjithnjë e më i guximshëm dhe gjithnjë e më pak jam frikësuar nga kërcënimet e Dimkos, të drejtuara në adresën time në sallën nr. II të Fakultetit të Drejtësisë në Shkup. Jo vetëm që nuk kam pasur ndërmend t’i përkulem urdhrit të tij, të tjetërsohem, përkatësisht të turqizohem e të shpërngulem për në Republikën e Turqisë, porse mora guximin ta bindi familjen time që vëllai më i vogël të fejohet me vajzën, të cilën një bashkëpunëtor e financier i Dimkos nga fshati Bojanë, përpiqej ta grabiste me forcë si në shekullin e mesëm dhe pasi nuk pati sukses u kërcënua publikisht, kuptohet se duke u mbështetur në Dimkon, se asnjë njeri i gjallë nuk guxon ta fejojë, sepse e kanë patjetër ta fejojnë me të. Një mbrëmje Dimko erdhi me një major dhe nën marrëveshjen se përgatit një farë pajtimi disi u përpoq, por ia prisha planin duke u thirrur në ndihmën e njerëzve tjerë dashamirës të pushtetit. Duke u mbajtur në marrëveshje në sallën nr. II të Fakultetit të Drejtësisë në Shkup, unë atëherë shtiresha sikur për herë të parë e kam parë shokun Dimko.
- Gjatë vitit 1957 isha në cilësinë e gjyqtarit fillestar në Shkup pranë Gjyqit të Qarkut dhe Dimko nga Bojana arriti ta mashtrojë Gjyqin e Prokurorinë Publike dhe gjatë rigjykimit arriti t’ia zvogëloj dënimin bashkëpunëtorit, përkatësisht “vrastarit” të tij ….. ….. nga 20 në 5 vjet. Për këtë ngjarje kam folur gjerësisht në mbrojtjen time që gjendet në lëndën penale. Shtoj se gjatë kohës së hetimeve që i parapriu gjykimit të ….. …… qe burgosur edhe babai dhe xhaxhai i tij, atëherë Dimko shkon në burg dhe e bind më të riun që vrasjen e ka kryer vetë ai dhe i liroi babain e xhaxhain, edhe pse është fakt i pamohueshëm se vrasjet për hakmarrje shqiptarët asnjëherë nuk i kryejnë vetë. Edhe këtu ekzistojnë çështje për të cilat nuk guxoj të flas, sepse nuk e di se kjo letër do të arrijë drejtpërsëdrejti në duart e Juaja. Mjafton nëse them se për shkak të fjalës së vërtetë, edhe me këtë rast u ashpërsuan marrëdhëniet me Dimkon. Duke iu frikësuar atij, disa familje nga fshati Raçe u deklaruan turq dhe u shpërngulën për në Republikën e Turqisë.
- Në prag të rigjykimit të përkëdhelur të Dimkos …. …., në burg vdes babai i djaloshit të vrarë. Në popull u përhapën zërat se e ka helmuar Dimko nga Bojana. Ai më priti në Shkup dhe si një shqiptar i arsimuar këto zëra t’i dementojë në emër të tij. Unë, edhe pse nuk kam besuar në këto zëra, e refuzova të përzihem në këtë duke u arsyetuar se jam i zënë rreth provimeve. Tash Dimko në burg më fajëson edhe për këtë dhe ma përshkruan si mëkat dhe kjo përbën një ndër arsyet që ai, edhe pse e dinë mirë se jam i pafajshëm nuk dëshiron të më ndihmoj, sepse asnjëherë nuk e kam ngarkuar me diçka të mirë.
- Një muaj jo i plotë para burgosjes sime e takoj drejtorin Dimko dhe ai nga njëra anë për të më mashtruar ma ofron fotokopjen e librit të Gjillasit, ndërsa nga ana tjetër ma dërgon një njeri që të më kryejë kontroll e ta gjejë librin. Unë të njëjtën e hodha me kohë dhe me këtë i prishet plani. Nuk isha saktësisht i sigurt se këtë lojë ma bëri Dimko, edhe pse për këtë posedoj dëshmi të sigurta, por dërgimin e provokatorëve në qeli dhe vërshimi sistematik i tyre për të thënë se libri është shtypur në shtypshkronjë e jo i fotokopjuar, se kopertina ka pasur ngjyrë “portokalli”, më çon kah mendimi se me siguri të njëjtit i ka porositur Dimko. Pa i thënë askujt Dimko e di për këtë dhe më thotë që e shpifi se gjoja ngjarjen me librin e kam parafytyruar.
