Nga Qerim LITA
Vitet pesëdhjeta të shekullit të kaluar për shqiptarët nën pushtimin e RFPJ-së, konsiderohen si ndër vite më të errëta të sundimit komunist jugosllav. Burimet e proveniencës komuniste jugosllave, përkatësisht ato maqedonase bëjnë të ditur se përkeqësimi i pozitës së shqiptarëve erdhi në shprehje menjëherë pas Paktit Ballkanik midis tre shteteve ballkanike: Turqi-Jugosllav-Greqi (1951) si dhe të ashtuquajturës Marrëveshje Xhentlemene midis Josip Broz-Tito dhe diplomatit turk, Fuat Kyprili, e cila u arrit në janar të vitit 1953 në Split. Kjo marrëveshje gojore e Splitit parashihte realizimin e Konventës së nënshkruar në vitin 1938 midis Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Mbretërisë Jugosllave, për dëbimin e 40.000 familjeve myslimane, përkatësisht shqiptare nga Jugosllavia për në Turqi, e cila nuk u realizua në tërësi për shkak shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Është me interes të thuhet se Marrëveshja Xhentlemene përcaktoi RP të Maqedonisë, si qendër nga ku do të dëbohej popullsia myslimane në përgjithësi, veçmas ajo shqiptare për në Republikën e Turqisë. Për rrjedhojë, në regjistrimin e popullsisë të vitit 1953, në RP të Maqedonisë numri i popullsisë turke në mënyrë artificiale u rrit për mbi 120%, përkatësisht nga 92.000 banorë turk sa pati në regjistrimin e vitit 1948 në 20.4000, ndërsa numri i shqiptarëve nga 200.5000 sa ishin deklaruar në vitin 1948, ra në 166.000. E gjithë kjo ishte rezultat i dhunës e terrorit të kryer nga organet e punëve të brendshme ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e veçmas ndaj inteligjencës shqiptare, e cila pasi u shpall si “armike më e përbetuar” e shoqërisë komuniste jugosllave, përkatësisht asaj maqedonase, me urdhër të duetit më anti-shqiptar të asaj kohe, Kolishevski-Cërvenkovski, organet e UDB-se e filluan aksionin e dhunshëm kundër saj, që rezultoi me burgosje masive, e më pas përmes proceseve të montuara gjyqet e atëhershme komuniste maqedonase sillnin vendime të rënda kundër tyre.
Se në çfarë situate të rëndë e të padurueshme gjendej inteligjenca e atëhershme shqiptare, më së miri mund ta kuptojmë nga letra e njërit nga qindra intelektualëve të atëhershëm shqiptarë, të cilët qëndronin nëpër burgjet komuniste jugosllave, Sejdi Rauf Bajrami, dërguar më 24 prill 1959, kryetarit të atëhershëm të Qeverisë së RFP të Jugosllavisë, Aleksandër Rankoviq. Letra prej 27 faqesh gjendet në Arkivin e Maqedonisë, fondi 159, të cilën përmes disa vazhdimeve po e botojmë në tërësi në gazetën KOHA.