HETIMET
- Zbatimin e së njëjtës nga ana e organeve hetuese të autorizuara për Punë të Brendshme – miqtë e Dimkos. Më 19 korrik 1959 jam privuar nga liria. Njerëzit hetimin e paramendojnë si një stadium të procedurës penale, ku në mënyrë themelore e të paanshme kërkohet e vërteta e materializuar. Ligji ynë në nenet 4 e 9 urdhëron këtë: Inspektorët paramendohen si njerëz me aftësi të jashtëzakonshme, saqë nga një lëvizje e fjalë nga i akuzuari ta zbulojnë të vërtetën. Mendime të tilla edhe unë kam pasur më herët. Por, çfarë dëshpërimi. Inspektori, përndryshe jurist, sipas thënies së tij, ishte miku u Dikmkos: a) Plot 24 ditë më mbajti në hapësirë të ndotur dhe nuk më jepte të drejtën të dal në ajër të pastër, edhe pse kjo masë është e ndaluar në përputhje me nenin 197 nga LPP-ë dhe me procedurën disiplinore për të burgosurit nën hetime. Larg asaj që unë të kërkoj dalje dy-orësh në rreze drite, siç parasheh neni 195 nga LPP-ë. Këta dy orë në burgun hetues të Shkupit u shndërruan në gjysmë ore. b) Në nenet 4 dhe 212 nga LPP thuhet se të akuzuarit që në dëgjimin e parë duhet në mënyrë obligative t’i tregohet për veprën që ngarkohet me padinë penale. Unë plotë 22 ditë kërkoja të më mundësohet kjo e drejtë dhe vetëm pas 82 ditëve pas intervenimit të kryetarit të Gjyqit të Qarkut, inspektori u detyrua që përmes një shpejtësie filmike të më jep një sqarim të ngjashëm, edhe atë duke i lexuar deklaratat fiktive e të rrejshme. Unë për këtë fazë të terrorizimit hetimor, kam folur në mbrojtjen time para referentit gjyqësor. c) Në Ligj shkruhet (neni 160 nga LPP-ë) që gjyqtari hetues mund ta bart hetimin te organet e autorizuara hetimore për punë të brendshme, mirëpo këta hetimin e besuar nuk mund ta bartin te dikush tjetër. Në rastin tim, është zbatuar hetimi grupor (komision) me prezencën dhe nxitjen e dëshmitarëve të involvuar nga ana e Dimkos nga Bojana e të personave tjerë të përmendur në mbrojtje. Është e qartë se unë inspektorit i kam shërbyer si lëndë ndihmëse, për çka do ta shumëfishojë e përforcojë miqësinë. Ne shqiptarët në të kaluarën jemi përdorë si mjet për pasurimin e paskrupullt, mirëpo tash kur jemi anëtarë të barabartë të kësaj bashkësie dhe jo vetëm me ligj, por edhe në mënyrë faktike të barazuar me të tjerët, konsideroj se nuk ka kuptim. Kjo për arsye se edhe ne jemi njerëz të lirë dhe me çfarë të drejte dikush të shërbehet me ne për përforcimin e zgjerimin e lidhjeve të tyre private. Unë me të drejtë kërkoj ndihmën Tuaj, sepse jam i gatshëm që në rast se nesër, me thirrjen Tuaj, të jap edhe jetën dhe me siguri se nuk do të gjej lidhje e të ngel në prapaskenë. Shoku Rankoviq, Dimko nuk më rrënon mua për shkak se është më i fortë. Ai këtë e bënë duke u mbështetur në Ju dhe autoritetin e shokëve Tuaj, mirëpo këtë Ju këtë nuk e keni arritur për të bërë keq, porse për të mirën e popullit. Ju udhëheqësit, të gjithë qytetarët i trajtoni njëlloj dhe mos lejoni që dikush të mbështetet në Ju dhe ndaj nesh të bëjnë atë që Ju asnjëherë nuk do ta bënit. Dimko me pa të drejtë e barazon vetveten me bashkësinë dhe çdo sulm i drejtuar personalisht atij, e shtrembëron dhe e paraqet si sulm ndaj bashkësisë. Edhe unë e dua bashkësinë sikurse ai dhe nuk është e drejtë që dikush të krijoj monopol për vetveten. ç) Nëse krahas lëndës e shihni edhe vendimin fillestar për hapjen e hetimeve, unë në fillim nuk jam privuar nga liria për veprën “Njerëzit e kthyer nga rruga” për shkak asaj se përveç meje dhe shokut Dimko, të gjithë të tjerët e kanë ditur se për këtë çështje kam qenë nën hetime, se çështja