LUTJA IME NUK ARRITI DERI TE JU
Shoku Rankoviq,
Jam i vetëdijshëm se Ju nuk jeni organ i drejtësisë dhe se kjo lutje nuk u vjen përmes rrugës së rregullt, sepse vendimi i shkallës së parë paditet përmes ankesës, mirëpo çfarë mundeni si tërë populli ashtu edhe unë jemi thellë të bindur në atë se “Nga burimi rrjedh uji i pastër, mirëpo populli e pinë të turbullt”. Meqenëse se Ju jeni ndër ata burime të paramenduara, atëherë më falni që edhe unë sikurse shumë të tjerë, po Ju drejtohem drejtpërdrejti Juve, posa e vërejta se në vend të ujit jam duke pirë turbullirë. Aq më tepër, thuajse është bërë e rëndomtë te çdo njeri kur e vëren ndonjë padrejtësi në mënyrë stihike brohoritë: “Do të padis, madje deri te shoku Rankoviq”. Në këtë mënyrë ta kuptoni edhe këtë lutje timen më të gjatë të shkruar në Burgun Hetimor në Shkup. Edhe unë jam njëri nga ata 18 milionë banorë të Jugosllavisë, që m’u duk se në vend të ujit të pastër jam duke pirë turbullirë, prandaj u drejtohem Juve. Ju vetë do ta gjykoni, se a jam në rrugë të gabuar apo të drejtë. Unë, edhe gjatë kohës së hetimeve njëherë u jam drejtuar Juve, por si duket më kanë gënjyer, sepse lutja ime nuk arriti deri te Ju, sepse nëse asgjë tjetër Ju do të ma kthenit përgjigjen. Njeriu i cili ma ka përgatitur tërë këtë, më bind se këtë lutje sërish ia keni kthyer atij dhe shokëve të tij. Ju lus që nëse është e vërtetë kjo, këtë mos ia përcillni askujt, por ta inspektoni përmes njerëzve të Juaj të besueshëm nga lartë ose ta hidhni e mos e ktheni prapa. Këtë lutje po e dërgoj përmes mbrojtësit tim dhe konsideroj se e njëjta do të arrijë në duart Tuaja. Unë kërkoj që urgjentisht të dërgoni një njeri në terren, i cili në mënyrë të hollësishme ta inspektojë çështjen dhe t’u raportojë Juve. Nëse del se gënjej, atëherë mos më ndihmoni, por nëse del se e flas të vërtetën, atëherë ju lus për ndihmë, sepse edhe unë jam njeri dhe se e kam të drejtën e lirisë si për mua po ashtu edhe për pesë fëmijët e mi. Me fjalë tjera, nuk është as çfarë mëkati nëse i drejtohem atij të cilit mund t’i besoj e t’i lutem.
ARSYETIMI I LUTJES
Që të mund të keni një pasqyrë më të qartë në elaborimin tim të mëtutjeshëm dhe sqarimin e arsyes që solli deri te shqiptimi i dënimit të shkallës së parë, të cilën e vlerësoj si mashtrim gjyqësor, e konsideroj të nevojshme t’i paraqes momentet më të rëndësishme nga jeta ime për periudhën kohore nga kapitullimi i ish Jugosllavisë e deri më sot. Shtoj se jam i detyruar që në dëmin tim do t’i hesht çështjet të cilat do të më jenë të dobishme por do t’i heshti edhe nga frika që mos të nxisë ndonjë urrejtje e në atë mënyrë të shumëfishoj numrin e organizatorëve e të përkrahësve të këtij procesi të montuar për interesa private. Unë nuk mund të dal deri në fund me një armik i shpallur publikisht e jo më nga më shumë të tillë. Kur do ta dija që kjo lutje do të arrihej në duart Tuaja ose në duart e ndihmësit Tuaj pa u kontrolluar atëherë asgjë nuk do të më pengonte që zemrën ta hap në tërësi. Prandaj do të flas shumë pak por megjithatë mjaftueshëm për të më kuptuar.
- Kapitullimi i ish Jugosllavisë më hasi si nxënës i klasës së VIII-të të gjimnazit të parë për meshkuj në Shkup dhe maturën e mbrojta nën pushtimin bullgar, së bashku me shokët tjerë nga Maqedonia. Përndryshe, duke filluar nga viti 1940 isha anëtar i SKOJ-it. Këtë mund ta dëshmoj përmes deklaratave të shokëve të mi shkollor: Millan Ristiq- gjyqtar, Sllobodan Grubishiq – drejtor, Patërnogiq – inxhinier e tjerë.
- Pas kapitullimit të ish Jugosllavisë, vendlindja ime e cila i takon qarkut të Shkupit, ra nën pushtimin bullgar, e meqenëse për nga përkatësia kam qenë, përkatësisht jam i kombësisë shqiptare, kjo si “prodhim jo-bullgar” i rashë në sy policisë bullgare, sepse nuk iu përgjigja ftesës që në vend se në ushtri të shkoj në njësinë punuese për çka u detyrova të kaloj në pjesën e Maqedonisë të pushtuar nga Italia. Me shkuarjen atje rashë para dilemës a thua të punësohem në cilësinë e nëpunësit ose ta pranoj ofertën në konkursin e shpallur nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë, që si maturant i kryer të shkoj në studime në Itali e të studioj letërsinë. Vendosa për studime dhe shkova në qytetin Padovë në Itali, ku qëndrova deri në prag të kapitullimit të Italisë, në vjeshtën e vitit 1943 dhe kapitullimi më gjeti në rrugë në Boka Kotorr, në shoqërim me studentët e atëhershëm, Dr. Esad Mekuli, tash redaktor i revistës letrare shqiptare “Jeta e Re” në Prishtinë dhe Dr. Idriz Ajeti, asistent i Albanologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd.