është pastruar dhe kam dalë i pafajshëm. Kur e kanë parë se nuk ka dokumente hetimore, më vonë pa as çfarë vendimi m’u zgjerua hetimi. -d) Për zgjerimin e hetimeve unë jam ankuar, madje edhe për vendimin e Gjyqit Suprem të RPM-së (edhe pse për këtë ndoshta nuk kam të drejtë), mirëpo përmes ankesës desha që në njëfarë mënyre ta njoftoj gjyqtarin hetues për organizatorët e tërë kësaj. Inspektori të cilit iu mor e drejta e hetimit në kohën kur u dërgua ankesa nga gjyqtari hetues, plot 50 ditë e fsheh atë ankesë me qëllim që çështja të mos depërtojë deri te gjyqtari hetues e të komprometohen miqtë e tij, me dëshirën e të cilëve u vërsul kundër meje. Gjyqtari hetues pas ankesës sime e gjen ankesën dhe e dërgon deri te Gjyqi Suprem me vonesë thuajse për dy muaj, edhe atë pas kërkesës për vazhdimin e ri të hetimeve. Dëshmi: Gjyqtari hetues Pero Lipkovski. dh) Njerëzit të cilët shpërngulen për në Republikën e Turqisë, merren në pyetje në prezencën time vetëm atëherë kur paraprakisht janë frikësuar mirë dhe nuk janë involvuar me sukses, ndërsa në të kundërtën merren në pyetje pa prezencën time dhe nënshkruajnë deklarata fiktive, edhe pse pasaportat i kanë në xhep. Të jetë ironia edhe më e madhe, merret në pyetje vëllai i madh (Ramizi), sipas recetës së sipërme në prezencën time, ndërsa tjetri (Beqiri) në mungesë. e) Nënvizimi i qëllimshëm në një copë letre i dëshmitarëve të mbrojtjes, të cilët paraprakisht nuk janë të përvetësuar, ndërsa në procesverbalet hetimore nënvizohen vetëm ata të cilët tash më janë përvetësuar.
NËN UDHËHEQJEN E GJYQTARIT HETUES TË GJYQIT TË QARKUT NË SHKUP
Si gjatë vizitës së burgut në tre ditët e para të hetimeve, po ashtu edhe pas ankesës sime kundër vazhdimit të paraburgimit, kam shprehur dëshirën të merrem në pyetje nga gjyqtari hetues dhe ai hetimin ta merr në duart e veta, sepse menjëherë pas privimit nga liria, te inspektori u gjetën organizatorët e këtij mashtrimi, ai ndaj apelit tim heshti dhe vetëm pas tre muajsh e mori hetimin në duart e veta. Megjithëse ai është një njeri jashtëzakonisht i ndershëm, nuk pati mundësi t’u bëjë ballë intrigave të drejtorit Dimko nga Bojana e miqve të tij nga Sekretariati për Punëve të Brendshme për qytetin e rrethin e Shkupit dhe për këtë shkak qëndroi tërësisht anash. Në këtë fazë të hetimeve ndodhën disa çështje, për të cilat mendoj se do t’i vërtetojë gjyqtari hetues, Pero Lipkovski, sepse është e pamundur që të errësohet edhe vetëdija e tij: a) Gjyqtari hetues i mori në pyetje dëshmitarët të cilëve nga ana e dëshmitarëve të involvuar u është ofruar mito dhe shpifje të rrejshme ndaj meje. Dëgjimi i tyre ishte i fshehur. b) Gjatë kohës së hetimeve grabiten procesverbalet nga lënda ime, e përderisa gjyqtari hetues habitet para meje se kush i ka marrë, drejtori Dimko, mua, gjatë kthimit në burg më tregoi se cili nga Sekretariati për Punë të Brendshme i ka marrë nga gjyqtari hetues (atëherë zyrtarisht nuk ishim në marrëdhënie të përkeqësuara), më tregoi për formimin e grupit nga Sekretariati për Punë të Brendshme kundër meje dhe i mbajta mend emrat e disave – Ançe, Mishko, Dimçe e tjerë, të cilët “Ja këmbëngulin të më dënojnë, edhe pse i pafajshëm”, ndërsa ai gjoja është kundër kësaj, por është i pafuqishëm. c) Gjyqtari hetues pesë muaj pas kërkesës sime pranon të deklarohem, mirëpo deklaratën nuk e jap para tyre, por para procesverbalistit gjyqësor – referentit, Më premtoi se një ekzemplar do ia përcjell mbrojtjes, mirëpo i njëjti arrin në duart e drejtorit Dimko e miqve të tij dhe ai më ftoi, më kërcënoi për të më përvetësuar.