- Pas ardhjes nga Italia në fillim të vitit 1944, u mobilizova në Armatën e Rregullt Shqiptare dhe si intelektual që e pata kryer stërvitjen paraushtarake në Fakultetin e Padovës, mora gradën e nëntogerit dhe kryeja detyrën e administratorit të batalionit. Kjo gradë mu pranua në APJ-ë (Armata Popullore e Jugosllavisë – Q. L.). Dëshmi: dëshmitarët të dëgjuar drejtpërdrejti nga Gjyqi: Kapiten Gajur Deralla, nëntoger Xhevahir Zylbehari dhe rreshteri i ri, Xhevdet Berisha.
- Njësinë e rregullt shqiptare e çarmatosin me forcë gjermanët, neve oficerëve na dërgojnë në gjyqin ushtarak në Kosovë, mirëpo deri te gjykimi nuk erdhi për shkak krijimit të dezorganizimit të krijuar në Francë nga Anglo-Amerikanët, disa u arratisën, ndërsa të tjerët u liruam për në shtëpi, përveç kapiten Gajur Derallës, të cilin gjermanët e internuan për Vjenë të Austrisë.
- Pas shpëtimit nga gjyqi ushtarak, u punësova në cilësinë e daktilografit te avokati Sulejman Xhami në qytetin e Tetovës dhe punova deri në kapitullimin e Bullgarisë më 9 shtator 1944, nga e cila data munda të kthehem lirisht në vendlindjen time në rrethin e Shkupit, Dëshmi: Deklarata e dëshmitarit Xhevair Zylbehari, dhënë para gjyqit.
- Me t’u kthyer në vendlindjen time bëra përpjekje të organizoj njësi partizane me direktivën e anëtarëve të PK të Shqipërisë të cilët në cilësinë e nëpunësit shqiptar punonin në qytetin e Tetovës. Për shkak terrorit të madh që ishte kryer në vendlindjen time nga ana e bullgarëve gjatë kohës së pushtimit, nuk arrita t’i përfshi për çka nga ana e ballistëve filloi dyshimi për lojalitetin tim. Me ndihmën e lidhjes partiake strehohem në cilësinë e rojës në policinë shqiptare ku ngela 20 ditë dhe çlirimin e prita në vendlindjen time. Dëshmi: dëshmitarët e dëgjuar nga gjyqi: Xhevdet Berisha dhe Tomo Sofronijevski. Deklaratat e dëshmitarëve anëtarë të PK të Shqipërisë, të bashkangjitur në lëndën time të hetuesisë nga viti 1947, mirëpo tërë materiali hetues është zhdukur me rastin e një kushtëzimi të kryer ndaj meje nga ana e organizatorit kryesor e privat të këtij procesi, Drejtori Dimko nga burgu i hetuesisë shoku Dimko i ashtuquajturi Bojan. Ka ngelë vetëm procesverbali me të dhënat biografike nga ai vit dhe ai gjendet në lëndën penale Nr. K. 328/58. Për zhdukjen e materialit të hetuesisë do të flas në pikën 5/II të kësaj lutje.
- Pas dy deri më tre ditë nga çlirimi i Shkupit u futa në radhët e LNÇ-së dhe më dërguan për Frontin e Sremit, dhe duke filluar nga vendi Tovarzhik e deri në fshatin Sesvenjë shkojmë duke luftuar me gjermanët e me ustashët. Pas çlirimit të vendit mora pjesë në aksionin kundër grupeve çetnike të ngelura në terrenin midis qyteteve Çaçak e Krushevac, nga ku demobilizohem në prag të zgjedhjeve për Kuvendin Ligjvënës, në muajin nëntor të vitit 1945. Dëshmi: Certifikatë për demobilizim së bashku me lëndën penale Nr. K. 328/58 dhe deklarata e dëshmitarit Gjesim Saiti, dhënë para gjyqit.
- Pas demobilizimit nga APJ-ë, organizoj kooperativën për furnizim dhe shitje në vendlindjen time, në të njëjtën punova nga pjesa e parë e vitit 1946 deri në mbarim të vitit 1947. Dëshmi. Libreza e punës.
- Gjatë verës së vitit 1947, me siguri se për arsyet që jam i detyruar t’i heshti, involvohen disa bashkëkombës të mi dhe inskenohet vepra penale, arrestohem dhe futem nën hetuesi nga ana e organeve të UDB-së. Gjatë kohës së hetimeve e dëshmoj pafajësinë time, me propozimin tim grumbullohen dëshmitë e shkruara dhe arsyetimi përse jam strehuar 20 ditë në policinë shqiptare edhe pse student në cilësinë e rojës. Me deklaratat e anëtarëve të PK të Shqipërisë – lirohem si i pa fajshëm. Dëshmi se vërtetë kam qenë nën hetime: Procesverbali me të dhënat biografike të bashkangjitur në lëndën penale Nr. K. 328/58, mundësinë e propozimit të dëshmitarëve të pakufizuar, ndërsa për asgjësimin e procesverbalit tjetër nga hetuesia e njëjtë për inskenimin e veprës penale dhe shtojcën do të flas në pikën 5/II të kësaj lutje.
9a. Njëkohësisht më ndodhi një çështje për të cilën nuk guxoj të flas, sepse nuk jam i sigurt që kjo lutje do të bjer në duart Tuaja apo të njeriut Tuaj.
- Nga shkurti i vitit 1948 deri në tetor të vitit 1948 u punësova në strehimoren hekurudhore në Gjorçe Petrov. Në verën e atij viti isha nën hetimin e dytë për veprën penale “Njerëzit e kthyer nga rruga” për të cilën vepër tash më dënojnë me 5 vjet burg të rëndë. Gjatë tërë kohës së hetimeve u gjet një letër rekomanduese, u ballafaqova në cilësinë e dëshmitarit me personat të cilët më ngarkonin në cilësinë e fajtorit, u dëgjuan zbatuesit prej të cilëve njëri me emrin Veli Zebi, i cili mbi një muaj ishte nën hetime, krahas materialit të hetuesisë është futur si shtojcë ditari im i verifikuar nga vitet 1944-1945 dhe u lirova si i pafajshëm. Dëshmi se kam qenë nën hetime mu në verën e vitit 1948, libreza ime e punës nga ku shihet se vetëm gjatë vitit 1948 kam punuar në strehimoren hekurudhore të Gj. Petrovit, Gjyqit i propozoj ta dëgjoj shefin e asaj strehimoreje, shokun Ilia Millosheviq, e nëse është e nevojshme këtë mund ta dëshmoj edhe me deklaratat e mbarë anëtarëve të kolektivit punues të atëhershëm të strehimores. I tërë materiali hetues është asgjësuar ndërsa ditari përvetësuar. Për arsyet e asgjësimit e përvetësimit do të flas në pikën 5/II të kësaj lutjeje.
- Në vitin 1951 sërish më inskenohet hetuesia dhe mbi 5 muaj mbahem nën hetime. Dëshmi: vendim për hapjen dhe vazhdimin e hetimeve bashkangjitur me lëndën Penale Nr. K. 328/58. I tërë materiali i hetuesisë së bashku me materialin për hetime në vitet 1947 dhe 1948 (të përmendur në pikat 6 e 10 të kësaj lutje) është asgjësuar. Arsyet e njëjta do të flas në pikën 5/II të kësaj lutje. Bëhen maskime në lëndën penale nr. K. 328/58 ku i është bashkangjitur një procesverbal fiktiv pa nënshkrim, i falsifikuar.
- Në verën e vitit 1955 ndodhi asgjësimi i materialit të hetuesisë nga hetimet e viteve 1947, 1948 dhe 1951 (përveç procesverbalit për të dhënat biografike nga viti 1947) përvetësohet ditari im i verifikuar për vitet 1944 dhe 1945 i cili gjendej së bashku me materialin hetues në vitin 1948. Për arsyet e asgjësimit të materialit hetues do të flas më vonë në pikën 5/II të kësaj lutje. Dëshmi: se ka qenë i asgjësuar, mosekzistimi i asnjë procesverbali nga hetimet në vitet 1947, 1948 dhe 1951 (përveç procesverbali për të dhënat biografike nga viti 1947) edhe pse është sjellë dispozita që nga viti 1946 që asnjë qytetar nuk guxon të mbahet më shumë se 24 orë në burg pa qenë i dëgjuar paraprakisht. Organet e Sigurimit Shtetëror të cilët më burgosnin gjithmonë më dëgjonin në mënyrë të parregullt edhe atë gjerë e gjatë.