Pjesa private e hetimeve nën udhëheqjen e Drejtorit të burgut hetues zotëri Dimkos i quajturi nga Bojana: Në shekullin 20 askund e askush nuk e pati atë fat të udhëheq hetime private ndaj armiqve të tij, siç kjo ndodhi me drejtorin e burgut hetimor, shokun Dimko nga Bojana. Nën disponimin e tërë personelit të burgut, të cilët u vërsulën në plotësimin sa më të madh të dëshirave të shefit të tyre, si dhe të gjithë të burgosurit të cilët u ishte shqiptuar dënimi i shkallës së parë, të cilët për shkak shkeljeve të rënda janë të gatshëm shpirtin t’ia shesin edhe djallit e jo më një drejtori i cili në duart e veta ka çelësin e dytë. Secili priste shpërblim për punën e vet. Personeli i varur të arrij marrëveshje me shefin e tyre, për avancim, të merr tepricë dhe pushim, ndërsa të dënuarit të marrin rekomandime të mira dhe lehtësira tjera. Të gjithë këta prisnin dobi nga unë, objektin e hetimeve më të habitshme të njeriut i cili, edhe pse është i pafajshëm, akuzohet për 4 vepra penale. Për të gjitha ato 4 vepra është paraparë alternativa e dënimit me vdekje. Kjo përbën karakterin korruptim, sepse edhe njeriu më i mjerë i botës do të dakordohej që një njeriu të tillë, nëse nuk mund t’i ndihmonte, atëherë në asnjë mënyrë nuk do ta dëmtonte. Mirëpo, nuk kanë kufi poshtërsitë njerëzore. Kryetari i Gjyqit të Qarkut ,shpresa e vetme embarë burgjeve hetimore, ndoshta për shkak sëmundjes, nuk e viziton burgun hetimor nga 18 nëntori 1958 e deri më 2 mars të vitit 1959. Në këtë periudhë kohore, ai (Dimko – Q.L.) mbi mua zbaton hetimin e tij shtetëror dhe kjo mund të ndahet në dy pjesë.