- Në vjeshtën e vitit 1956 diplomova në Fakultetin e Drejtësisë në Shkup. Dëshmi: mund ta bashkëngjis diplomën.
- Në zgjedhjet e marsit të vitit 1958 iu përgjigja dëshirave të bashkëkombësve të mi që të kandidohem për deputet popullor republikan, mirëpo më këshilluan ta tërheq kandidaturën për çka edhe e bëra. Për këtë kam folur gjerësisht në mbrojtjen time që gjendet në lëndën penale në ditët 18, 19 e 20 nëntor 1958.
- Pas përfundimit të përvojës së profesionit në Gjyqin e Qarkut e të Rrethit në Shkup, gjatë viteve 1956 dhe 1957, shkova të punoj si fillestar te avokati Mirko Shunjeviq nga ku më 19 qershor 1958 u privova nga liria dhe deri më sot e deri në vendimin e plotfuqishëm jam nën hetime. Dëshmi: Vendimi hetimor së bashku me lëndën penale nr. K. 328/58.
Në 15 pikat e sipërshënuara i kam paraqitur momentet më të rëndësishme për periudhën kohore të cituar e të cilat për mendimin tim janë të nevojshme për ta kuptuar më mirë, tekstin e mëtutjeshëm të kësaj lutje, e cila ka për qëllim që në pika sa më të shkurta ta dëshmoj se si përmes hetimeve e insinuatave të dëshmitarëve mund ta dërgoj në robëri njeriun e pafajshëm. Qëllimi është të dëshmoj se unë nuk gjykohem për vepra të inskenuara porse i jam nënshtruar luftës së intrigave të armikut më të fortit, më me përvojë e mirë të përgatitur si dhe ortakëve e miqve të tij, të cilët në rastin tim shfrytëzojnë pozitat e tyre jo për ruajtjen e sigurisë qytetare për çka janë edhe të paguar, por për cenimin e saj. Këtë, ata e bëjnë për t’i fshehur jo-veprat e tyre, duke e përdorur kundër meje shpatën me dy tehe. Para bashkëkombësve të mi të dashur u jam prezantuar si tradhtar dhe bashkëpunëtor i organeve të tanishëm të pushtetit, ndërsa para udhëheqjes si reaksionar e element armiqësor. Edhe e para edhe e dyta janë gënjeshtra.
Që në start të kësaj lufte të pabarabartë unë jam i pafuqishëm e prandaj në emër të drejtësisë e humanizmit socialist kërkoj ndihmë. Do të luftoj edhe më fuqishëm sepse për këtë Ju më keni mësuar me shembujt Tuaj. Kam besim, prandaj u drejtohem Juve, sepse jam qytetar i juaj sikurse edhe intrigantët. E keni të domosdoshme ta dëshmoni në vepër se për Ju edhe ne shqiptarët jemi të barabartë sikurse edhe kombësitë tjera në këtë vend. Unë jam në disponim, jam i gatshëm që t’i nënshtrohem hipnozës së profesionistëve më të mëdhenj botëror për ta dëshmuar pafajësinë time. Ju të cilët u bëni ballë intrigave të mjeshtërve më të mëdhenj botëror, mund ta zbuloni lehtë intrigën e një mashtruesi të thjeshtë. Nëse nëpunësit e Sekretariatit për Punë të Brendshme në Shkup e rrethinë janë miqtë e tij, nuk është tërë Jugosllavia. Lutje të ngjashme i kam dërguar edhe kryetarit të Gjyqit Suprem të RFPJ-së, mirëpo ai nuk ka mundësi të kryej inspektimin sikurse Ju. Ma mundësoni të drejtën, unë si kthim nuk mund Juve t’u ofroj diç tjetër, përveç një falënderimi, mirëpo madhështia është në atë që t’u ndihmohet të dobëtëve kur flijimet janë më të mëdha se vetja. Fuqia e armikut tim nuk buron nga virtytet, por nga rrethanat lehtësuese të tij. Ne qytetarët e thjeshtë besojmë se Ju, udhëheqja më e lartë, keni fuqi mbinatyrore. Pranë secilës hapje të dyerve të qelisë do të presë ndihmën Tuaj. Nuk dëshiroj hakmarrje për Drejtorin Dimko, por kërkoj shpëtim nga intrigat e tij.
GJITHÇKA PËR SHKAK TË NJË FRAGMENTI
- Në vitin 1951 siç është theksuar në pikën 11/I të kësaj lutje isha nën hetime më shumë se 5 muaj. Mendoj se nuk ka nevojë askujt t’i dëshmoj se gjatë asaj kohe pesë mujore të qëndruara në qeli dhe i dëgjuar në mënyrë ligjore nga organet kompetente të cilët më privuan nga liria, sidomos kur ato hetime ishin të dyfishuara dhe prokurori publik të njëjtën nuk do ta vazhdonte kur para meje nuk do ta kishte dëgjimin tim të rregullt. Megjithatë prokuroria publike edhe pse sjell vendim për burgosjen dhe vazhdimin e hetimeve, nuk ishte në gjendje t’ia paraqet gjyqit asnjë procesverbal të hetuesisë nga ai vit, porse i shmanget përmes falsifikimit, duke ofruar vetëm procesverbalin për të dhënat biografike nga viti 1947, por pa as çfarë nënshkrimi. Është e qartë dhe e vërtetë dëshmia ime se materiali i hetuesisë është asgjësuar, se unë jam dëshmitar i gjallë sepse nuk mund ta di se çfarë po ndodh në arkivin e UDB-së pa e parë me sy, sepse nuk jam njeri parashikues.
- Pas kësaj jo vetëm çdo juristi por edhe çdo laiku vetvetiu i parashtrohet pyetja: kush, si dhe përse e ka asgjësuar procesverbalin e dytë nga hetuesia e vitit 1947 me shtojcat të përmendura në pikën 9/I, tërë materiali i hetuesisë me shtojcën, të përmendur në pikën 10/II për vitin 1948 dhe materialin e hetuesisë prej tre procesverbale nga hetimet për vitin 1951 (pika e përmendur 11/II).
- Me rastin e hetimeve pesëmujore në vitin 1951, duke u mbrojtur, në shpejtësi, inspektori në një procesverbal futi një fragment me përmbajtjen përafërsisht si vijon: “Ju interesoheni për imtësitë e syve të huaj, e nuk mbani llogari se shefi i tanishëm rajonal i UDB-së në Shkup, shoku Dimko i quajturi Bojan, në vitin 1945 ia ka zbrazur xhepin e një shqiptari pjesëmarrës në koftra-çetë gjatë pushtimit bullgar me emrin X. X., më saktësisht 100 lira ari turke”.
- Unë nuk e di se si dhe kur shoku Dimko është njoftuar me përmbajtjen e këtij fragmenti, mirëpo duke filluar nga viti 1952, ai shpesh më gjente kur vija në Shkup dhe përmes premtimeve të ndryshme përpiqej të më përvetësoj, dhe pasi nuk arriti në pranverën e vitit 1955, kur më priti para ndërtesës së Fakultetit të Drejtësisë në Shkup dhe pasi nuk arriti të më bindë që të shkoj në shtëpinë e tij, u pajtua që të më njoftoj “për punë të rëndësishme” në sallën numër 2 poshtë, ku ma tregoi procesverbalin origjinal nga viti 1951me fragmentin e përmendur, të cilin dikush e kishte nënvizuar me stilolaps të kaltër dhe më imponoi ta nënshkruaj një tjetër procesverbal të hartuar pa fragmentin e përmendur.