PJESA E ERRËT: a) Drejtori Dimko nga Bojana në mënyrë indirekte, pjesën e hetimeve të tij private mbi mua e filloi që para emërimit për drejtor të burgut hetimor, diku kah mesi i muajit tetor 1958. Më ftoi në zyre, u mundua vëmendjen time ta tërheq kah vetvetja, nuk guxoj të flas për procesverbalet. Gjoja se ai nuk është fajtor për atë se çfarë po ndodh me mua. Fajtor janë shokët të cilët këmbëngulin, ai u flet se ata janë shqiptar, prandaj duhet të jenë të përmbajtur. Thënë sinqerisht, gjykohem për shkak se jam shqiptar intelektual, se ndaj nesh nuk ka besim. Zgjedhja jonë e vetme është ose të punojmë për ta ose në burg. b) Ai zakonisht sillej mirë dhe mundohej të më mashtroj, mirëpo për fatin e tij të keq, gjyqtari hetues më ftoi në ballafaqim me disa dëshmitar të “involvuar” e të nxitur, ku njëri nga ata, edhe pse më shpifte, megjithatë ma zbuloi një çështje dhe për këtë fola gjerësisht në mbrojtjen time, që është pjesë përbërëse e lëndës. Pasi erdha nga gjyqtari hetues, iu lajmërova drejtorit Dimko dhe i thash se di gjithçka. U ashpërsuan raportet, unë e diskreditoj para procesverbalistit gjyqësor, ndërsa më pas ai më ftoi e m’u kërcënua se do të më zhduk nëse e përziej atë. Deklaratën e dëgjojnë njerëzit e tij, ndërsa unë, në mënyrë indirekte, fola me procesverbal duke deklaruar se më ka kërcënuar për vdekje. c) Unë e kisha lënë pas dore faktin se Dimko në vitin 1955, gjatë asgjësimit të dokumentacionit hetimor, e përvetësoi ditarin tim të vulosur nga viti 1944 e 1945, mendoja se i njëjti ende gjendet në arkivin e Sigurimit Shtetëror, prandaj më 26 nëntor 1958, përmes një lutje i drejtohem dhomës arkivore të dërgoj një njeri të cilit do ia sqaroj se çfarë kërkoj. Kjo lutje për drejtorin Dimko qe alarm për aksion të drejtpërdrejtë. Të njëjtën ditë dërgoi nëpunësit e varur të cilët më kryen kontroll dhe m’i morën letrat e lapsin. Për fat, nëpunësit e varur më japin vërtetim për sendet e konfiskuara për të cilën nuk e din Dimko, sepse më vonë m’i dikton letrat e shkruara në shtëpi gjatë kohës kur më mungonin letrat e lapsi. Vërtetimi është pjesë përbërëse e lëndës.
PJESA E HETIMEVE TË PASTRA PRIVATE: a) Më 18 dhjetor 1958 mu dorëzua aktakuza nga ana e Gjyqit të Qarkut. Nga ajo ditë ndaj meje filloi hetimi i pastër privat. Nëse do të ndodhte që drejtori Dimko të më çonte në podrumin e tij privat, atëherë edhe ajo do të ishte ligjore. Pas pranimit të aktakuzës, disa ditë më lë të qetë dhe një mbrëmje më merr nga qelia dhe gjatë marrjes e hetova se ishte i dehur, sepse i vinte era raki dhe në mënyrë cinike ma lexoi shkrimin në gazetën ditore “Nova Makedonija”, ku unë në kundërshtim me dispozitat e nenit 3 të LPP-ë, në mënyrë solemne jam shpallur e anatemuar për kriminel lufte. Më tha se këtë e kanë bërë shokët dhe se me këtë ai nuk pajtohet. b) Pas disa ditësh sërish më merr në mbrëmje dhe më pyeti se çfarë do të bëja nëse dikush ma gjen e ma jep ditarin e verifikuar. Unë i them se nuk e kam atë fat dhe ai e nxjerr nga sirtari ditarin, ma jep, lexoj disa faqe dhe përpiqem që me thikën e lënë nga ana e tij ta pres faqen e fundit të vulosur, mirëpo më tradhtoi dylli. Ai më kapi dhe ma mori ditarin. Më premtoi se do ta ma dërgoj ditarin, se mbi atë bazë do të mund të shpëtoj nga shpifjet për partizanin e plagosur, sepse për atë ditë kam dëshmi, sepse kam qenë te mjeku në qytetin e Tetovës. Mirëpo çmimi është i lartë. Garancë për heshtjen e asgjësimit dhe bashkëpunim me të ose shpërngulje për Turqi. Nxori edhe pjesë nga procesverbali i grisur me pasusin e kaltër dhe tha se tash shumë lehtë mund ta bëjë rikonstruimin, sepse më ka në duar, porse frikohet të ma jep, sepse nuk e ka nënshkrimin e inspektorit. Unë i flisja se nuk do ta tradhtoja, por ai nuk besonte. Më kthen në qeli me premtimin se do të mendojë për mjetet mbrojtëse, të cilat duhej t’i kishte nga unë për sigurimin nga përfoljet. Unë, para se të më kthente, u përpoqa ta lexoj dhe ta kuptoj emrin e njeriut i cili është plaçkitur me 100 lira ari turke, por më pengoi duke më thënë se ende nuk jemi miq. Si duket nuk e kuptoi qëllimin tim. c) Pas disa ditëve sërish më merr, mirëpo në dhomë qëndronte një njeri i maskuar. Ditari im ishte në karrige, pesë-gjashtë deklarata të shkruara me dorë, njeriu i maskuar shpoi fasuletën në dy pjesë të syve. Më imponoi të shkruaj në letër, të cilën tash gjyqit do ia paraqet si të timen. Unë e bindi se tërë kjo është e kotë kur të gjithë i dinë se nga 26 nëntori 1958 nuk kam laps. Si duket nuk e dinte se kam vërtetim, sepse tha se këtë nuk do ta thotë askush, ndërsa muret janë të shurdhur. Njeriu i maskuar në mënyrë perfekte flet gjuhën maqedonase, mirëpo nuk i dija se përse kur flet fytin e shtrëngon me dorë. I maskuari dinte edhe gjuhën shqipe, prandaj do ta kontrollojë se a e shkruaj në gjuhën shqipe atë që më diktohej. Ma jep një laps, mirëpo unë e thyej. Më detyrojnë të shohë në mur me kryet lartë, në të cilin pozicion duke duruar një kohë, fillova të ulërij zëshëm. I maskuari ma mbylli gojën me dorë, ndërsa Dimko lëshoi radion. Më pas më kërcënoi me torturimin kinez, ku shkruhet se njeriu mund të çmendet në ujë. Rezistimi im përfundoi dhe unë shkrova atë që më diktohej. Është me interes të theksohet se as Dimko e as njeriu i maskuar, nuk dëshironin të më rrahin me kërbaç edhe pse ishte aty. I maskuari më qëndronte mbi kokë e më kontrollonte. Kohë pas kohe vendoste dorën mbi tavolinë, të cilën dorë mund ta njoh nëse e shoh, sepse ishte zverdhë së tepërmi, me siguri nga duhani. Për shkak torturës, pas disa ditëve ma heqin të drejtën e vizitës nën pretekst se gjyqi, për arsye të panjohura, e ka tërhequr vendimin. Unë shpalla grevë urie dhe më dhanë të drejtën e vizitës me kusht që mos u them asgjë familjarëve të mi. d) Pas një kohe të caktuar, sërish më merr e më detyron të shkruaj raporte agjenture, për rregullimin ekonomik të RFPJ-së, gjashtë apo shtatë, nuk më kujtohet saktësisht. Njëri nga raportet e kishte shkruar në letër të kaltër dhe letra ka një lule. Njeriu i maskuar më nuk ishte, raportet mi diktonte në gjuhën serbe të përzier me maqedonishten. Në to nuk thuhej se për kë bëhet fjalë, vetëm se emërtoheshin si raporti nr. 12 e kështu me radhë, duke kaluar nga një numër në numrin tjetër, kështu që më i madhi mbante numrin 118. Në raportet më detyronte të shkruaj edhe fjalën “kopje”. Për tërë këtë e për çështjet tjera, shkurtimisht e njoftova kryetarin e Gjyqit të Qarkut me rastin e ardhjes së tij në burgun hetimor pas 18 nëntorit 1958, më datë 2 mars 1959, por edhe ai u hidhërua që i kam thënë para gjyqit se tre muaj e gjysmë nuk ka qenë në kontroll. Më kërcënoi për vdekje më do farë gërshërë pemësh. dh) Zoti Dimko nga Bojana nuk u kënaq vetëm me atë që theksova më lartë. Në kundërshtim me dispozitat e nenit 33 paragrafi 2 nga LPP, ku qartë thuhet se ndalohet përzierja e personave të dënuar e të padënuar, në qeli mi dërgoi persona të dënuar e ndoshta edhe njerëz nga jashtë dhe të njëjtit më ofrojnë në anëtarësimin e organizatave ilegale “Shqiponjat e Bardha”, “Myslimanët e Ri”, “NDSH”, VMRO… (Vijon)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.