- Unë fillimisht pranova ta nënshkruaj, mirëpo për shkak grisjes së procesverbalit origjinal pa u bë paraprakisht baraspeshimi me procesverbalin e posa hartuar, u tërhoqa nga premtimi i parë duke e kushtëzuar nënshkrimin në prezencën e ndonjë njeriu të njohur ose dhënien e një vërtetimi të kundërt. Filloi kërcënimi dhe kushtëzimi që përfundoi me grisjen para syve të mi nga ana e Drejtorit të tanishëm të burgut hetues shokut Dimko nga Bojana, të tërë materialit hetues nga vitet 1947 (përveç procesverbalin me të dhënat biografike nga viti 1947), tërë materiali hetues dhe përvetësimin e ditarit nga viti 1948 dhe të tre procesverbaleve të hetuesisë së vitit 1951. Gjatë grisjes së këtyre dokumenteve, u përpoqa t’ia marr disa pjesë, por më shtyri aq fuqishëm, saqë për pak nuk e theva belin në karrige. Dëshmi: Rasti i vetëm në këtë shtet që një qytetar të qëndroj para tre hetimeve të rënda e të gjata, e të mos ketë as çfarë materiali të hetuesisë. Heshtja këmbëngulëse e hetuesisë, të Prokurorit Publik e të Gjyqit për t’u deklaruar për këtë çështje. Në pyetje është njeriu më i fuqishëm se unë dhe askush nuk dëshiron të prishet me të. Flijohen më të dobëtit për të shpëtuar më i forti, sikur nuk jemi të barabartë para Ligjit.
PËRSE THIRREM NË MATERIALET HETIMORE NGA VITET 1947, 1948 DHE 1951
- Unë nuk thirrem në materialet e mia hetimore nga vitet 1947, 1948 e 1951 nga një disponim sentimental sepse ata nuk ma përkujtojnë ndonjë periudhë të lavdishme nga jeta ime, por përkundrazi në episodet jetësore që më radhisin në njerëzit më të torturuar e më të dredhuarit. Unë në materialet e përmendura thirrem që të mund të ushqehem e të dëshmoj diçka, që unë thirrem në:
- a) Në shtojcën krahas procesverbalit tjetër hetimor nga viti 1947 për t’i dëshmuar gjyqit se pas kapitullimit të Bullgarisë nga 9 shtatori 1944 kam ardhur në vendlindjen time me detyrën e dhënë për të organizuar njësi partizane e për të cilën nëse e dëshmoj atëherë do të jetë e qartë se një njeri i tillë nuk mund të kryej vrasje e të inskenoj jo-vepra nga ana e dëshmitarëve të involvuar, për të cilën ata gjoja edhe pas 15 viteve e paskan memorinë e fortë edhe atë mu pas zgjedhjeve të marsit. Nga dokumentet e atëhershme do të shihet se nuk kam qenë i çmendur që edhe pse një njeri me përgatitje të lartë arsimore që 20 ditë para çlirimit të Shkupit të jem roje e policisë në kohën kur Beogradi tashmë ishte çliruar. Atëherë edhe të verbërve do u ishte e qartë se nuk është i çmendur e t’i vras ata njerëz një njeri, i cili përpiqet të organizoj njësi e dëshiron të futet në radhët e tyre, ndërsa vullnetarisht shkon në radhët e LNÇ-së dy ditë pas çlirimit të rrethit.
- b) Në procesverbalet hetimore nga dëgjimi i dëshmitarëve dhe ditari i verifikuar nga hetimet e vitit 1948 unë thirrem për shkak se atëherë është mënjanuar dyshimi nga unë në lidhje me veprën “Njerëzit e kthyer nga rruga” që asaj kohe të akuzuarit në cilësinë e dëshmitarëve dëshmuan mbrojtjen time pasi u gjet letra nga personi me emrin Izair nga fshati Çajlanë për njerëzit e kthyer. (Për atë letër, në mënyrë të mjegulluar, i kujtohet edhe dëshmitarit të dëgjuar para gjyqit, Mirko Popov), dhe se nga ditari mund të shihet se në ditën e pushkatimit të dy partizanëve kam qenë te mjeku në Tetovë dhe se ditarin ma ka treguar drejtori Dimko në burgun hetimor – shih pikën IV-3-II-a të kësaj lutje.
- c) Në procesverbalin hetimor të vitit 1951 thirrem për shkak se do të dëshmoja para gjyqit për fragmentin tim të pa fat, për çka nga viti 1952 e deri më sot jam lëndë e intrigave më të verbëta, nga ana e drejtorit të burgut hetimor Dimko nga Bojana dhe miqve të tij nga Sekretariati për Punë të Brendshme. Gjithashtu nga procesverbali do të zbulohej edhe emri i personit, të cilit, Dimko, në vitin 1945, i mori 100 ari lira turke dhe pas dëgjimit të tij ndoshta do të mundej të zbuloheshin arsyet dhe do të kuptoheshin këto intriga nga ana e bashkëkombësve të mi që kryhen me presionin e Dimkos. (vijon nesër)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.